Intervistë / Armond Morina: Skena teatrore është baza e çdo aktori - Gazeta Express
string(63) "interviste-armond-morina-skena-teatrore-eshte-baza-e-cdo-aktori"

Arte

Donjeta Abazi

29/11/2022 18:08

Intervistë / Armond Morina: Skena teatrore është baza e çdo aktori

Arte

Donjeta Abazi

29/11/2022 18:08

Intervistë me aktorin Armond Morina, me rastin e rikthimit të tij në skenën teatrore – pas një mungese prej pesëmbëdhjetë vjetësh – me shfaqjen “Club Albania”, me regji të Fatos Berishës

Intervistoi: Donjeta Abazi

Armond Morina lindi në Gjakovë më 22 dhjetor 1973. Është një ndër aktoret më të njohur në Kosovë, luajti në serialin ‘Familja Moderne’. Ai është i diplomuar në klasën e Faruk Begollit dhe bënë pjesë në gjeneratën e të diplomuarve në Teatër në vitet 90’.

Armond Morina ishte pjesë e filmave të kinematografisë kosovare. Luajti në filmat ‘Kukimi, ‘Shok’ “Cirku fluturues” etj. Shfaqja e tij e parë si aktor teatri është “Kur kishe mujt me m’pa qysh m’kishe pa”.

Morina u kthye në Teatër pas 15 vitesh në shfaqjen “Club Albania”, bazuar në tekstin “Pas vdekjes” të A.Z Çajupit.

Gazeta Express: Z.Morina, kemi kënaqësinë t’ju intervistojmë për disa arsye. Njëra nga to është rikthimi në skenën teatrore pas një mungese të gjatë. Pra, fillimisht, çfarë ndodhi që u shkëputet nga skena teatrore për një kohë kaq të gjatë?

Armond Morina: Shkëputja ka ndodhur në mënyrë spontane, pasi që edhe ndërruan rrethanat. Të mos harrojmë, para luftës, në kohën e okupimit, ishte veç Dodona që frymonte shqip, çdo institucion ishte i mbyllur dhe normalisht secili artist, të gjithë njerëzit kreativë, shkrimtarët e kompozitoret mblidheshin rreth atij teatri. Edhe pas luftës ne u kthyem në Teatrin e madh, filluam, ama filluan të zhvillohen edhe mediumet e tjera siç ishin kinemaja e televizioni, mandej angazhimet e tepërta ishin ndër shkaqet e shkëputjes. Siç e dini kam qenë i angazhuar në TV për dhjetë vite, ani pse ka qenë eksperiencë shumë e mirë. Puna në Televizion ka koston e saj, sepse kërkon shumë energji. Së fundmi ishte edhe industria e filmit që ndikoi. Aktori duhet të përcaktohet në cilat mediume zgjedh të jetë, sa paraqitet, etj.

GE: A mund të na e sillni një histori të shkurtër të ngritjes në skenë?

Morina: Sistemi i profesorit Begolli që në akademi, që nga viti i dytë, ishte i tillë që të nxjerrim artistët në skenë në mënyrë që ata ta ndjejnë publikun ta ushtrojnë profesionin e tyre. Profesori Begolli e kishte një formulë, një thënie që e përdorte “Tash është koha me i gjujt në zjarr”, do të thotë ta hedhësh para publikut punën e studentëve. Edhe ne kemi filluar në vitin 1991-1992 me gjeneratën time te parë ka qenë shfaqja “Kur kishe mujt me m’pa qysh m’kishe pa”, e cila u prit më shumë entuziazëm e më shumë repriza, qysh e ceka edhe më lart nuk kishte mediume të tjera dhe ne luanim shfaqjen si ne kinema, në orën 17:00, pastaj edhe në orën 20:00. Të mos harrojmë që gjenerata e parë, e dytë dhe e tretë vetëm e kishin shtruar terrenin, kishin dhënë aq shumë shfaqje dhe e kishin promovuar ‘Dodonen” dhe tash Dodona ishte e njohur në të gjithë vendin tonë të okupuar në atë kohë. Kur erdhëm ne në njëfarë forme veç e kishin trasuar rrugën tonë, e përjetuam të qenit të popullarizuar, u bëmë të njohur.

GE: Atëherë, çfarë ju bindi tash të ktheni në skenë?

