string(57) "pse-lidhet-procesi-i-vizave-per-kosoven-me-sistemin-etias"

Lajme

Gazeta Express

30/11/2022 10:20

Pse lidhet procesi i vizave për Kosovën me sistemin ETIAS?

Lajme

Gazeta Express

30/11/2022 10:20

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.

Sipas dokumentit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Çfarë është sistemi ETIAS?

ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen.

Në një farë mënyre, ai i ngjan Sistemit Elektronik të SHBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sipas disa njoftimeve të pakonfirmuara nga BE thuhet se do të hyjë në fuqi më 2023.

Përmes këtij sistemi bëhet kontroll i detajuar sigurie i secili aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen në ndonjë vend të Zonës Schengen, shkruan Schnengenvisa.

Ndërkohë ETIAS nuk vlen për ata qytetarë që s’kanë qëllime udhëtimi në Schengen deri në 90 ditë.

Esenca e këtij sistemi është që njerëzit të mos përbëjnë kërcënim sigurie për shtetet ku shkojnë. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengenit.

Siç shkruan Schengenvisa  aplikimi për ETIAS do të kushtojë 7 euro, derisa kjo vlen vetëm për të rriturit mbi moshën 18 vjeçare. Ata që janë nën këtë moshë janë të liruar nga pagesa.

Procesi i aplikimit mund të marrë kohë deri në 10 minuta me pyetjet bazike që ndërlidhen me të dhënat personale, derisa procesi deri në marrjen e lejes mund të zgjas deri në 1 muaj.

Ideja për këtë sistem buron qysh në vitin 2016, kur ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte thënë se “Evropa duhet të di se kush po kalon nëpër kufijtë e saj”.