Mjeda, mjeshtri i melodisë - Gazeta Express
string(25) "mjeda-mjeshtri-i-melodise"

Mjeda, mjeshtri i melodisë

Arte

Gazeta Express

08/12/2022 15:48

Është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe; mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike të shqipes. Mbetet, mjeshtri më i madh i tingëllimit të gjuhës shqipe.

Ndre Mjeda u lind në Shkodër më 1886, në një familje të varfër, por të etur për shkollim. Që në moshë të re tregoi talent të rrallë për shkencë e për krijimtari. Kjo u ra në sy priftërinjve jezuitë, të cilët morën përsipër ta shkollonin, për ta bërë prift të rendit të tyre. Kjo i mundësoi të ndiqte studimet fetare në Francë, në Kroaci, në Spanjë, në Itali, në Poloni e vende të tjera. Atë kohë Ndre Mjeda filloi të shkruaj poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike, mjaft të famshme, “Vaji i bylbylit”, të cilën e botoi më 1887. Në këtë poemë ai shpreh mallin për vendin e tij. E kësaj periudhe është edhe vjersha “Vorri i Skanderbegut”, Që u prin shumë vjershave të tjera nga penda e tij, kushtuar temave kombëtare.

Lexo Edhe:

Veprat e albanologëve me famë botërore, si ishin Majeri e Pederseni, zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe gjuhën shqipe. Kjo shihet te marrja e tij me problemin e alfabetit, te tekstet shkollore që botoi dhe në studimet për autorët e vjetër.

Në Kolegjin Gregorian të Kralevicës punoi profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, u kthye në Shqipëri dhe ishte në kreun e hierarkisë kishtare në Sapë, Prizren, Shkodrë etj. Ndre Mjeda punoi disa vite mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Mori pjesë në veprimtarinë e Shoqërisë letrare “Bashkimi”, që ishte themeluar në Shkodër me mbështetjen Austro-Hungarisë. Më 1901, bashkë me të vëllanë, Lazrin,themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat, ndër to “Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë”, i cili përmbante tekste në prozë të shkruara nga Mjeda. Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, bashkë me At’ Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin e Mati Logorecin, si përfaqësues të Shkodrës dhe u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në 1916 – 1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare Shqipe. Në vitet 1920 – 1924 Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të revolucionit demokratiko-borgjez të Nolit, u tërhoq nga jeta politike dhe punoi prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Kolegjin Jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedës, që nisi pas Luftës I, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve.

Në krijimtarinë poetike të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë.

Ndre Mjeda dha ndihmesë edhe në fushën e gjuhësisë. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi .Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur veprat “Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe” (1934), “ Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe” (1902) etj. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932). Shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e Ungjillit të shek. XIV-XV (1933)./Hejza