Mbrëmjen e të hënës, më 28 nëntor, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u sha shfaqja ‘Club Albania’, me regji të Fatos Berishës, sipas tekstit të komedisë së Çajupit, “Pas vdekjes”, të përshtatur nga Shpëtim Selmani. Shfaqja shënonte ndërkohë edhe rikthimin, pas pesëmbëdhjetë vjetësh, të aktorit Armond Morina, si dhe ishte shfaqja e parë e Teatrit Kombëtar në një skenë tjetër, meqë ndërtesa e TKK-së është duke u rinovuar
Nga Donjeta Abazi
Pos që Armond Morina u kthye në skenën e Teatrit Kombëtar pas 15 vitesh, edhe publiku u kthye, por në një sallë tjetër, në atë të amfiteatrit të Pallatit të Rinisë. Ani pse pas një pritje të gjatë e me një objekt të Teatrit në renovim, publiku e mbushi plot sallën.
Të zbrazëta ishin veç pak vende të rezervuara, ato që u ishin rezervuar përfaqësuesve të institucioneve kulturore të vendit, të cilët megjithatë kishin zgjedhur të ishin diku tjetër këtë natë. U satirizuan edhe ata, njëjtë siç u satirizua teatri në Kosovë, dramaturgët e regjisorët.
Krah flamurit kombëtar ishte teatri
Një rrëfim i cili u përpëlit mes dramës së A.Z Cajupit, mes realitetit kulturor kosovar dhe mes nacionalizmave aty-këtu u shndërrua ngadalë në shfaqje brenda shfaqjes. Ama jo veç një herë, po disa herë rresht. Shfaqja futi në skenë një aktor nga publiku, rrëfeu ngjitjen në skenë të Armond Morinës, lojën e Armend Smajlit, i cili ishte regjisori me prindër shqiptarë që jeton jashtë vendit, por që kishte një dëshirë të ethshme ta gërshetonte teatrin tradicional dhe mentalitetin shqiptar me bashkëkohoren, me modernen. Gjë që jo që nuk mund të arrihej dhe ishte shumë larg, por madje ajo përpjekje u kthye në qesharake.
Tendenca për dyzim të komedisë së Çajupit me komedinë reale të vendit, nuk është që shkoi më së miri, sepse më gjasë ishte paksa e koklavitur. Tekstet nga drama u lexuan kohë pas kohe e krejt reale dhe më e fuqishme ishte pjesa tjetër, ajo kur aktorët përbuzen, ajo kur nga ideja për të eksperimentuar më shumë se sa që kanë mundësi dështojnë keq regjisorët, pjesa kur vlerësimi i teatrit e kritika e tij ka rënë në fund të pusit, pjesa kur në teatër nuk ka veç aktorë. Teuta Krasniqi në rolin e një dive të teatrit dhe Ard Islami me rolin e një aktori patriot, i cili ka kohë të gjatë që teatrin e sheh si pagë, se dëshirat e tjera ia kanë mbytur me kohë, tregojnë qartë së në teatër nuk ka veç aktor.
Shkrimi i pas 15 vitesh
Armond Morina hyri në skenë me një duartrokitje të gjatë, publiku e deshi mënyrën e ardhjes së tij, e mirëpriti artin teatror të tij. E komedia që fliste për atë së çka do të thonë njerëzit pas vdekjeve tona, si do të na shohin, çka do t’u lëmë pas, u mishërua shumë mirë me ngjitjen e aktorit në skenë. Madje kur flasim për satirën e për komedinë që u përçua mes fjalëve e veprimeve, asnjëri prej aktorëve nuk mbeti diçka pa thënë.
Të gjithë patën çka t’i thonë publikut, të gjithë patën çka t’u thonë institucioneve të vendit, artit që po degradon pa fund, frustrimit të brendshëm, por të gjithë e veçmas Armond Morina arriti t’i thotë publikut që dërrasat e teatrit janë gjithçka për një aktor. Pati një moment tjetër, i cili kuptohet si shfaqje brenda shfaqjes brenda shfaqjes. Armond Morina në rolin e tij kishte për detyrë t’i jepte burime dramaturges së re, e cila nuk po kuptonte çka po ndodhte, e mënyra se si i jepte kurajë e inspirim asaj na bëri të kuptojmë shumë gjëra të tjera anash satirës.
Një palaço, disa palaço, shumë palaço
Ishte e dhimbshme deri në çfarë pike aktorët e skenës e kishin ngulitur në vete se sa palaço ishin bërë kur para publikut, nuk po sillnin kurrgjë tjetër pos mënyrës për të na bërë të qeshim. Aktorët e teatrit mjerisht ishin kthyer në zbavitës për ne. Shumëkuptimësia e shfaqjes ‘Club Albania’ bëri që drama “Pas vdekjes” të tingëllojë aktuale, e ditëve tona. Ama pika tjetër kur të gjithë aktorët kërkojnë nga dramaturgia që të bëhen të paharrueshëm, të pavdekshëm, të çmueshëm, preku ndryshe. I thanë ndryshe gjërat, po mundoheshin të thonë së kjo nuk është e gjitha, ani pse në teatër kanë dhënë më shumë së që kanë marrë, egoja lufton me të madhërishmen dhe bëhet një me personin, me personin jo si aktor por si individ.
“Club Albania” do të mbahet gjatë mend, për shumë arsye, për rikthimin e Armond Morinës, për publikun që priti gjatë për një premierë të Teatrit Kombëtar, për faktin se objekti i TKK po rinovohet për herë të parë në historinë e tij dhe krejt në fund që në Ditën e Flamurit më të drejtë u shanë njerëzit e gjërat që duhet shahen.
Ama një tjetër arsye pse kjo shfaqje për nga rëndësia e ka një vend të veçantë është fakti që skena mblodhi aktorët rezidentë të këtij teatri dhe e përçoi si vals atë që nuk përçohet në forma të tjera, pa pengesë, me nostalgji e dashuri për teatrin.
Në regji të Fatos Berishes me aktorët: Armond Morina, Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumovic, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi
Dramaturg: Shpetim Selmani
Kompozitore: Rona Castrioti Berisha
Skenograf: Bekim Korça
Kostumografe: YIlka Brada
Koreograf: Robert Nuha
Asistente regjie: Yllka Lota
Inspicient: Bajram Mehmeti
Mjeshtër Ndriqimi: Mursel Bekteshi & Sherif Sahiti
Realizator skenografie: Ardit Rexhepi
Realizator kostumografie: Shemsi Avdiu
Udhëheqës teknik: Aziz Maloku
/Gazeta Express