Pas intervistës ekskluzive me Granit Xhakën një ditë para fillimit të Botërorit, sonte emisioni sportiv “Favorit” në T7 ka sjellur një tjetër intervistë ekskluzive. Kësaj here me Valon Behramin, i cili ka folur gjerë e gjatë për shumë tema në interes të publikut. Behrami foli për ndeshjen e së premtes të Zvicrës me Serbinë. Po ashtu, Behrami në këtë intervistë e komenton një deklaratë të tij që kishte bërë bujë të madhe rreth asaj se a kanë gabuar apo jo Shaqiri e Xhaka që kanë festuar me shqiponjë në ndeshjen e Botërorit të kaluar kundër Serbisë. Behrami tregon nëse ajo mënyrë e festimit ishte planifikuar nga futbollistët shqiptarë para ndeshjes apo ka ndodhur spontanisht në ndeshje. Intervista është realizuar sot, pikërisht në datën e veçantë për familjen Behrami, e cila i bën 32 vjet prejse kishte emigruar nga Kosova. Me këtë rast vjen edhe një rrëfim special nga vet Valon Behrami, i cili atëherë ishte rreth 5 vjeç. Po ashtu, Valon Behrami flet edhe për Kombëtaret e Kosovës e Shqipërisë dhe futbollin kosovar.
Intervistoi: Valon Konushevci
T7: Po e realizojmë këtë intervistë në një datë të veçantë për familjen tuaj. Sot sa e di unë, janë bërë 32 vite prej se familja juaj shkaku I rrethanave politike të asaj kohe është detyruar të largohet nga Kosova. Ti sigurisht atëherë ke qenë rreth pesë vjeçar. A mban mend diçka nga ajo kohë dhe cili është rrëfimi që ti e din, çoftë edhe që ta ka tregu babai yt?
Behrami: I vogël kam qenë atëherë. Veç po më bjen në mend disa gjëra. Po më bjen në mend kur jemi nis prej Kosovës nuk kemi ditë ku po shkojmë. Jemi kanë të vogël edhe baba e nana nuk na kanë tregu ku po shkojmë. Kur kemi mbërri në Zvicër, dy muaj kanë qenë shumë të vështira për neve se ka qenë krejt ndryshe. Ka ndryshu krejt jeta. Gjuha nuk ka qenë e njëjta. Buka na mungojke, na mungojke familja. Fillimi ka qenë kogja zor, po njeri adaptohet shumë shpejt. Pas 5-6 muajve ja kemi nisë me ni veten pak më mirë këtu në Zvicër. Jeta që e kam bo në Kosovë ka qenë jeta më e mirë që ka ekzistu, janë ndrru shumë sene, kam kuptu shumë sene, jemi adaptu me jetu në Zvicër. Jemi rrit, pastaj kanë ardh gjërat tjera, karriera ime që na ka ndihmu shumë. Kam pasë dëshirë me jetu gjithë në Kosovë. Momentet më të mira që I kam pasë në jetë kanë qenë në Kosovë. Kanë qenë ato vitet kur familja ka qenë krejt bashkë.
T7: Sigurisht edhe babai yt, familja jote e gjerë kanë vuajtur nga ajo histori. A të kanë përcjell gjatë gjithë karrierës në fushat e futbollit?
Behrami: Po. Familja ime gjithmonë më ka përcjell. As babi as mami nuk më kanë shty në futboll. Më kanë përkrah se kam pasë qef unë. Nëna ime e para herë që kam shku me lujt futboll, më tha mos shko me lujt futboll se po I zhyt krejt teshat e po duhet me la shumë. Ende I tregoj që herën e parë që kam shku me lujt më ka thanë kështu. Kurrë nuk më kanë thanë duhet me mbërri, ose me bo pare. Kanë qenë gjithë me mu, kanë ardh me më shiku. Më kanë ndihmu në çdo moment të karrierës.
T7: E keni pasë një karrierë të gjatë dhe të bujshme, një yll i futbollit evropian dhe më gjerë. Kudo që ke luajtur, kudo që ke shkuar, a e ke ndje veten gjithmonë shqiptar i Kosovës?
