Një 34-vjeçare ka ndërruar jetë në Maternitetin e Elbasanit një ditë më parë.
Mësohet se pasi ka kryer një procedurë aborti, 34-vjeçarja Etleva Çulhaj, është larguar në banesën e saj ku më pas ka pasur shqetësime dhe ka njoftur ambulancën, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit dhe aty ajo ka humbur jetën.
Lidhur me këtë ngjarje është iniciuar procedimin penal për dy mjekë të maternitetit, njëri 56 vjeç dhe tjetri 60 vjeç, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Njoftimi i plotë
Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë.
Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën.
Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
/Gazeta Express