Epistula e javës / Antonin Artaud për Gaston Ferdière-n - Gazeta Express
string(53) "epistula-e-javes-antonin-artaud-per-gaston-ferdiere-n"

Arte

Gazeta Express

18/11/2022 16:29

Epistula e javës / Antonin Artaud për Gaston Ferdière-n

Arte

Gazeta Express

18/11/2022 16:29

Më 1936, teksa po kthehej nga Irlanda, Antonin Artaud arrestohet. I vihet këmisha e forcës dhe kthehet në Francës. Internohet në klinika të ndryshme, ku përjeton urinë, ankthin dhe rreth pesëdhjetë rënie në koma nga elektroshokët përgjatë nëntë vjetëve. Më 1943 ishte transferuar në Rodez, te dr. Ferdière, eksperimentues i “artit terapi”, por edhe mbështetës i nevojës së terapisë elektrokonvulsive. 

DOKTORIT GASTON FERDIÈRE

Rodez, 12 shkurt 1943

Inemi tenter monientan

Inemon ton tarinan

I dashur doktor dhe mik,

në ofertën tuaj për të më mirëpritur dhe për t’u marrë drejtpërdrejt me mua ka shumë më shumë se një dëshirë për ta vënë drejtësinë në vend ndaj një shkrimtari të internuar kundër çdo të drejte dhe kur asnjëri prej mjekëve të cilëve u ka rastisur të gjykojnë rastin e tij nuk ka mundur ta njohë si të tjetërsuar, në këtë shtysë së simpatisë njerëzore që ju ka bërë të më kërkoni ka një frymëzim okult që vjen nga lart, dua të them Dr. Fredière se ajo ju vjen nga Zoti dhe se ka qenë ai që ju ka shtyrë t’i dilni krah njeriut të mohuar dhe të refuzuar nga njerëzit, që jam unë.  

– Antonin Artaud ishte në të vërtetë një shkrimtar, një njeri i teatrit, një aktor i njohur dhe në shikim të parë është njëmend e çuditshme që internimi i tij të ketë zgjatur më shumë se pesë vjet pa asnjë zbutje dhe ku asnjë shtysë neverie efikase nuk ka bërë që të shfaqet në favor të tij ndërgjegjja e personave të ndershëm. Megjithatë ka pasur shumë indinjatë dhe shumë valë protestash ka pasur në Francë dhe nëpër botë Dr. Ferdière prej se Antonin Artaud është internuar. Ka pasur të tilla në Le Havre ku Antonin Artaud mbahej në qelinë e izolimit në repartin Pinel të Poliklinikës së Le Havre ku Antonin Artaud mbaje në këmishën e forcës dhe helmohej në çdo vakt të hajes së tij, teksa binin kambanat e të gjitha kishave të Le Havre dhe kjo valë drejtohej bashkërisht nga Andre Breton-i dhe Action Française, ka pasur në Rouen, në Sainte-Anne dhe përleshje të përgjakshme të panumërta ka pasur rrugëve të Parisit rreth çështjes Antonin Artaud, ndërkohë që ai ishte në Ville-Évrard.

Por dua t’jua them këtë, Dr. Ferdière: në rastin e Antonin Artaud nuk është çështje letërsie as teatri, por religjioni dhe vetëm për shkak të ideve të tij religjioze, për shkak të prirjes së tij religjioze dhe mistike Antonin Artaud është persekutuar DERI NE VDEKJEN E TIJ nga masa e francezëve. E tash Dr. Ferdière, dëgjomë mirë. Antonin Artaud, përkundër asaj që shpesh është mundur të mendohet për të me njëfarë lehtësie, ai ishte thellësisht religjioz dhe i krishterë. Ai ka qenë në këtë botë përfaqësuesi më i kualifikuar dhe më i pastër i Religjionit të vërtetë të Jezu Krishtit, karikaturë e pacipë e të cilit ishte prej shumë kohësh krishterimi ezoterik. Ky Religjion ka nevojë për dëlirësi integrale, jo vetëm të Priftit, por të çdo burri të denjë për këtë emër dhe predikon ndarjen absolute të gjinive dhe eliminimin e pakthyeshëm të gjithë asaj që mund të jetë seksualitet. E gjithë ajo që nuk është e dëlirë dhe është seksuale, jashtë martesës, DHE NE martesë është e dënuar dhe riprodhimi njerëzor nuk bëhet përmes praktikës së kopulimit të fëlliqët.

Antonin Artaud ka vdekur nga hekat dhe dhimbja në Ville-Évrard në muajin gusht të vitit 1939 dhe kufoma e tij është çuar jashtë Ville-Évrard gjatë një nate të bardhë si ajo për të cilën flet Dostojevski dhe që zënë hapësirën e shumë ditëve të ndërkallura, por që nuk përfshihen në kalendarin e kësaj bote – sado që të vërteta si dita këtu.

Unë e kam zëvendësuar atë dhe i jam shtuar atij shpirt për shpirt dhe trup për trup në një trup që është formuar në vetë shtratin e tij konkretisht dhe realisht, por me magji në vend të tijin. Emri i vërtetë i Antonin Artaud është Hipolit dhe Shën Hipoliti ka qenë siç e dini ipeshkëv i Pireut në shekujt e parë të periudhës së krishterë pas vdekjes së Jezu Krishtit, trupin e të cilit e ka bartur, në rrjedhën e kohës, Anonin Artaud Hipoliti.

Dr. Ferdière, emri im është Antonin Nalpas dhe si i tillë e kam një familje në tokë që më kërkon dhe tek e cila fuqitë publike franceze deri më sot kanë refuzuar të më kthejnë.

Kjo familje, sado që në tokë, është e qiellit. Dhe është Qielli, nga i cili në të vërtetë ju vetë vini, ai që ju ka dërguar tek unë. Dhe unë jua shkrova këtë letër vetëm për t’ju kërkuar ta kujtoni fjalë për fjalë dhe objektivisht, ngase në të vërtetë shpirti juaj nuk është tjetër pos një Engjëll dhe ju jeni Engjëll i Jezu Krishtit.

/Marrë nga  Antonin Artaud, “Scritti di Rodez”, Adelphi, 2021

/Përkthimi Gazeta Express