Presioni për pranimin e planit franko-gjerman, Kurti s’thotë asgjë për dialogun në mbledhjen e Qeverisë - Gazeta Express
string(102) "presioni-per-pranimin-e-planit-franko-gjerman-kurti-sthote-asgje-per-dialogun-ne-mbledhjen-e-qeverise1"

Presioni për pranimin e planit franko-gjerman, Kurti s’thotë asgjë për dialogun në mbledhjen e Qeverisë

Lajme

Gazeta Express

25/01/2023 12:13

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti nuk tha asgjë për çështjen e dialogut me Serbinë, përkundër presionit të shtuar së fundi për pranimin e planit franko-gjerman dhe themelimin e Asociacionit.

Pas ardhjes së pesë diplomatëve të lartë të BE-së dhe SHBA-së për të shtyrë përpara dialogun Kosovë-Serbi në tavolinë me planin franko-gjerman, një telefonatë të rëndësishme Kurti e mori dje nga Këshilltari Special i SHBA-së, Derek Chollet, i cili i foli për domosdoshmërinë e pranimit të këtij plani, si dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Chollet tha se e ka nxitur Kurtin që të pranojë këtë plan, derisa për temën e Asociacionit i ka thënë se duhet shtyrë përpara.

Sidoqoftë, Kurti nuk njoftoi për këto zhvillime në mbledhjen e sotme. Ai e nënvizoi Projektligjin për Liritë Fetare si të rëndësishëm.

Ndërkaq, para se të niste shqyrtimin e pikave të rendit të ditës, ai foli për vërshimet që ndodhën së fundi në disa komuna të vendit.

Fjala hyrëse e plotë e Kurtit:

Në mbledhjen e sotme, në rend të ditës kemi për trajtim një projektligj shumë të rëndësishëm, Projektligjin për Liritë Fetare. Me ndryshimet e propozuara, bashkësitë fetare do ta fitojnë statusin juridik.

Por, para se fillojmë me rendin e ditës, më lejoni që t’ju adresohem në lidhje me atë që ka qenë preokupimi kryesor i vendit tonë ditëve të fundit; vërshimet. 

Nga vizitat tona në terren e kemi parë nga afër forcën shkatërruese të tyre. Dëmet janë të mëdha, ndërkaq, rreziku nuk ka kaluar i tëri.

Reagimi i institucioneve shtetërore ka qenë i shpejtë. Solidariteti me njëri-tjetrin ka qenë i madh. Për fat të mirë, pasojat janë vetëm materiale.

Si qeveri, që nga momenti i parë, kemi qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e përmbytura nga uji. Si përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Policisë së Kosovës, e po ashtu Forcës së Sigurisë së Kosovës, kemi intervenuar për të ofruar mbështetje të menjëhershme. Këtu një kontribut të çmuar kanë dhënë edhe kompanitë rajonale të ujësjellësit për të siguruar furnizim me ujë të pijes.

Njësitet profesionale të pompimit kanë intervenuar në shtëpitë dhe zonat ku ka pasur përmbytje.

Janë siguruar cisterna të ujit të pijes dhe janë shpërndarë në pjesë të ndryshme te vendeve më të prekura nga vërshimet.

Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve, sipas nevojës, kanë bërë hapjen e kanaleve anësore për qarkullim të ujërave dhe rënie të nivelit të ujit. 

Është bërë zhbllokimi i rrugëve nacionale e lokale. Në rastet kur ka pasur dëmtim të madh të infrastrukturës, janë siguruar rrugë alternative për qarkullim.

Sipas kërkesave të komunave, janë siguruar shtretër, batanije, barna, pako higjienike, veshmbathje dhe ushqim.

Për evakuimin e familjeve dhe familjet e evakuara më pas është përkujdesur Forca e Sigurisë së Kosovës nëpërmjet Gardës Kombëtare dhe ekipeve të Kërkim Shpëtimit.

Tani, teksa po punojmë së bashku për të sanuar dëmet e shkaktuara, përveçse me pasojën, duhet të merremi edhe me shkaktarët e shkallës së vërshimeve.

Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve dhe mungesa e pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës publike, si dhe ndryshimet klimatike globale, padyshim që i kanë lehtësuar, shpejtuar dhe shpeshtuar përmbytjet në vendbanimet tona.

Krahas vlerësimit të dëmeve, duhet të bëjmë edhe rivlerësim të sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës. Në të njëjtën kohë, të përmirësojmë edhe më shumë reagimin tonë dhe përgjegjësitë e institucioneve në parandalimin e tyre. Duhet edhe hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. Nuk mjafton rimëkëmbja, nëse nuk nxjerrim mësime. Nuk mjafton tejkalimi i situatës, nëse ajo përsëritet. Na duhet ndërgjegjësim dhe mobilizim institucional dhe shoqëror.

Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura do t’iu qëndrojmë pranë përherë. Ndihma nga Qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva, bashkë, do të ngritën.