Ditën e sotme ka qarkulluar në media lajmi se djali i ish ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është arrestuar në zonën e Bllokut në Tiranë pasi është kapur me armë zjarri pistoletë.
Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës ka sqaruar rrethanat e arrestimit të 29-vjeçarit Erik Fullani.
Policia bën me dije se ditën e sotme, rreth orës 10:45, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, në zonën e ish-Bllokut, automjetin me xhama të errësuar, me drejtues shtetasin Erik Fullani, 29 vjeç ndaj të cilit është vendosur masa administrative, gjobë 20 000 lekë të rinj për xhamat e errësuar të automjetit.
Gjatë kontrollit fizik, blutë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë 29-vjeçarit dhe për këtë arsye ai është shoqëruar në Komisariat, për verifikime të mëtejshme.
Pas verifikimeve, policia thotë se ka rezultuar se arma që ai mbante ishte me leje dhe në vijim të veprimeve u bë njoftimi dhe dorëzimi i armës te drejtuesi teknik i firmës, ku ai punon (bodyguard), sipas procedurave përkatëse duke e shpëtuar nga qelia.
/Gazeta Express