Në kulmin e telasheve me dialog dhe inflacion Kurti godet gjyqtarët e prokurorët - Gazeta Express
string(80) "ne-kulmin-e-telasheve-me-dialog-dhe-inflacion-kurti-godet-gjyqtaret-e-prokuroret"

Në kulmin e telasheve me dialog dhe inflacion Kurti godet gjyqtarët e prokurorët

Lajme

Gazeta Express

23/11/2022 14:56

Kryeministri Albin Kurti ditëve të fundit është përballur me temën e nxehtë dialogut me Serbinë në Bruksel, e cila e ka dominuar debatin publik në vend. Ai të mërkurën vendosi që t’i kthejë reflektorët dikah tjetër. Mori vendim që t’ua ulë pagat gjyqtarëve e prokurorëve, duke nxitur reagime të shumta se në këtë mënyrë është duke e shkatërruar sistemin e drejtësisë.

I zhytyr në telashet me dialogun e Brukselit, Kurti “befasoi” të mërkurën duke ua përgjysmuar pagat prokurorëve dhe gjykatësve. Në këtë mënyrë Qeveria  Kurti në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e vitit 2017 të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Lexo Edhe:

Njohësit e drejtësisë, vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve po e shohin si të kundërligjshëm dhe si diçka që mund t’i hapë mundësi korrupsionit në sistemin e drejtësisë. 

“Për të sjellë ligjshmërinë, plotësuam dhe ndryshuam vendimin e datës 12 shkurt 2020, me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës të hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, tha kryeministri Kurti pas konferencës, transmeton Gazeta Express.

Ky vendim nxiti reagimin Ramush Haradinajt.

Sipas kreut të AAK’së, Kurti e ka për qëllim shkatërrimin e shtetit, teksa i bën thirrje që t’ua kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe “mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami pyeti se pse pikërisht sot u mor ky vendim.

“Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Kryeministri po harron se këto kushte janë përmbushë nga 30 qeshori 2020, kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Pyetja është pse pikërisht tani ky vendim?!Pyetja është pse pikërisht tani ky vendim?!”, u shpreh ajo.

Në reagimin e saj të dytë deputetja Hykmete Bajrami, ka thënë se ulja e pagave u bë në kohë të inflacionit si dhe përmendi se nga sot prokurori i rastit “Brezovica”, do të paguhet rreth 1 mijë euro më pak.

Për rastin “Brezovica”, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu thoshte se hetimet që po zhvillohen në kuadër të këtij rasti janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se vendimi i qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është i kundërligjshëm dhe sipas tij, njerëzit që e këshillojnë kryeministrin për drejtësinë nuk ia dojnë të mirën.

Edhe gazetari Betim Musliu, vlerëson se vendimi i Qeverisë Kurti që ua kthen pagat sistemit të drejtësisë sikur kur i kishin pa rritje, është skandaloz dhe e shkatërron sistemin e drejtësisë.

Ai shprehet se kthimi i pagave në sistemin e drejtësisë siç ishin para rritjes, “është vendim që legalizon korrupsionin në sisitemin e drejtësisë”.

Analisti Agon Maliqi uljen e pagave dhe çështjet e tjera i sheh sikur kryeministri me qëllim “me i shkaktu vetes jostabilitet politik dhe me e provoku opozitën në zgjedhje të parakohshme”.

Gazetari Lavdim Hamidi, ka deklaruar se sot pagat në sistemin e drejtëisë u ulën 40%, dhe këtë ulje e sheh si mundësi që edhe kjo shtresë e shoqërisë të ikë në Gjermani.

Hiç më vonë sesa në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, nga pesë persona, kryeministri Albin Kurti kishe dhënë rafal kritika për prokurorët dhe gjykatësit.

Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?, kishte shkruar ai.

“Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç”, shprehej Kurti, rreth tre muaj më parë.

Ramush Haradinaj në vitin 2017 ia kishte rritur pagën vetës dhe kabinetit, vendim ky që ua mundësoi rritjen e pagës edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve. Në Qeverinë Kurti 1 ishte marrë vendim që të ulej paga e kryeministrit, por me këtë vendim nuk janë ulur pagat në sistemin e drejtësisë deri më sot.

Gazeta Express ka tentuar të marrë një reagim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial i Kosovës, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

Më pas Këshilli Gjyqësor i Kosovës thirri mbledhje të jashtëzakonshme për sot në orën 16:00.