Mbi romanin “Paqja e përgjakur e Adamit” të Agron Tufës, botoi Onufri, 2022
Nga Ballsor Hoxha
“Paqja e përgjakshme e Adamit”, roman i Agron Tufës është një tragjedi që në fillimin e tij thellon nëpër qoftë, edhe, atë që tanimë duket e pamundshme, vetë mundësinë e jetës në një Shqipëri që u zhduk për aq sa filloi, dhe më tutje kjo tragjedi, pastaj kthehet dhe përmbyset në një horror të ligësisë njerëzore.
Një Shqipëri e cila pati edhe gjykimin por edhe vullnetin për të dalë prej humnerës në të cilën ishte, apo në të cilën është, tanimë.
Paqja e përgjakshme e Adamit është mjaft kontroverse, jo në dhe për shkak të përfundimit të saj, por për shkak se e sheh Shqipërinë të varur nga egërsia individuale, nga egërsia e individit, të mbetur siç edhe është – njeri i zhveshur nga çdo marrëveshje – nën shtypjen disa dekadash të komunizmit, dhe në këtë pre e çdo instinkti dhe çdo xhelozie dhe dëshire të ligë brenda kësaj shtypjeje.
Sigurisht, Adam Zaganjori, personazhi kryesor i romanit, ishte një Adam, por qoftë edhe mitologji e biblike e një Shqipërie të mundshme. Ishte një njeri i parë, ishte një vullnet i parë, ishte një arritje e parë njerëzore mbi horrorin e shtypjes së komunizmit. Ai si “ëndërrimtar” që del në përshkrimet brenda romanit, por edhe si një “njerëzor tejet njerëzor”, ëndërron parajsën e tij, atë që mund të jetë, atë që mund ta realizojë në të vërtetë, vetë ai, me vullnetin dhe ëndrrën dhe përpjekjen e tij: një “Eden” të tijin, e që është vetëm një jetë e pasionit të tij, e punës dhe përpjekjes së tij, dhe në fund “pse jo” do të kishte thënë Adam Zaganjori, edhe një familje të ndershme.
Dhe njeriu, Adami i Shqipërisë – asaj që kishte mundësinë -, dhe Adam Zaganjori personazhi i romanit e arrijnë këtë. Jo dhe me shumë vështirësi, jo dhe me ligësi e djallëzi, jo dhe me skemat e të menduarit sipas imazheve të krijuara nën shtypjen e njeriut, por pikërisht si një Adam biblik, i Shqipërisë, ai e bën këtë me atë që din, me atë që mundet dhe me atë që e ka për pasion të njerëzisë së tij.
Deri këtu, në këtë pjesë të romanit, pra, para se të vërshojë ligësia dhe xhelozia njerëzore, apo thënë më mirë para se të rrënohet po ajo – mundësi e një Shqipërie -, Adami niset për në shtëpinë e tij t’i rrëfejë dhe t’i kërkojë ndihmë bashkëshortes së tij për shtytjet që ka ndaj një gruaje, me të cilën punon. Ëndërrimtari, Adami i Shqipërisë, ëndërron se bashkëshortja e tij, do ta ndihmojë në zgjidhjen e shtytjeve të tij seksuale ndaj një gruaje tjetër prej bashkëshortes së tij. Deri këtu arrin kjo parajsë, qoftë ëndërrimtare, tanimë dhe sidomos tanimë, apo kjo “ëndërr” e një njeriu që zoton tërë pasionin dhe vullnetin e tij me të cilin ka krijuar tërë paqen e tij, – të përhershme -.
Më në fund, Adami, e ka përjetuar paqen, Shqipëria e ka përjetuar mundësinë, dhe sistemi i Botës së Shqipërisë, pas komunizmit, ka dalë nga shtypja e saj. Por, është pikërisht këtu ku e tëra rrënohet, pikërisht në kurrizin e Adamit të Shqipërisë, atij që bëri të mundshme një Shqipëri, jo në tërësinë e saj as në sistemin e saj, por në vetë realizimin e paqes personale në një pasion dhe familje.
Rrënimi pason, si në kohëra biblike, por me dallim racionalen e këtij rrënimi, e që është përmbushja e dëshirës, qoftë ajo e ligë deri në psikopati , e qoftë ajo e pandjeshme (psikopati) deri në çnjerëzim. Ky rrënim përfshinë tërë Shqipërinë, sistemin e saj gjyqësor, e deri tek polici më i thjeshtë, e tek kuzhinieri i burgut, dhe në maje të tërë këtij pirgu vetë vajzën e lindur nga kjo martesë paqeje të Adamit të Shqipërisë.
