Erotimatologio i datës 28.10.2022 me shkrimtarin dhe studiuesin Agron Y. Gashi
Agron Y. Gashi (1977) është doktor i letërsisë, studiues, shkrimtar dhe mësimdhënës në UP. Vepra e tij studimore shquhet për kërkimet sistematike në analizën e formave letrare, me theks të veçantë format autobiografike në letërsinë shqipe, njëkohësisht si prozator i brezit të tij i cili në romanin e tij trajton tema tabu duke ndërlidhur tradicionalen me modernen. Ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e Re”. Veprimtaria e tij studimore dhe artistike përmblidhet në këta libra:
1. Autopoetika – Modelet narrative autobiografike (studim, 2009),
2. Mizanteksti – Poetika, sisteme, autorë, vepra (studim, 2012),
3. ‘Talianka- Intermexo nga jeta e një heroi (roman, 2012),
4. Rrëfimet e maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70-të – Musa Ramadanin (2014),
5. Talianka- Intermezzo sulla vita di un eroe, Enseble, Romë, 2016,
6. Proza autobiografike- Poetika dhe modele (studim, 2017).
Libri i parë
Kam dy sprova dhe një provë të leximit të parë. Fillimisht kam nisur ta lexoj një libër me vjersha të Vehbi Kikajt, por mbeta te një poezi që e kisha obligim shkollor ta mësoja, prej se cilës më kujtohen vetëm dy vargje: “Shtëpia ime ka sy, i zoti shtëpisë ka zemër”. Pra, kjo ishte sprova e parë, që nuk e tejkalova. Libri tjetër që kam provuar ta lexoj më seriozisht ka qenë “Odisea”.
Ne kishin një bibliotekë të pasur të babait. Përderisa shpesh na “vizitonin” policia serbe në kërkim të armëve, po flas për vitet e vështira ‘80-të e fillimvitet ’90-të, në bibliotekën tonë kishte edhe disa libra botime të Tiranës. Atëkohë kujt ia gjenin botimet e Tiranës, ia merrnin dhe ia shtonin presionin. Prandaj, babai, pedagog i Gjuhës shqipe, dhe vëllai, nxënës i shkollës së mesme, i kishin fshehur në tokë. Një natë, kur shtëpia jonë mori frymë më shlirë, vëllai gropoi nja dy pëllëmbë në tokë, kur papritmas u shfaq një thes najloni brenda të cilit ishte edhe një i letrës. Ndërsa po e nxirrnin, nuk e dija se do të dilnin libra. Nga të gjithë librat në atë thes, më bënin përshtypje ato me kopërtina të trasha, të cilat edhe kishte nisë t’i kapë, si themi ne në Dukagjin, tȇja, po edhe lagështia, duke krijuar harta e vija që i ngjanin gjysmëzemrës. Ishte një zhvarrim, zhvarrim librash të shkruara nga shpirti dhe tash të dalë nga dheu!
E doja aromën e tyre. Të merremi vesh, ajo nuk ishte si këto që dalin nga shtypi. Ky veprim, natën, më dukej si zhvarrim mitik, që shndërronte çdo libër në monument, në feniks. Kështu më dukej “Iliada” dhe “Odisea”. Duke qenë se “Odisea” dukej më e hollë, më një figurë më interesante në ballinë (një barkë e thjeshtë e bardhë në një sfond të gjelbër), fillova ta lexoj, por rrëfimi në vargje dhe “ngatërresat mitike” më përhumbën rrugës. Në këtë mënyrë, leximi i saj u kthye në një mision të pamundur.
Pastaj, leximi i plotë ka qenë “Rrethimi” i Tajar Hatipit. E kujtoj që ka të bëjë me LDB, me partizanë dhe një qen besnik që i del ndihmë të parëve. Atë kohë ne kishim një bub të mençur, por paksa agresiv. E di që gjyshja, nana, vëllai, e ushqenin në një helmetë ushtarake të kthyer në enë. I thoshim kapuç gjerman, që me gjasë mund të këtë qenë edhe helmetë italiane. Dhe, kjo më asoconte me “Rrethimin” e Tajar Hatipit, ndërsa lufta në mes partizanëve dhe gjermanëve ka vazhduar edhe disa vjet të tjera. Tash si lojë me bashkëmoshatarët e mi.