Behrami: E kam ndi gjithë veten shqiptar. Qysh kam lu, ka qenë prej gjak shqiptari. Zvicra njihet për disiplinë, për pak normalitet, të gjitha gjërat shumë të mira, por ne jemi pak më luftarak. Pa gjak shqiptari nuk kisha mbërri ku kam mbërri.
T7: Valon, pas shumë vitesh pranove të intervistohesh nga një medium Kosovar, nga Televizioni T7. Intervista kohëve të fundit nuk ke dhënë as për mediat e huaja. Në tri vjetët e fundit, intervistën e pare dhe të fundit e ke dhënë në shtator për Blick. Po ashtu, ti nuk i preferon as rrjetet sociale. Pse dëshiron të jesh larg vëmendjes së publikut?
Behrami: Unë s’kam fol nëpër media në Kosovë. Po, s’kam fol nëpër media as në Itali e as në Zvicër sepse më pëlqen kjo jetë. Më pëlqen me qëndru qetë, me qëndru jashtë këtyre gjërave. Se tash futbolli është bërë pak biznes shoë. Nuk më pëlqen me fol për veti, nuk më pëlqen me kanë nëpër gazeta. Sot jam pak ma i qetë, nuk e kam presionin që e kam pasë si lojtar.
T7: E përmendëm intervistën e fundit për gazetën e Zvicrës, Blick. Ajo intervistë e juaja ka bërë jeohonë në Kosovë. Ti ke folur për festën me shqiponjë të Xhakës dhe Shaqirit në ndeshjen me Serbinë në Botërorin e kaluar. Deklarata e juaj është interpretuar kështu: “Atë temë e urrej edhe sot. Është futboll, nuk është politikë. Ai gjest nuk kishte asgjë të bënte me fushën e futbollit. Nuk po e zhvillonim një luftë, por një ndeshje futbolli. Në Kosovë më akuzuan pse nuk e bëra shqiponjën. Lojtarët serbë janë shokët e mi, ata janë lindur pas luftës. Për këtë arsye në këtë Botëror në Katar duhet të luajnë thjeshtë futboll dhe çdo gjë tjetër të lihet anash”, ka thënë Behrami. A është përkthyer sakt kjo deklaratë ose çfarë ke dashur të thuash?
Behrami: Unë kur flas, flas për sport. Çka kam thënë është që ai gjesti për sport nuk është për sport. Nuk ka vend për ato gjeste në sport. Politika në futboll ka hyre kogja shumë. Po flasim më shumë për politikë sesa për sport, e tash është gjynah se sporti na lidh. Edhe mu m’ka ndihmu sporti kur kam ardh këtu në Zvicër. Kam thënë që nuk ka vend për ato gjëra në sport. Jasht sportit mund të bësh çfarë të duash. Në flasim për sport. Mua më pëlqen me fol për gjërat që I njoh. Në karrierën time kam lujt me shumë lojtarë të Serbisë. Kemi luftu bashkë, se është dashtë me fitu lojëra, me mbërri më lart me skuadrën time. Shokë me thanë është shumë, nuk është realitet, por e kam pasur mirë me ta. Nëse kisha dasht me bo shoë, unë kisha mujt me I thanë disa gjëra kundër Serbisë, e nesër krejt m’dojnë. Nuk jam kështu, nuk jam një karakter kështu. Çka kam thënë aty, ta tregova tash, shpresoj që e keni kuptu pak më mirë, por nuk është problemi im sepse e di çfarë kkam thënë.
T7: Valon, a ka qenë e planifikuar para ndeshjes me Serbinë ajo mënyrë e festimit nga Xhaka, Shaqiri dhe ti?
Behrami: Çka ka ndodh pas golit të Shaqirit, ato gjeste kanë qenë nga emocionet. Nuk e kanë përgatit. Nuk kemi fol, është momenti, 1,2 sekonda, janë emocione. Kur në stadium unë dëgjoj dikush që më thotë diçka keq, unë reagoj prej emocioneve. Kurrë s’kemi fol për festën. As Graniti, as Xherdani, as Blerimi, kurrë nuk kemi folë për këto gjëra. Mentaliteti jonë ka qenë po dojna me fitu lojën, por për këto gjëra kurrë nuk kemi fol. Aty ka qenë momenti, emocionet që kanë ndodh këto gjeste.
