Me 23 janar në Kaçanik të Vjetër u vra me breshëri plumbash në veturën e tij Nysret Cena, 48-vjeçar. Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, konfirmoi se targat e veturës Mercedes e cila u gjet e djegur pas vrasjes së 48-vjeçarit, janë identifikuar se i takojnë një veture të tipit Passat. Kryeprokurori Jashari konfirmon për Gazetën Express se pronari i targave të Passatit është intervistuar dhe i njëjti kishte hapur rast në polici në nëntor të vitit 2022 për vjedhjen e targave të veturës së tij të parkuar para një banese në Prishtinë.
Hetimet për zbardhjen e kësaj vrasje janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive, përderisa akoma nuk ka persona të identifikuar si të dyshuar.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha të enjten për Gazetën Express se pronari i targave të veturës Passat që u gjetën të vendosura në veturën e djegur Mercedes, është intervistuar dhe i njëjti ka dhënë deklaratën e njëjtë në polici si atë të datës 10 nëntor 2022.
“Po u intervistu, i njëjti më 10 nëntor 2022 e ka lajmëru në polici që ju kanë vjedhë targat e veturës, ka dhënë deklaratë edhe atëherë. Vetura ka qenë e parkuar para banesës në Prishtinë, personi ka qenë në punë e ka lajmëru rastin në polici. Ai edhe në nëntor e ka dhënë të njëjtën deklaratë”, tha Jashari për Gazetën Express.
Ai shtoi se për këtë rast komplet njësiti rajonal është duke zhvilluar hetime.
Policia ka njoftuar se për vrasjen është informuar me datën 23.01.2023 rreth orës 23:50, ku në automjet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër ndodhej Nysret Cena.
Më pas policia kishte pranuar një informacion tjetër se në fshatin Soponicë të Kaçanikut afër autostradës një automjet tjetër i udhëtareve ishte përfshirë nga flaka.
“Ekipet zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin”, njoftoi policia.
Por, jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flakët.
Sipas policisë, ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar.
“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka konfirmuar policia.
Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Nysret Cena nuk është emër i padëgjuar për organet e drejtësisë. Ai ishte i akuzuar për dy raste, por që më pas ishte liruar nga akuzat.
Cena akuzohej për shpërthimin që kishte ndodhur në vitin 2007 në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë.
I njëjti së bashku me dy persona tjerë ishte i akuzuar për vrasjen e trefishtë afër Kaçanikut, ndodhur në vitin 2007, por që ishte liruar edhe nga kjo akuzë.
Ish-veterani i UÇK-së, Nysret Cena u varros dje. /Gazeta Express
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...