Romeo Çollaku (Sarandë, 1973) ka botuar pesë libra me poezi, katër në prozë dhe rreth dyzet të tjerë me përkthime, kryesisht nga letërsitë greke, franceze dhe polake. Si shkrimtar është vlerësuar me Çmimin Kombëtar të Tregimit (2010, 2020), kurse si përkthyes me Çmimin Kombëtar (2007, 2015), me Çmimin e Pen Club Albania (2017) dhe me Çmimin e Panairit të Librit Tirana (2022). Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në anglisht, bullgarisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, italisht, rumanisht dhe rusisht.
Libri i parë
Më është drejtuar kjo pyetje edhe një herë tjetër, afërsisht para dhjetë vjetësh. Por edhe para tridhjetë vjetësh vështirë t’i përgjigjesha dot me saktësi. Domosdo që ka qenë nga ata librat me ilustrime për fëmijët e klasave të para, por cili pikërisht, është e pamundur të më vijë në mendje. Ndonëse – gjithnjë turbull – u kujtoj me mall letrën, aromën, ngjyrat, formatin, herë-herë edhe tituj apo emra autorësh e ilustruesish, prapë kujtesa nuk më ndihmon deri në atë pikë sa të më kristalizohet ndonjëra nga historitë e atyre librave. Kurse një nga librat e parë për të rritur ka qenë një përzgjedhje poezish e prozash të Migjenit, që e kam me vete edhe këtu ku ndodhem. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Viti 1968 ose 1969, nuk e dalloj qartë. Tirazhi 15.000 kopje. Apo 45.000? Atyre viteve, tirazhi arrinte edhe shifra të tilla, kaq të habitshme për sot.
Libri që do të doje të kishe shkruar
Më duket ndjenjë shumë egoiste të lakmuarit e autorësisë së librit të dikujt tjetër. Megjithëse edhe e kundërta, mungesa e çdo ëndërrimi të tillë, ndoshta përmban një dozë të lartë sedre të sëmurë. Aq më tepër kur miliarda njerëz në botë do të donin të kishin shkruar një libër si “Kodi da Vinçi” a, thjesht, të gëzonin të drejta pronësie mbi të. Jam i kënaqur me librat që kam botuar dhe me këta që po punoj ndërkohë. Gëzohem kur librat e mi pëlqehen, por nuk gëzohem pak edhe kur lexoj letërsi të mirë nga shkrimtarë të tjerë. Te çdo shkrimtar gjallon edhe lexuesi dhe nuk bën që ky të ngelet Sokrat i vuejtun.
Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri
Me thënë të drejtën, tani do të doja të lexoheshin “Rruga e krokodilëve” i Schulz-it, “Ëndrrat dhe dashuritë e një jete” i M.Karagacisit, “Varfanjaku i Zotit” i Kazanxaqisit, “Transatlantiku“ i Gombrowicz-it, “Ditari i një prifti fshati” i Bernanos-it dhe “Medea” e Euripidit.
Libri që jua ka ndryshuar jetën
Abetaren le ta përjashtojmë, me marrëveshje. Se, gjersa i detyrueshëm arsimi fillor, abetarja nuk shënon ndryshim, por përmbushje, është një stacion i parathënë që i takset shumëkujt qysh nga çasti kur vjen në jetë. Leximi i çdo libri është ngjarje dhe gjendja ku e si ndodhemi është rrjedhim i gjithë ngjarjeve të jetës, të cilat kanë për emërues të përbashkët një mrekulli të Perëndisë, të Natyrës. Përveç personazhit të “Novelës së shahut” të Zweig-ut, nuk kam njohur ndokënd, as veten, që t’i jetë ndryshuar rrënjësisht jeta nga leximi i një libri të vetëm. Edhe Bibla nuk është një libër i vetëm.
Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar
Nuk është një. Në qoftë se veprat e vjetra nuk do të na përcilleshin deri në njëfarë mënyre e në njëfarë mase nëpërmjet veprash më të reja, mund të thoshja se nuk e kam edhe aq të pasur formimin klasik, sidomos për sa i përket periudhës që nga fillimet e letërsisë e deri te shekulli XVIII. Në kuptimin që një shkrimtar fiton mjaft nga leximi, në mos i të gjithave, i një pjese të madhe të veprave që kanë kaluar me sukses një provë të tillë të kohës. Më qetëson disi fakti se, më së shumti për arsyen që përmenda, kjo është një dukuri e përgjithshme te shkrimtarët e sotëm. Ishte e thjeshtë puna për Hölderlin-in e për Baudelaire-in, nuk u humbiste mendja në këtë drejtim, bibliotekat i kishin me pak rafte dhe të ngadaltë rrjedhën e kohës. Megjithatë, edhe formimi i tyre vuante nga mangësitë e veta, se nuk e patën lexuar letërsinë e këtyre dyqind vjetëve të fundit.
Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer
Ndodh shpesh që një shkrimtari të huaj t’i lexojmë së pari veprën më të përmendur, që, ndonëse jo gjithmonë, zakonisht është edhe më e mira. Pra, kur “Amerikën” e lexojmë pas “Kështjellës” apo “Procesit” apo “Metamorfozës”, prapë kënaqemi, por nuk na vjen ta hedhim kapelën përpjetë. Rast i tillë për mua ka qenë edhe kur lexova romanin “Kitara blu” të John Banville-it pasi kisha lexuar “Detin”, të të njëjtit shkrimtar. Ç’t’i bësh, pak romane mund të krahasohen me “Detin”. Apo kur lexova “Darkën e gabuar” menjëherë pasi kisha mbaruar “Çështje të marrëzisë”. Edhe “I ndjeri Matia Paskal” nuk m’u duk në lartësinë e tregimeve dhe dramave më të mira të Pirandello-s. Sidoqoftë, nuk i rendit te zhgënjimet këto, janë “zhgënjime” të pritshme dhe të mirëpritura. Por, tani që m’u kujtua, “zhgënjimi” më i rëndë, ndoshta edhe pa thonjëza, ka qenë dikur, në vitet e gjimnazit, kur lexova “Njeriun që qesh” menjëherë pas “Të mjerëve”, që e çmoj shumë edhe sot. Kurse, pas leximit të “Urës së Drinit”, e kisha përgatitur veten të mos prisja të njëjtën mbresë të këndshme nga romani tjetër i Ivo Andriçit, “Zonjusha”, libër që nuk ka as gjysmën e zulmës së të parit. Fatmirësisht, m’u përgënjeshtrua parashikimi.
Libri që ju ka befasuar
Në fëmijëri janë shumë, në rininë e parë disa, prej andej e në vazhdim pakësohen befasitë, çka do të thotë se karakteri i lexuesit na kalitet, si dhe që, deri diku, kemi dijeni për librin që do të lexojmë. Një befasi ka qenë “Libri i burgut” i Arshi Pipës, botim i vitit 1994, nga Eurorilindja. E mbaj mend mirë që e kam blerë po atë vit, në Tiranë. Ishte hera e parë që qarkullonte ky libër në Shqipëri. Edhe nëse, gjatë regjimit të saposhembur, kishin hyrë ndoca kopje të tij nga botimi i vitit 1958 në Detroit, patjetër që do të kishin qenë shumë të pakta dhe të rrezikshme. Deri atëherë, nuk dija asgjë, në mos u gabofsha, rreth Arshi Pipës ose nuk kisha lexuar asgjë prej tij në gazeta a revista. Tashmë “Libri i burgut”, për mua, është ndër përmbledhjet më të mira poetike të gjithë letërsisë shqipe. Dhe, nëse më lejohet ta them këtë me bindje dhe me përgjegjshmëri, nuk kemi të bëjmë me një poezi kurrsesi të tejkaluar, siç gjykohet ndonjëherë. Thjesht, duhen patur parasysh hapësirat ku lëviz lirika e gjuhëve të tjera gjatë këtyre dekadave të fundit. Poezinë, letërsinë në përgjithësi, nuk e vjetron ena, por brendia. Trajtat klasike janë lëvruar edhe prej poetësh të tjerë të së njëjtës periudhe, si Larkin e Brodski, por edhe të tanishëm.
Libri të cilit i jeni kthyer disa herë
Janë shumë. Veprat e Seferisit, Elitisit, Claudel-it, Zbigniew Herbert-it. Në prozë, romanet e Kafkës.
Libri i fundit
Leximi im i përditshëm është i librave që përkthej, punime që më lënë shumë pak kohë për libra të tjerë. Një përkthim nuk mund të bëhet me ngut e me lehtësi, kërkon të rishkruash disa herë të njëjtën fjali, të thellohesh, është një lexim më depërtues ky. Prandaj, përveç këtyre, lexoj kryesisht vëllime tekstesh të përmbledhura, mundësisht jo shumëfaqëshe. Më është bërë një vandak i tërë romanesh që duhet t’i lexoj, një listë e gjatë dhe stresuese si defter borxhesh të pashlyera, borxhe ndaj vetes. Por më duhet kohë edhe për t’u menduar e për të shtuar herë pas here diçka në krijimtarinë time, dy vargje, pesë rreshta, një shënim. Gjatë këtyre muajve, kam lexuar paralelisht librin më të ri me poezi të Krenar Zejnos dhe një përmbledhje esesh të zgjedhura të Mandelshtamit, si dhe kam filluar një përmbledhje tregimesh të zgjedhura të Sherwood Anderson-it.
/Gazeta Express