Përkitazi me filmin ‘Goodbye, Lenin!’ të regjisorit gjerman Wolfgang Becker
Dritan Dragusha
Christiane Kerner (luajtur nga aktorja Katrin Sass) ishte një komuniste e devotshme dhe një nënë e rreptë. Ajo është e përkushtuar që djali dhe vajza e saj të jenë pionierë të komunizmit. Mirëpo, kur sheh djalin e saj Alexin (luajtur nga Daniel Brühl) në një demonstratë antikomuniste, asaj i bie të fikët dhe përfundimisht bie në koma për afro tetë muaj. Kur Christiane zgjohet nga koma, mjekët i thonë Alexit se nga çdo ngjarje e ndjeshme ajo mund ta bëhet keq dhe mund të jetë rrezik për shëndetin e saj, dhe se familja duhet të bëjë shumë përpjekje që ajo mos të shqetësohet. Christiane kishte rënë në koma pak para rënies së Murit të Berlinit. Do të ndodh bashkimi i dy Gjermanive, kurse për nënën e Alexit duket se asgjë nuk kishte ndodhur. Tani e gjithë përpjekja e Alexit do të jetë që nënës së tij di duket njësoj si dikur, sikurse asgjë nuk ka ndodhur. Pra, regjisori Becker, me rënien e Christiane në koma e shpjegon rënien e një sistemi totalitar siç ishte Republika Demokratike e Gjermanisë (DDR). Gjendja e kësaj nëne dhe gjendja e Gjermanisë Lindore kanë një të përbashkët: ndryshimin rrënjësor të tyre, kishin jetuar gjatë në komë.
Derisa Christiane ishte në komë, kjo gjendje për Gjermaninë Lindore kishte përfunduar. Bie Muri i Berlinit, kjo perde e injorancës totalitare. Gjithçka po ndryshonte me shpejtësi të jashtëzakonshme, përveç gjendja e nënës së Alexit. Përmes këtij kombinimi satirik, regjisori Becker paraqet shtetin komunist dhe iluzionet e tij infantile në njërën anë dhe historinë e Alexit në anën tjetër. Pas daljes nga koma, për hirë të dashurisë që ka për të, Alexi do ta rikrijojë një botë iluzive sikurse komunizmi në miniature. Ai vendosë ta fshehë nga nëna e tij lajmin më të madh të shekullit të 20-të, rënien e Murit të Berlinit, bashkimin e dy Gjermanive, pra, rënien e komunizmit dhe triumfin e kapitalizmit. E mbyllur në dhomën e saj për shkak të gjendjes shëndetësore, Christiane nuk do ta kuptojë se gjithçka jashtë asaj dhome ku ajo rri e shtrirë kishte ndryshuar rrënjësisht dhe përgjithmonë. Ajo do të jetojë në mikrokozmosin e saj komunist të krijuar nga i biri i saj, i cili pavetëdijshëm ishte bërë një kryemanipulator. Që nënës t’i duket gjithçka si dikur, si: festat, ushqimet, orenditë e dhomës, lajmet në TV (Alexi porosit një mik të tij për ta furnizuar me video të raportimeve të vjetra të lajmeve, pra të kohës së komunizmit, të cilat i shikojnë së bashku me nënën, kinse ato transmetime jepen në kohë reale. Dashuria që ka për nënën, ai pandershmërisht ngjashëm sikurse vetë regjimi i vjetër, i obligon njerëzit e rrethit të që të sillen panatyrshëm vetëm e vetëm që të mos i përkeqësohet shëndeti nënës së tij. Pak a shumë, këtë metodologji e ndiqte edhe shteti totalitar komunist dikur. Sikurse diktatorët komunistë, edhe Alexi ishte bërë udhëheqës neurotik, manipulator, kontrollues dhe e gjithë kjo në emër të dashurisë. Eh, në emër të dashurisë njerëzit shkatërrojnë çdo gjë, madje edhe vrasin në emër të atdheut.
I gjithë ku kamuflim, e gjithë kjo shtirje që ndodh në atë dhomë, e përshkruan realitetin komunist që kishte sunduar dikur. Sikurse Aleksi që kishte krijuar një botë hiper-reale për nënën e tij, ashtu edhe komunizmi dikur përmes propagandës dhe manipulimit kishte krijuar një botë të tillë, hiper-reale. Me këtë regjisori Becker tregon se si Alexi rikrijon në mënyrë efektive një mini-shtet totalitar, e që është dhoma e gjumit të nënës së tij. Përmes këtij ilustrimi na rikujton se sa lehtë mund të biem pre e manipulimit dhe propagandës, sidomos në emër të një kauze kaq humane, dashurisë. Në emër të humanizmit, kanë ndodhur krimet më monstruoze përgjatë historisë.
Emrat e markave të urryera të kapitalizmit mbijnë sikur kërpudhat kudo nëpër rrugë. Vajza e Christiane, Ariane (luajtur nga Maria Simon) që dikur ndiqte një kurs që kishte të bënte me politikën, tani është punëtore e kompanisë Burger King. Çdo produkt i kapitalizmit përmban etiketën e Gjermanisë komuniste që tanimë nuk ekziston. Kur Christiane vëren aksidentalisht një pllakatë gjigante me mbishkrimin Coca-Cola, tmerrohet, mirëpo, aty është supermeni Alex, i cili ia sqaron asaj se në të vërtetë Coca-Cola është një shpikje e Gjermanisë Lindore, por që Perëndimi mashtrues ia kishte vjedhur patentën dhe se tanimë e kishin rikthyer. Madje, edhe rënien e Murit të Berlinit ai nënës së tij të ‘sëmurë’ ia interpreton sikur, për shkak të kapitalizmit të egër, eksploatues dhe jo human, njerëzit po ikin për në Gjermaninë Lindore për një jetë më të mirë. Dhe, po, e kemi të njohur këtë lloj propagande që komunizmi ushtronte, duke u’a paraqitur njerëzve një jetë aq të begatë, aq sa shumëkush edhe e besonte verbërisht (kemi rastin e shqiptarëve të Kosovës të cilët për vite rresht, deri në rënien e komunizmit, kishin besuar se Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës ishte parajsa e krijuar në tokë që nuk mund ta arrinin kursesi). Atëbotë popuj të tërë u manipuluan nga propaganda komuniste ku në emër të një bote më të mirë kishin përfunduar në shtypje dhe mizori të tmerrshme. Ajo që proklamohej si parajsë, u pa se nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një makinë vrastare massive, një ferr i vërtetë.
Pra, regjisori Wolfgang Becker nëpërmes ndryshimit të gjendjes së nënës së Alexit dhe të Gjermanisë Lindore na e paraqet pervertimin e njeriut, i cili në emër të dashurisë, të mbrojtjes, u’a vjedh të tjerët nga lirinë. Ballafaqimi i nënës së Alexit me kokën gjigante prej bronzit të Leninit, e cila tërhiqet nga një helikopter, është momenti i parë tmerrues. Gjithçka që dikur ajo kishte besuar dhe e kishte marrë për të mirëqenë, rrënohet në atë çast. Po ashtu, në atë çast rrënohet edhe bota të cilën i biri i saj ia kishte krijuar pasi ajo kishte dalë nga koma. Skizofrenia e komunizmit dhe skizofrenia e të birit në këtë rast ngjajnë në një pikë, në kontrollin e tjetrit. Filmi Goodbye, Lenin! është shpërfaqja e një ideologjie skizofrenike, e cila për të mbijetuar me çdo kusht, kishte zvetnuar njeriun deri në robotizim.