Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të flasë për takimet me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe më pas drekën e punës me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në këtë takim të fundit po merr pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Pasi mori pjesë në lansimin e një platforme për punësimin e të rinjve, Kurti u pyet nga gazetarët rreth asaj çfarë pritet të ndodhë në këto takime, por refuzoi të jepte detaje. Gazetarët e pyetën për Asociacionin dhe çështje të tjera, por Kurti tha se për këto do të flasë më pas, raporton Gazeta Express.
“E kemi një takim tash me të gjithë ambasadorët që janë të akredituar këtu në Prishtinë në Republikën e Kosovës por edhe me diplomatë të tjerë të vendeve mike. E kemi një takim në orën 11:00 e më pas e kemi edhe një drekë pune me emisarin e veçantë të Bashkimit Europian për Ballkanin dhe për dialogun Kosovë – Serbi, z. Lajçak, e më pastaj do të mund të flasim për këto gjëra, pasdite”, tha Kurti.
“Do t’ju tregojmë se çfarë temash do t’i diskutojmë. Por gjëja më e mirë që filloi sot është projekti “Super Puna”. E tash nëse dalin prej temës së rinisë ata që s’janë bash të rinj, do të mund të flasim edhe për Asociacionin e për dialogun…. por pasi ta kryejmë takimin”, shtoi ai.
Takimi me ambasadorët përfundoi, ndërsa tani Kurti është në takim me Lajçakun. Në të po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Kurti të enjten në një seancë të Kuvendit renditi gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të bëhet i pranueshëm sipas tij.