Morina: Çdo aktor sado që mund t’i provojë mediumet e tjera televizionin e kinemanë prapëseprapë ajo baza, mjeshtëria e profesionit tregohet në skenë. Është fakt që teatri i Kosovës, teatri gjithandej ka qenë me kushte jo të volitshme të punës dhe jam shumë i gëzuar që po rinovohet dhe me këtë hapësirën opsionale po ma ngjall atë nostalgjinë e Dodonës. Është bërë një hapësirë shumë e bukur dhe dhëntë zoti të kthehemi sa më parë mos të mbetemi si në Tiranë që pothuaj mbeten pa shtëpi, pa Teatrin Kombëtar, të kthehemi sa më shpejt. Ne do të punojmë në këtë skenë alternative që në të ardhmen shpresoj t’u mbetet talenteve të rinj ta shfrytëzojnë meqë po dëshirojmë që t’i promovojmë talentet e reja, t’u ofrojmë kushte dhe njerëzve tjerë kreativ dhe kjo është mundësi shumë e mirë. Ne besojmë së do të kthehemi në shtëpinë tonë (Teatrin Kombëtar) e kjo do të mbetet një shtëpi e hapur, sepse Teatri e ka një të mirë si historia e Dodonës, puna artistike mund të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme madje edhe për krejt qytetin. Dodona ka filluar në një objekt të rrënuar e sot krejt lagjja e mban emrin e saj madje e gjithë gjenerata e viteve të 90-ta janë nostalgjik, sepse gulmin e parë artistik e kanë mësuar e jetësuar pikërisht aty.

GE: Teatri për ju, dashuri, profesion, punë apo prirje? Si e kujtoni ju herën e pare kur jeni ngjit në teatër, punën e parë si aktor teatri?

Morina: Teatri në fillim ka qenë dashuri në mënyrë aksidentale, kur kam ardhur ta studioj aktrimin, pastaj është shndërruar në profesion (duke e pasur parasysh që në një periudhë 10 vjeçare kam qenë asistent i profesorit Begolli), kjo më ka ndihmuar ta shtjelloj edhe më shumë mënyrën e interpretimit dhe ai pasion është shndërruar në profesion. Dhe çka është e rëndësishme të thuhet është që gjatë një periudhe të jetës ti fillon ta shohësh rëndësinë që e ka impakti në shoqëri dhe fillon të jesh më këmbëngulës në kushte më ideale të punës. Është fakt që jemi vonuar, folëm për objektin e TKK që është duke u rinovuar ose ai i Tiranës dhe nëse i shikojmë hapësirat teatrore sot për sot veç Teatri i Shkupit ka arritur të ketë kushte më të volitshme, përderisa ne si shoqëri e kemi lënë anash teatrin, ushqimin shpirtëror, sepse në këtë tranzicion të egër për të gjithë pothuajse, ajo që ka rendësi është materialja dhe kemi harruar se sa e rëndësishme është për individin ushqimi shpirtëror. Prandaj duhet më shumë punë rreth asaj që ta kthejmë fokusin më shumë tek teatri, qoftë tek teatri i fëmijëve ose ai i të rriturve. Më në fund u bënë ansamblet (ani pse të pakonsoliduara ende). Ne duhet gjithë kohen të lobojmë t’i kemi teatrot e dinjiteteshme sepse edhe ne kur përformojmë jashtë shtetit e shohim rëndësinë që i japim teatrit, kushteve të dinjitetshme te punës sepse ato mandej kanë impakt shumë të madh për ansamblin që është bazë për këtë ushqimin shpirtëror që shoqëria jonë e ka harruar e kjo ka rëndësi njëjtë sa ajo materiale.

GE: Nga këndvështrimi juaj, duke marrë parasysh faktin që e njihni punën e teatrit, a kemi regjisorë, dramaturgë e aktorë të denjë në vendin tonë dhe sa dallon teatri dikur në Kosovë me teatrin sot?