Edhe pse partizanët ishin “të kuq”, të kuqtë për ne ishin
gjermanët, të zinjtë- partizanët. Ky identifikim ishte si rezultat lojës me
buburreca të zinj dhe të kuq, që është një rrëfim në vete.
Libri që do të doje ta kishe shkruar
Jo pak teoricienë autorin e cilësojnë si demiurg. Prandaj, pse të mos zgjedh Biblën dhe Kur’anin, si për ta tumirur atë që thotë J. Barth: “Zoti është një novelist”. Kush e di se çfarë kisha bërë me Ademin dhe Havën, më mëkatin e parë, apo me Kainin?! Kisha ndërruar disa rrëfime, po ashtu në Kur’an kisha shtuar rrëfime e hequr ‘penalizime’, që besoj bota do të dukej më ndryshe. Mbase në fillim kisha thënë “Mësoni të lexoni, pastaj shkruani”! Po kush përzihet në fjalët e Zotit se?!
Para disa vjetësh me kërkesë të studentëve bëra një listë prej 50 kryeveprash të letërsisë botërore. Të paktën dhjetë prej tyre kisha pasë dëshirë t’i shkruaja, ta zëmë, nga “Komedia hyjnore” te “Komedia njerëzore”. Po ashtu, duhet të pranoj, ka edhe në mesin tonë autorë që do të doja ta shkruaja një pjesë të librit të tyre, p.sh. vjeshtën e një autori, monologun e një tregimi për eshtra, monodramën për sy, madje edhe ndonjë poezi, si ajo për luftën, që bart edhe rrëfimin brenda vetes dhe shenjat filmike, se si një i ri me të meta, derisa po dilte nga shtëpia me gjel ndër sqetull, e vrasin serbët, apo ciklin për nënën të një poeti tjetër, deri te ndonjë tekst diskursiv të ndonjë filozofi të letërsisë. Megjithatë, po vazhdoj ta shkruaj librin që dua dhe jam lidhur me atë dorëshkrim.
Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri
Ai që nuk e ka lexuar, pse jo romanin tim. Ai që e ka lexuar atë, hemm, po i ndaj pak në forma për me qenë më i pranueshëm nga tjetri: kush i do romanet, do të doja ta lexonte ndonjërin nga romanet e nobelistes së sivjetme, Annie Ernaux. Nëse tjetri do të donte ndonjë roman dokumentar, ia sugjeroj “Arkipelagu gulag” të Sholzecinit. Ndërsa për roman ciklik me kënaqësi kisha dashtë me e dëgju dikë duke diskutuar për “Lojën e perlave prej qelqi” të Hesses. E, nëse kërkesa e tjetrit më shumë shkon kah kujtimet dhe autobiografia, atëherë do të doja që ta lexonte: Rrno vetëm për me tregue të Atë Zef Pllumit, Kujtime të përtej varrit të Shatobrianit apo edhe Jeta ime e Mark Shagall.
Libri që jua ka ndryshuar jetën
Jo rrallë i singularizojmë gjërat, ashtu si librat/ librin. Prandaj, mund të them se lartmadhnia e tij, LIBRI, dhe ‘hyjnorja letër” ma kanë ndryshuar, por edhe ma kanë bërë më komplekse jetën.
Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar
“Të lirë” i Lea Ypit edhe pse e kam në shtëpi. Nuk di ta shpjegoj këtë punë, por duket më ka mbetur ves, kur të gjithë “turren” ndaj një vepre, unë nuk ngutëm ta lexoj. Kështu më ka ndodhur për vite të tëra. Në vitet ‘90-të, si gjimnazist, çdo të dytin që e pyesja se çfarë kishte lexuar, në maje të gjuhës e kishte “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit. Gjatë asaj kohe kam lexuar shumë, jashtëzakonisht shumë, autorë shqiptarë dhe të huaj, por vetëm pasi kam ardhur në fakultet, e kam lexuar këtë vepër. Sa do të doja të mos e lexoja dhe ta ruaja imazhin për një “roman-simbol”, për një “roman-ikonë” dhe “të ndaluar”, të cilin me të lexuar, m’u zhvesh nga miti i bestsellerit dhe u thye besimi ikonik, mjerisht. (Por, kontekstualisht e vlerësoj).
Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer
Libri që më ka zhgënjyer më shumë ka qenë “Vargjet satanike” të Salman Ruzhdi, jo pse është antislam, por se prisja se ç‘djall fshihej në të, për gjithë atë fatva dhe ndjekje satanike për dekada që iu bë shkrimtarit, të cilin e detyruan të ndërrojë edhe identitet (“Jozef Anton” nga Jozef Konrad dhe Anton Çehov). Lexojeni po deshët edhe autobiografinë e tij “Jozef Anton”. Ia vlen. Dhe, çfarë nuk është aq satanike sa të kërkonin kokën e tij, apo siç ndodhi tash më vonë, ta shndërronin pothuaj në një qenie mitologjike, një ‘katallan’ me një sy. E turpshme dhe e pafalshme. Megjithatë, ky sulm e gjymtim, e shndërroi atë në një gjysmë Homer, që përjetësisht vepra e tij ka me i luftu fort e keq regjimet mesjetare. Mbajeni mend, kur një luftëtar mbyll njërin sy, dije se po bën goditjen vdekjeprurëse. Ruzhdi, ky gjysmëhomerian, që dhunshëm përqafon verbërinë e Borhesit, ka edhe një sy. Ai është “snajeperist” i saktë. Shkrimtari me një sy mund t’i rrëzojë idhujt mesjetarë, profetë e perëndi qofshin ata.
Libri që ju ka befasuar
Një autor i yni i “brezit të artë” botoi një libër voluminoz me një titull interesant. Është folur dhe vlerësuar shumë. Kështu që, edhe unë kam pritur shumë. Mirëpo, ky më ka befasuar. Më ka befasuar për keq. Më ka habitur fakti se si një autor shumë i regjur, në kulmin e krijimtarisë së tij, në gjysmën e fundit të romanit në fjalë ka bërë një “rënie të lirë”, duke e shndërruar veprën në mjet për të arritur një qëllim gati banal. E, këtë përmes një dalldie e frustrimi të vonuem, shtërzimi me sens gjimnazisti. Lexuesi mendjehollë e di për kë është fjala.
Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë
Zakonisht, ne që merremi edhe me studime e interpretime letrare, është e pamundur që mos t’i kthehesh veprave teorike diskursive, madje nga Aristoteli, e hajt të themi, te Barti, Todorovi e Mike Bal.
Por, ka edhe një tjetër dukuri që dita- ditës po kthehet në shprehi. Librat që i kam lexuar më herët, kur po ribotohen a përkthehen nga përkthyes të tjerë, i marrë, i rilexoj. Më josh dizajni, shtypi i mirë, më duket se gjithnjë më ka mbetur diçka e pazbuluar. Kështu më ka ndodhur me botimin e përkthimin e ri të “Don Kishotit” të Srvantesit, me “Njëqind vjet vetmi” të Markesit”, me “Fjalët” e Sartrit, me “Zemrën e errësirës” së Konradit etj.
Libri i fundit
Kohëve të fundit bëj dy lloj leximesh. Lexime të librave publicistikë, dokumentarë e historikë, të cilët më nevojitën për formatin e emisionit “N’demos”, të cilin e drejtoj (vullnetarisht). Thjesht, jam plotësuar në e me historinë bashkëkohore dhe një pjesë të historisë së anatemuar.
Po ashtu, edhe libra artistikë dhe diskursivë për shkak të profesionit dhe pasionit.
Ndërkohë, që kam përfunduar së lexuari librin “Stilografia”, të mësuesit tim të letrave, Sabri Hamiti, autori që i dha kahje të duhur dhe stilshmëri studimeve letrare shqipe në përgjithësi.
/Gazeta Express