Në romanin “Paqja e përgjakshme e Adamit” nuk bëhet fjalë shumë për shtypjen (represionin) nga e kaluara, aq më shumë vetë protagonisti është viktimë e saj, gjë që e bën të ikë në Itali, por edhe të kthehet si Adami i Shqipërisë, dhe të ri-nisë Shqipërinë.
Trauma e shkaktuar nga shtypja e të kaluarës së kësaj shoqërie, është një vrimë e zezë, e cila përpinë çdo gjë, çdo përpjekje dhe frymë e vullnet. Në të vërtetë tërë Shqipëria përpihet, apo thënë më saktë është e përpirë në këtë vrimë të zezë të sajën, në traumën e saj.
Trauma në të vërtetë është ngujim i njerëzores brenda imazheve të plagës së tij, psikike dhe fizike. Ajo, po sikur një degë peme e dëmtuar, vazhdon të rritet, dhe të ketë jetën e saj përbrenda trungut të tërësisë së organizmit.
Në këtë, në romanin e Agron Tufës shohim një Shqipëri të kallur dhe të rrënuar në një ferr dhe psikozë të thellë të shoqërisë së saj. Trauma ku është e mbyllur kjo shoqëri është e thjeshtë: njeriu, individi, Adami (qoftë ai sipas biblës dhe qoftë ai metaforik) janë të pamundshëm; janë të pajetësueshëm; dhe janë të dënuar me zhbërje në turmën e traumatizuar.
Konfilikti i Adamit të Shqipërisë, Adamit protagonist në romanin në fjalë, nuk është me njeriun, me njerëzoren, me ligësinë brenda njerëzores e cila fshihet në latencat seksuale dhe të pasionit, por me shqiptarin, apo, këtë duhet thënë më saktë në të vërtetë, problemi i shqiptarit me Adamin e tij, e njeriun e parë të tij, që do të thotë me njeriun jashtë kësaj traume kolektive që ka kaluar në psikopati, pandjeshmëri të njeriut për njeriun, është në kulturën (si fenomen i të gjitha shkëmbimeve ndërnjerëzore) e kësaj shoqërie. Apo thënë edhe më saktë në mungesën e një kulture, gjë që do të duhej të përfshinte tërë marrëdhënien ndërnjerëzore në këtë shoqëri!
Ngujuar brenda përbrenda kësaj traume të shtypjes në të kaluarën e kësaj shoqërie, njeriu më nuk është i kufizuar nga çfarëdo mekanizmi mbrojtës kulturor, apo edhe individue të mbrojtur nga Bota e kësaj shoqërie. Qoftë edhe familja është e rrënuar nën këtë ferr para Adamit të Shqipërisë, dhe pas tij, dhe tundohet nga çdo instinkt i tij dhe saj, jo për të përmbushur një marrëdhënie shoqërore, por pikërisht i të qenit nën shtytjen e rrënimit të çfarëdo kalimi jashtë traumës, kolektive dhe individuale.
Të jetosh nën traumën e të kaluarës së kësaj shoqërie do të thotë të jetosh brenda kësaj dege të dëmtuar të trungut të pemës së kësaj shoqërie, e cila i ka ligjet dhe organizimin e vetë të pavarur. E cila nën presionin e dhembjes dhe dëmit është e zhveshur nga çfarëdo marrëdhënie sublimimi të kësaj dhembjeje dhe të të kaluarës.
Në të vërtetë trauma ka zgjatur aq shumë sa që njeriu i kësaj shoqërie nuk mundet pa atë, nuk mundet të shoh tjetrin të arrijë, tjetrin si ndryshe nga vetja, sepse po e njëjta e mbyllë po të njëjtin në traumën e tij, në dhembjen e tij, dhe në pamundësinë e përjetuar për një jetë të tërë.
Adami i Shqipërisë, Adam Zaganjori, personazhi kryesor i romanit “Paqja e përgjakshme e Adamit” i lindur në Shqipëri, i kthyer në Shqipëri, mbetet përgjithmonë në Shqipëri, por vetëm pasi që edhe ai është zhbërë në turmën e kësaj shoqërie të traumatizuar deri në psikozë dhe në këtë, vetëm pasi që një herë ka arritur paqen e tij, pasi që një herë të gjithë e kanë parë paqen e tij, vetëm pse një herë po e njëjta paqe e ka rikthyer edhe një herë traumën e secilit përreth tij, atë të pamundësisë së daljes nga ajo, vetë dhe me shoqërinë e pamundshme në të cilën ndodhet.
/Gazeta Express