Morina: Secila periudhë ka ndryshimet e veta drastike, folëm për periudhën e para luftës e përmendem periudhën e pasluftës ai entuziazmi kur ne u hapem si shoqëri binim edhe regjisor nga jashtë gjë që është shumë e rëndësishme sepse të mos harrojmë se edhe ky izolim yni sot, edhe pamundësia lëvizjes së lirë do të ndikojë shumë, sidomos për Teatrin, sepse artisti pa i parë trupat e tjera (edhe ne e patëm një tentativë të kemi një festival të Teatrit që është shumë i kushtueshëm për ta bërë një festival, po shumë i rëndësishëm) nuk është i informuar nëse po e bën punën si duhet. Kjo situatë ndikon edhe tek aktorët jo veç tek publiku, i cili njihet me kultura artistike tjera, me rëndësi është për aktorët të cilët lëvizin për të luajtur shfaqje e për të përformuar. Ardhja e shfaqjeve, shkuarja jonë jashtë ka rëndësi tejet të madhe është një lloj komunikimi i teatrove.

Ne veç jemi ne disa rrjete po fillojnë disa bashkëpunime për këtë po them që periudhat kanë ndryshuar. Gjenerata e re, ata që vijnë në këtë profesion e kanë pasionin janë fantastikë kanë tepër dashuri për këtë punë por krejt çka mbetet është t’ia krijojmë mundësinë që të ngjiten në skenë dhe të përformojnë sa më shumë sepse ne po e shohim impaktin në aspektin kulturor të të rinjve, jemi vendi me më së shumti rini e mënyra së si ata po na përfaqësojnë jashtë është shumë dinjitoze, p.sh në kinematografi. Ajo që me brengos është liria e lëvizjes që është vonuar pak dhe njëjtë ta krijon ndjesinë e kohës së okupimit kur pret që të tjerët të vijnë e të komunikojnë me ty. Komunikimi me botën e jashtme është me rendësi, sepse të shtyn të mendosh a jemi në të njëjtin binar sa i përket profesionit.

GE: Përvoja e juaj me filmin. ‘Kukumi’ dhe ‘Shok’. Filmi a teatri?

Morina: Kur e përmend angazhimin në Televizion (tek “Familja moderne”) duhet ta përmend Agim Zatriqin, i cili me të vërtetë ka bërë që ky lloj mediumi të ngrihet në një nivel tjetër; publiku ynë ka qenë gjithmonë i lidhur me serialin, duke filluar nga koha e vjetër. Zatriqi me vizionin e tij kur e filloi dhe Fatos Berisha që na mblodhi ne aktorëve ishte sfidë e re, sepse ne ishim të kalitur për teatër. Mirëpo, përvoja në televizion na krijoj konfidencën me kamera. Kur filluam me filmin ishte filmi i parë ndjenjë e lezetshme me qenë në set, pastaj me filmat e tjerë deri tek filmi ‘Shok’ që na i hapi dyert jashtë Kosovës gjë që ishte shumë me rëndësi sepse pos publikut ton ne po komunikonim edhe me audiencat tjera dhe aty e kupton që rruga qe e ke zgjedhur po jep fryt e rezultatin e dëshiruar. Me të vërtet kjo shkollë, kjo situatë aq e çuditshme gjatë okupimit ka sjellë një grup të mirë të krijuesve të cilët duke punuar edhe në kinematografi arritën të komunikojnë edhe me tjerët. Ne jemi të njëjtë në kreativitet me të tjerët krejt çka na mungon janë kushtet. E krejt çka na mbetet pastaj është të vazhdojmë të punojmë.

GE: Projektet për të ardhmen, a do ta shohim Armond Morinen edhe në shfaqje të tjera teatrore?

Morina: Unë gjatë gjithë karrierës kam punuar me njëfarë ndjesie të tillë që çdo projekt që më është ofruar ta shoh nga aspekti personal që e kam ndaj temës, ndaj asaj që trajtohet. Ne vetë e menaxhojmë karrierën, nuk e përcjell askush për ne, unë personalisht e shoh si anë pozitive. Në fund të fundit si artist me ndjesitë e tua ti komunikon me rrethin deri diku mund ta shprehesh atë që e ndjen. Jam i hapur për çdo medium. Edhe si studentë në kohën e profesorit Begolli e përmendnim që aktori modern është i përgatitur për të gjitha mediumet. Faktikisht ai është një atlet në kohen e sotme që mund ta shohim në të gjitha mediumet televizion, kinema, teatër, etj.

Tash për tash gjatë këtij viti do ta kem këtë shfaqje, në janar e kemi një film që e kemi punuar gjatë gjithë verës dhe do të shfaqet në të gjitha kinematë e Kosovës, kështu që po fillojmë pas pandemisë me e rimarr vetën dhe të shohim për të ardhmen.

/Gazeta Express