string(27) "poezia-e-javes-hajne-helena"

Arte

Gazeta Express

18/11/2022 16:37

Poezia e javës / Hajne: Helena

Arte

Gazeta Express

18/11/2022 16:37

“Libri i këngëve” (1827) i solli Hajnes lavdinë e palëkundur; përbën sfondin e krijimtarisë së tij letrare për dashurinë. Ndër 237 poezitë e kësaj përmbledhjeje, 140 i kushtohen vetëm temës së dashurisë

Hajnrih Hajne (1797-1856) vlerësohet botërisht si një ndër poetët më të rëndësishëm gjermanë. Veprat e tij poetike janë përkthyer në gjuhët e tërë popujve të kulturuar e në dialekte të shumta të këtyre gjuhëve. Figurat e fantazisë së tij, para së gjithash Lorelaja – një legjendë që vërtet nuk e ka zbuluar ai, por që e ka bërë të famshme – njihen në të gjitha kontinentet. Hajnrih Hajne i ka kënduar vuajtjes nga dashuria si dukuri universale dhe kritika e tij ndaj shfrytëzimit, mendjengushtësisë dhe intolerancës është tejet aktuale edhe sot e kësaj dite.

Hajnrih Hajne ka qenë një lirik i madh i dashurisë. “Libri i këngëve” (1827), ajo përmbledhje e vëllimshme poezish e cila krijoi bazën e lavdisë së tij të palëkundur, përbën, si asnjë temë tjetër, sfondin e krijimtarisë së tij letrare për dashurinë. Ndër 237 poezitë e kësaj përmbledhjeje, 140 i kushtohen vetëm temës së dashurisë. “Libri i këngëve” e bëri Hajnen, krahas Gëtes dhe Hëlderlinit, poet të shquar gjerman. Ky libër përmban vargje aq të afërta me ndjeshmërinë popullore, saqë janë të panumërta rastet kur ato janë vënë në muzikë prej kompozitorësh të njohur, janë futur në të gjitha antologjitë dhe, sikurse poezia “Lorelaja”, janë recituar e kënduar nga të gjithë. E ushqyer nga kujtimi i baladave të lashta, nga dashuritë e pafat, nga kundërmimet e netëve në Harc e nga valët e Detit të Veriut, kjo përmbledhje poezish është vetëm në dukje si shprehje e fundit e romantizmit. Bota së cilës i bëhet jehonë aty përshkohet tejendanë nga pikëllime të thella. Zgjime mizore ndërpresin ëndrrat. Këngët e dashurisë veniten, duke ua lënë vendin utopive të reja. Fantazia nostalgjike duket sikur po shteron, thua se po lë të dëgjohen pas pak zhurmat e fabrikave, të luftërave e të turmave.

HELENA

Më je betuar deri në varr,
Me magjinë tënde më ke folur
Se do më duash tërë zjarr,
Po prapë mbetem i pangopur.
Gojën, te fytyra ime e vere,
Fryma jonë s’ka të sosur
Shpirtin tënd, do ta pi krejt,
Të vdekshmit janë të pangopur. (perkthimi” P. Kolevica)

***

I vdekshmi ngopet veç nga e panjohura

Nga Donjeta Abazi

Nja 7-8 rreshta të Hajnes na i përçojnë nja 7-8 miliardë mendimesh për një pasion romance ndryshe të poetit. Një klasik i dashurisë dhe i poezisë, Hajne na rrëfen ëmbël për një dashuri të pastër e të thellë në shikim të dytë.

Betimi i vajzës edhe afshi e zjarri për marrësin e dashurisë nuk mjaftojnë sepse gjërat e tilla që nuk vdesin, janë të pangopshme për të vdekshmin.

E interesantja e poezisë me pak vargje është se fillon me vrull, vazhdon me të njëjtin tempo dhe përfundon njëjtë.

Pos kërkesës se poetit për dashuri, ne mes jepet edhe një deklaratë sigurie, tek e cila ai ndjehet i sigurte dhe qëllimshëm tingëllon ashtu.

E bukura takon letërsinë, të dyja bashkë krijojnë një narrativë pasiononte e krejt në fund idilikja e një pikture të ndjeshmërisë arrin kulmin.

Vargu i fundit është sa i komplikuar aq i thjeshtë, poeti marshon drejt fundit si fitues, si bartës i dashurisë ani pse kërkesa për me shumë nuk është ndalur as atëherë. Për poetin nuk ka mjafteushëm, për të vdekshmin nuk ka mjaftueshëm, për njeriun si qenie sa më shumë që merr aq më shumë kërkon. E krejt në fund arrijmë në përfundim se as dashuria e pasioni që merr poeti nuk mjaftojnë. I vdekshmi ngopet veç nga e panjohura.

/Gazeta Express