Me 23 janar në Kaçanik të Vjetër u vra me breshëri plumbash në veturën e tij Nysret Cena, 48-vjeçar. Për vrasjen e tij nuk është arrestuar ende asnjë person, Prokuroria Themelore e Ferizajt thotë se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në mënyrë që të zbardhet ky rast.
Vrasja e ish-ushtarit të UÇK-së, vazhdon të mbetet mister. Si dhe nuk ka të arrestuar.
E kontaktuar nga Gazeta Express, zyra për informim e Prokurorisë së Ferizajt u shpreh se janë marrë veprimet hetimore për zbardhjen e këtij rasti.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë gjitha veprimet hetimore karshi këtij rasti, në mënyrë që të zbardhet në tërësi kjo çështje. Për të gjitha informatat tjera, do të njoftoheni me kohë lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, dhënë Gazetës Express.
Gazeta Express në vazhdimësi ka raportuar për vrasjen e 48-vjeçarit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka deklaruar për Gazetën Express se pronari i targave të veturës Passat që u gjetën të vendosura në veturën e djegur Mercedes, është intervistuar dhe i njëjti kishte deklaruar në polici vjedhjen e targave të veturës së tij më 10 nëntor 2022.
Policia ka njoftuar se për vrasjen është informuar me datën 23.01.2023 rreth orës 23:50, ku në automjet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër ndodhej Nysret Cena.
Më pas policia kishte pranuar një informacion tjetër se në fshatin Soponicë të Kaçanikut afër autostradës një automjet tjetër i udhëtareve ishte përfshirë nga flaka.
“Ekipet zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin”, njoftoi policia.
Por, jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flakët.
Sipas policisë, ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar.
“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka konfirmuar policia.
Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Nysret Cena nuk është emër i padëgjuar për organet e drejtësisë. Ai ishte i akuzuar për dy raste, por që më pas ishte liruar nga akuzat.
Cena akuzohej për shpërthimin që kishte ndodhur në vitin 2007 në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë.
I njëjti së bashku me dy persona tjerë ishte i akuzuar për vrasjen e trefishtë afër Kaçanikut, ndodhur në vitin 2007, por që ishte liruar edhe nga kjo akuzë. /Express
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...