T7: Ti nuk ke festuar me shqiponjë, por e ke një shqiponjë tatuazh në këmbën tënde të djathtë
Behrami: E kam bërë kur jam kanë pak më I ri. Me të thënë të drejtën sot I kisha hjek krejt tatuazhet. Kisha pasë qef pa tatuazhe.
T7: Të premten Zvicra me Xhakën, Shaqirin e Jasharin do të ndeshet sërish me Serbinë. Cfarë pret nga kjo ndeshje?
Behrami: E dyta herë që po ndodh me lujt ndeshjen vendimtare për kualifikim me Serbinë. Është speciale. Me siguri Zvicra ka shumë emocione që dëshiron t’I shlirojë kundër Zvicrës sepse para katër viteve kanë humb me neve. Zvicra është si gjithë, defanzivë, skuadër shumë e mirë. Shpresojmë që kthehet me lujt Xherdani, se nuk ka qenë mirë kundër Brazilit. Në sulm I kemi disa probleme. Do të jetë shumë lojë e fortë. Shumë nervozë do të jetë. Zvicra duhet me mbajt mentalitetin që e ka pasë gjithmonë. Skuadër që mendon me lujt e jo me hy në provokime. Serbia me siguri ka me qenë më provokativ kundër Zvicrës.
T7: Ke raporte të shkëlqyera me Xhakën dhe Shaqirin. Keni luajtur shumë vite bashkë. Gjatë këtyre ditëve sa ata janë në Botëror, a ju mungojnë kontaktet?
Behrami: Nuk më pëlqen me i thirrë as me i shkru. Njëjtë për mu kur kam qenë lojtar. Graniti është kapiteni I Zvicrës, është lideri I skuadrës. Ai duhet me kanë shumë I qetë sepse kanë me e provoku shumë atë dhe Xherdanin.
T7: Pas gjithë atyre paraqitjeve të shumta në Botërore. Është Botërori i parë që Zvicra e luan pa Valon Behramin. Ty personalisht a po të mungon Botërori?
Behrami: Me lu në Botëror është emocioni ma I madh si lojtar I futbollit, por unë tash jam shumë mirë te shtëpia, më pëlqen me kqyr prej shtëpisë. Jam vjetëruar, normal që më mungon, por më pëlqen jeta që e kam tash.
T7: Pasi je pensionuar nga futbolli, me çfarë po mirresh më konkretisht dhe a planifikon të ndjekësh ndonjë shkollim për trajner?
Behrami: Po punoj për televizionin e Italisë, po përcjelli Serie A. për trajner nuk është gjëja që më intereson tash. Çka po më intereson më shumë është me u bo menaxher i lojtarëve. Kisha pasë qef edhe me ardh në Kosovë, me kqyr a ka ndonjë lojtar interesant, të mirë. Veç sa jam hy në agjenci me një tjetër menaxher. Ka me ja nis me marrë informata dhe me qenë në Kosovë, me I kqyr disa lojë. Për këto gjëra kisha pasë qejf me e ndihmu Kosovën. Me dhënë diçka edhe unë si kosovar tokës time. Me mujt me ia bo një karrierë një lojtari kosovar siç e kam pas unë, me ia ndërru jetën kishte me qenë gjëja më e mirë për mua.
T7: A po ke kohë me e përcjell kombëtaren e Kosovës dhe kombëtaren e Shqipërisë? Sa është larg Kosova dhe Shqipëria kualifikimit në një Botëror?
Behrami: I përcjelli të gjitha ndeshjet. Shumicën e kqyri Kosovën. Është skuadër që është në drejtim të mirë. Mundemi diçka me bo me investime të mira. Investimi më të mëdha që munden me I bo është me të rinjtë. Investimet duhet të jenë më të fuqishme. Strukturat duhet me i ndrru me sigui. Kemi nevojë për struktura se ato e bëjnë diferencën. Kemi ende punë sepse lojtarët kanë talent, por nevojiten struktura më të mira, sepse me struktura ti mundesh me arrit në një Kampionat Evropian apo Kampionat Botëror. Mund të ndodh që edhe tash na shkon mirë e mbërrijmë në Evropë e Kampionat Botëror, por problem është që duhet me mendu në 10 vite çfarë ndodh, kështu që duhet me u përgatit për këtë dhe investimi në të rinj janë gjërat më të rëndësishme tani për tani.
/Gazeta Express/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...