string(44) "fotografia-e-bylykbashit-nje-histori-e-denje"

Arte

Donjeta Abazi

20/10/2022 16:42

Fotografia e Bylykbashit, një histori e denjë

Arte

Donjeta Abazi

20/10/2022 16:42

Një takim i shkurtër me Ilaz Bylykbashin, fotoreporterin që ka një jetë që i është përkushtuar fotografisë. Ai ka parë thuajse gjithçka, ka përjetuar pushtete me radhë, ka parë masakra, refugjatë, të dënuar, studentë të helmuar, traditat e hasjanëve, sytë e fëmijëve të viteve ’90-të…

Nga Donjeta Abazi

Një lokal në Prishtinë, te rruga B, u bëri konak rrëfimeve të fotoreporterit Ilaz Bylykbashi një të hëne në mesditë. «Gazetaria e Kulturës në Kosovë ka vdekur» – pak a shumë kështu filloi bashkëbisedimi me fotoreporterin, i cili mban me fanatizëm mbi vete plot vite e dekada me radhë, histori, rrëfime, pothuajse gati një jetë të tërë me aparatin e tij e me fotografitë e shkrepura, në vende, hapësira, me njerëz e situata të ndryshme.

Ilaz Bylykbashi kishte një fëmijëri si pothuajse të të gjithëve në Kosovën e atyre viteve, një rini si të moshatarëve të tij dhe një shkollim që gërshetonte shumë profesione në një. Kishte filluar studimet në letërsi e juridik paralelisht, ama siç thotë vetë ai «sapo e mora fotoaparatin e parë në dorë, gjithçka ndërroi».

Pasioni për të shkrepur fotografinë e për ta zënë momentin, është një pasion që nuk ka nevojë për shpjegim, sepse është aty tek sytë e fotoreporterit dhe vërehet lehtë që aty ka qenë gjithmonë.

Bylykbashi ka një jetë që i ka kushtuar fotografisë. Ai ka parë thuajse gjithçka, ka përjetuar pushtete me radhë, ka parë masakra, refugjatë, të dënuar, studentë të helmuar, rezidencën e Zogut, traditat e hasjanëve, sytë e fëmijëve të viteve të ’90-ta.

Kur vjen puna te fëmijët, fotoreporteri ka një nostalgji bashkë me një dëshirë të flaktë që ato fotografi që i ka bërë me dorën e vet – dhe që përçojnë shumë më shumë se që mund të thuhet – ta kenë një vend të veçantë kudo. Sytë e atyre fëmijëve në foto flasin gjithçka, nganjëherë lodhje, nganjëherë mundim, nganjëherë veç naivitet – kurrgjë më shumë, ama një gjë është e sigurt, sytë e fëmijëve të Kosovës para viteve 2000 në fotografitë e Bylykbashit fshehin gjithmonë një frikë.

Në mesin e rrëfimeve të fotoreporterit, ngjizet një mall për kohën e dikurshme, por historitë e tij vështirë që harrohen. Pushteti ish-Jugosllav e deri tek lufta e fundit në Kosovë, vendit tonë i solli humbje, frikë, heqje lirie, torturë, me një fjalë për dekada me radhë Kosova i luftonte humbjes e shfarosjes së identitetit.

Ilaz Bylykbashi i ka të gjitha këto fotografi.

Një e veçantë tjetër është fakti se për të gjitha këto fotografi, që nuk kanë të numëruar, autori i tyre i ka kujtimet e freskëta.

Emrat e të gjithë atyre që i ka zënë aparati i tij, janë të kthjellët në memorien e fotoreporterit të luftës. Në këto materiale e sheh një punë ndryshe, në fakt aty nuk ishte e thënë “artistikja”, aty kishte nevojë, nevojë që përmes aparatit autori t’i tregonte botës që në Kosovë, në vendin e tij të lindjes, po ndodhte diçka që nuk mund të shmangej, nuk mund të tolerohej dhe krejt në fund nuk mund të fshihej nga kujtesa, njëjtë siç ndodh sot.

