Pas deklaratës së emisarit special amerikan, Gabriel Escobar, se në rast se Qeveria e Kosovës nuk do që të jetë pjesë e procesit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë për këtë do të diskutohet me “partnerë alternativë”, ambasada e SHBA-së konfirmoi se tashmë ka shpërndarë disa ftesa për grupe të ndryshme të shoqërisë për të diskutuar mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ende s’është bërë publike lista e plotë me emrat e të ftuarve, por në një përgjigje për Gazetën Express, ambasada tha se në takimin e 31 janarit do të jenë liderët e shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë.
“Më 31 janar, ambasada amerikane do të mbajë një diskutim mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ne jemi duke ftuar një grup të ndryshëm nga liderët e shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar mbi këtë çështje të rëndësishme. Qëllimi ynë është të rrisim mirëkuptimin e ndërsjellë rreth angazhimit për Asociacionin, në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të qëndrueshëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat europiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”, ka thënë ambasada amerikane.
Nuk dihet nëse do të ketë përfaqësues nga Qeveria, por sidoqoftë një anëtar i kabinetit të Kurtit do të jetë në takim. Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka konfirmuar pjesëmarrjen, por duke mos treguar nëse po shkon në cilësinë e ministrit apo të kryetarit të partisë nga komuniteti serb.
Nëse po shkon në cilësinë e ministrit dhe nëse ka marrë leje nga Kurti, Gazeta Express ka dërguar pyetje në Qeveri, por s’ka marrë përgjigje. Po ashtu, edhe ministri Rashiq ka qenë i paqasshëm.
Gazeta Express mëson se në listën e mysafirëve për të folur për temën e Asociacionit janë edhe liderë nga partitë opozitare.
Ndërkaq, nga shoqëria civile deri më tani e ka konfirmuar se ka marrë ftesë Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës.
“KDI ka marrë ftesë dhe tani më ka konfirmuar pjesëmarrjen për të qenë pjesë e takimit”, ka thënë Kryeziu për Gazetën Express.
Qeveria tashmë gjendet në presion si për çështjen e themelimit të Asociacionit, si për pranimin e planit të Bashkimit Europian për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Serbinë.
Për këto tema të nxehta dje kryeministri Kurti mori një telefonatë të rëndësishme nga SHBA.
Këshilltari Special amerikan, Derek Chollet, e ka nxitur kryeministrin Kurti që të pranojë planin e BE-së dhe të shtyjë përpara çështjen e Asociacionit.
“Fola me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë”, ka thënë Chollet.
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...