Filmreview / Të përjashtuarit e përhershëm - Gazeta Express
string(40) "filmreview-te-perjashtuarit-e-perhershem"

Filmreview / Të përjashtuarit e përhershëm

Arte

Dritan Dragusha

30/09/2022 16:23

Përkitazi me filmin ‘The Immigrant’, të regjisorit James Gray, 2013

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Siç e dimë tashmë, akulturimi si një shprehje e dalë nga antropologjia kulturore ndikim të veçantë pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Akulturimi shënjon procesin në të cilin kontaktet ndërmjet grupeve të ndryshme kulturore dërgojnë në përvetësimin e formave të reja kulturore të njërit ose të të dy grupeve, duke i përbrendësuar të gjitha elementet e kulturës së tjetrit. Akulturimi nënkupton edhe zëvendësimin e bindjeve dhe sjelljeve tradicionale me bindjet dhe mënyrat e sjelljes së kulturës dominuese, si dhe injektimin e vlerave, mendimeve, bindjeve dhe të formave të tjera shoqërore e kulturore. Akulturimi si proces ka karakter edhe socializues, përmes të cilit njerëzit mësojnë mënyrat e sjelljes që i ofron kultura në të cilën ndërveprojnë.

Filmi The Immigrant, i regjisorit James Gray ka për trajtësë specifiken e akulturimit. Filmi është i vendosur në vitin 1921 në New York, kohë kjo kur Amerika ishte vërshuar nga njerëzit që vinin nga vende të ndryshme të botës, për të kërkuar një jetë më të mirë. Po këtë rrugë nga Polonia do ta marrë edhe Ewa Cybulska (luajtur nga Marion Cotillard) bashkë me motrën e saj Belva (luajtur nga Dagmara Dominczyk). Me të mbërritur në Amerikë, ato ndahen nga autoritetet, sepse motra e Ewa-s për shkak të sëmundjes së saj duhet të vendoset në karantinë. Kështu edhe nisë rrugëtimi i Ewa-s së vetmuar drejt një bote të re. Asaj i afrohet për ta ndihmuar Bruno Weiss (luajtur nga Joaquin Phoenix), i cili gradualisht do të mundohet që ta përvetësojë Ewa-n.

E gjendur në një botë të huaj, ku nuk ka asnjë mbështetje, madje edhe të afërmit e saj që kishin imigruar më herët nuk i kishte pranë, ajo do të vazhdojë të përballet e vetme me tërë ato të panjohura që do t’i dalin gjatë rrugës. Pra, nëpërmes këtij filmi, regjisori Gray mundohet ta paraqesë luftën e një gruaje deri në vetëmohim, vetëm e vetëm që t’ia dalë mbanë qëllimit që kishte nisur ajo. Ewa-s i duhet të përballet me lloj-lloj problemesh, sa që në një moment do ta vërejë veten se ka përfunduar të bërit punën e një prostitute. Ewa është polake dhe katolike dhe feja asaj i jep forcë dhe nuk shkëputet nga qëllimi i saj. Madje edhe vetë ofshama e saj në momentet e trazimit se “Ju mund ta keni trupin tim, por ju kurrë nuk do ta keni shpirtin tim”, tregon se si pavarësisht ankthit, vuajtjeve, ajo dëshiron t’i mbetet besnike kulturës që përfaqëson. Ajo është shpirtërisht jashtë kufijve, sepse qëllimi i saj është që ta nxjerrë motrën e saj nga karantina dhe t’ia nis jetës nga  fillimi në Amerikë.

Pra, filmi The Immigrant e paraqet fuqinë që ka procesi i akulturimit kur njeriu përballet me një kulturë të re. Pavarësisht kokëfortësisë, ose mospranimit për të ndryshuar, prapëseprapë vetë procesi nëpërmes të cilit kalojmë, kur futemi në një shoqëri që ka kulturë të ndryshme nga ne, akulturimi do të ndodhë, sepse është përditshmëria, ballafaqimi me rregullat ajo që na bën të heqim dorë nga kultura paraprake dhe t’i nënshtrohemi një mënyre të re të jetëses. Ky film, nëpërmes personazhit Ewa, në mënyrë mjaft të qartë na e paraqet ndikimin apo ndryshimin që pëson njeriu kur futet në një shoqëri apo kulturë të re. Gjithashtu, na e shpërfaq anën e errët, anën e vështirë të të qenit i mërguar. Mërgimi është një botë e ftohtë, një botë që ka mungesë të sinqeritetit dhe dashurisë. Është një botë që shpesh tëhuajëson dhe të gjitha këto paraqiten në këtë film.

/Gazeta Express