«I kanë çuar djemtë e rinj kinse ushtarë, gjatë viteve ’90-ta, për të shërbyer për ish- Jugosllavinë dhe ua kanë kthyer nënave në arkivol… Pos kësaj nuk na lejonin t’i hapnim arkivolet, secili arkivol e kishte një letër të vogël ngjitur me emër e mbiemër. Arkivoli ishte krejt i metalit, me një xham fort të hollë prej të cilit nuk dallohej gjë. Tri orë punonim për ta hapur arkivolin, për ta vërtetuar kush është brenda», rrëfen Bylykbashi.

Kur flasim për luftën, arkat e fotoreporterit janë plot. Ai ishte i pari që dokumentoi në fotografi masakrën e familjes Jashari në Prekaz. Para se të tregojmë për këtë fakt që tashmë është i ditur në Kosovë, te ndalemi të pjesa e mbërritjes së fotoreporterit në vendin e ngjarjes.

Bylykbashi kishte mbërritur në Prekaz më 9 mars, menjëherë pas ekzekutimit të familjes Jashari. Ai rrëfen nga fillimi, me plot dhimbje, ama arrin ta kamuflojë dhimbjen duke i qëndruar besnik mesazheve që i transmetonte atëherë me fotografi e sot edhe me fjalë.

Fotoreporteri nuk ishte i lejuar të udhëtonte atë ditë, nuk kishte leje nga askush, megjithatë duke u maskuar për të mos u njohur, arrin në Prekaz bashkë me të dërguarit e tjerë të posaçëm. Bylykbashi thotë se dhimbje për të, që nuk harrohej, ishte fakti që po fotografonte për se vdekuri trupat e atyre njerëzve që i kishte njohur për së gjalli gjatë viteve ‘90-të. Mbërritja e filmave të aparatit fotografik i shkaktuan alivanosje laborantit që po i shihte i pari, para se të publikoheshin. Kjo e përshkruan fare qartë përmbajtjen e atyre fotografive.

«Nuk kishte rëndësi nëse e vërenin që nuk kisha leje dhe në vend të ngjarjes unë isha ilegalisht. Nuk ishte me rëndësi jeta ime në atë moment. Kur i nisa filmat e aparatit për në Prishtinë, u lehtësova plotësisht, kurrgjë nuk kishte rëndësi më, as unë», thotë Bylykbashi.

Fotografitë që u shkrepën atë ditë patën ndikim të vërtetë në rrjedhën e historisë së vendit tonë. Të gjithë që shohin fotografi lufte, masakrash, kolonash, shpërnguljesh e kanë në mend emrin e fotoreporterit Bylykbashi.

Komentim fotografish:

1).Fokusi në këtë fotografi është te një fëmijë, i cili, ani pse në rrethana të tilla tragjike, duket se nuk e manifeston atë tmerr.

Prapa fëmijës me gjasë duket të jenë prindërit e tij. Është fotografi refugjatesh të cilët largohen, askush nuk e di se për ku, gjithçka që dihej për ta ishte se po largoheshin nga shtëpitë e tyre. Sytë e këtij fëmije fshehin kureshtje, lodhje, fëmijëri të pa faj. Mbijetesa, e bukura dhe shpresa i japin nurit të fytyrës së këtij djaloshi një pamje shndritëse.

2).Tek kjo fotografi është krejt një histori e veçantë, një histori me vete. Dy të dënuarit në fotografi janë shqiptarë, të dënuar për veprimtari intelektuale gjatë pushtetit ish- jugosllav. Duart e të akuzuarve ishin të lidhura me njëra-tjetrën. Kjo nuk kishte ngjarë më parë, kjo nuk ishte parë më herët. Kjo fotografi u shkrep nën krahun e një fotoreporteri serb (edhe kjo është një histori me vete).

Bylykbashi kishte rrezikuar derisa po e kapte atë moment, njëjtë siç kishte rrezikuar në shumë situata të tjera. Më vonë do ta shpërndante fotografinë kudo që kishte kontakte, madje thotë që të njëjtën e dërgoi edhe në Amerikë, përmes lidhjeve që kishte Rilindja atë kohë me bashkëpunuesit e vet. Ideja e fotoreporterit Bylykbashi ishte gjithmonë e njëjtë, ta shihnin të gjithë atë që po ndodhte këtu dhe faktin që më kurrgjë nuk po çudiste askënd, ndaj padrejtësive, gjërave që nuk ishin parë më herët kosovaret ishin bërë imun.

3).Krasaliq 1998.

Wolverine CAMERA

Fëmijët, me gjyshen në karrocë, duke ikur nga bombardimet serbe!

4).Trishtimi i fytyrës së bukur të një fëmije më këmbë zbathur e ngërthen komplet historinë e fëmijërisë kosovare dekadave me radhë.

Periudha e konflikteve dhe varfërisë ekstreme ato kohë përçojnë mesazh mes rreshtave e përmes djaloshit të veshur me rroba të thurura. Mënyra e vendosjes së duarve të tij kalon përtej naivitetit e bukurisë së një djaloshi për t’u gërshetuar me trishtimin, frikën e dhimbjen. Kombinimet më ekstreme puthiten në këtë fotografi, veç sytë e djaloshit nuk kanë dy të panjohura, nuk ka këtu dyzim as konfuzitet, sytë e fëmijës janë të trishtuar.

Fotoreporteri i “Rilindjes” i qëndroi besnik kohës, duke mbartur rezistencën e revolucionit të viteve të mundimshme kosovare për t’i ruajtur sot me fanatizëm.

Testamenti i Ilaz Bylykbashit është fotografia e tij e shkrepur në vendin e duhur, me vullnetin e duhur, me qëndresën e duhur.

Artistikja e fotografive të tij është në sytë e fëmijëve të Kosovës, në fotografitë e shkrepura nëpër tubime, organizime, gjyqe, kolona refugjatesh, të gjitha këto janë realiteti i tij bashkë me të vendit të tij. Dyzimi i të dyjave krijon histori estetike. Kosova e Bylykbashit ishte Kosova jonë, sytë në aparatin e Bylykbashit, ishin sytë e fëmijëve tanë, sytë e Kosovës së viteve ’90-të.

Çdo rrëfim i këtij fotoreporteri është film, prapa çdo fotografie është komplet një histori, e cila është e denjë të shihet, lexohet sot.

Bylykbashi dikur kishte kërkuar që këto fotografi për të cilat flitet në artikull – dhe për shumë të tjera në arkivat e tij – të trajtoheshin siç e meritojnë, ama që kjo kërkesë nuk u përfill nga institucionet e vendit tonë.

“Këta le që nuk donë me komuniku se për institucione s’po foli, asnjëherë asnjë institucion edhe pse në 2005 ua kom ofru merrni bre se prishen filmat prishen këto, kurrkush s’ka dashtë me dëgju, e kom dërgu në Ministri të Kulturës programin, por jo po lyp Ilazi pare. Për me rregullu këtë dokumentacion duhet 1 vjet me punu 10 persona, ata njerëzit duhet me i pagu”, ishte shprehur Bylykbashi për një emision televiziv.

Dokumentimi i historisë së Kosovës si duket nuk është i rëndësishëm për të gjithë. Ama Bylykbashi këtë po e bën me forcat e veta.

Në takimin tonë ai tregoi së po punon në një libër dhe se fotografitë e tij bashkë me të dhënat tjera do të jenë pjesë e librit që do të publikohet ndërkohë.

Historitë e fotografive të shumë viteve në Kosovë, por edhe vendet e tjera, përfshirë këtu, tubimet e faljeve të gjakut, ardhja e Nënës Terezë, helmimi i nxënësve, kafiteritë e improvizuara të Tiranës së atëhershme  në oborret e familjeve të ndryshme, bashkë me të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që u përmenden, janë histori që rezistojnë si mit edhe nëse nuk do ta kenë vendin e merituar.

Vendi i merituar i këtyre dokumentimeve kalon përtej syve të reporterit të qëndresës deri tek shkrimi jonë dhe mbaron veç atëherë kur mbaron historia.

/Të gjitha fotografitë janë përdorur me lejen e Ilaz Bylykbashit.

/Gazeta Express

aaaaa