Greva dhe (pu)shteti - Gazeta Express
string(18) "greva-dhe-pushteti"

OP/ED

Gazeta Express

23/09/2022 13:16

Greva dhe (pu)shteti

OP/ED

Gazeta Express

23/09/2022 13:16

Për pushtetin, gjithçka që nuk vjen prej të tjerëve, është e dëmshme, e pavlerë, e pajustifikueshme dhe e padrejtë. Në të vërtetë, gjithçka që vjen prej të tjerëve si kërkesa, si nevojë, si punë e kryer, është e drejtuar kundër shtetit. Më tutje, në të vërtetë, është e drejtuar kundër kryeministrit; i cili, pra, e ka barazuar veten me shtetin. Që të jemi më të saktë, për momentin ai është i barabartë me pushtetin, më saktë: ai është pushteti

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Po përfundon java e tretë e grevës në arsim dhe ende nuk kemi as edhe një fije shprese se do të gjendet një zgjidhje që do të çonte në përfundimin e saj.

Përkundrazi, kryeministri dhe truprojat e tij politike (se në fund të fundit jo gjithmonë është e hijshme dhe e domosdoshme të përdorim epitete më të përafërta, më të sakta) në vend të asaj fijeje shprese, kanë ndezur fije shkrepëseje. Jo për të bërë dritë, por për të djegur, për të verbuar, për të njollosur, për të përçmuar dhe në fund, gjithaq e rëndë, për ta pamundësuar një ujdi që do t’i kënaqte të dy palët.

Sulmet e pushtetit ndaj kryesindikalistit Jasharaj kanë qenë tërë kohën perfide. Janë mësymjet tipike të organizmave politike totalitare që shohin te tjetri vetëm dhe gjithmonë demonin, armikun. Për rrjedhojë, me mendjen e tyre të mjegulluar dhe të helmuar, tjetri duhet të denigrohet, shahet, fyhet, poshtërohet dhe delegjitimohet me patjetër, derisa të mos e dijë më ku e ka vendin, me fjalë të tjera, derisa të detyrohet të largohet me bisht ndër shalë.

Për pushtetin, ky tjetri, pala tjetër, në parim i barabarti dhe i respektuari, në të vërtetë është kundërshtari, penguesi, penda (ndërtim pa leje) që ka zënë rrjedhën. Ndërsa, në të vërtetë, duhej të trajtohej si pendë, në kuptimin e parë të fjalës. Një arsimtar i respektuar, tash në krye të sindikatës, i cili po bën atë që mundet për punëtorët e tjerë të arsimit, koleget e kolegët e tij, që ta kenë respektin dhe dinjitetin e merituar.

Për pushtetin, gjithçka që nuk vjen prej të tjerëve, është e dëmshme, e pavlerë, e pajustifikueshme dhe e padrejtë. Në të vërtetë, gjithçka që vjen prej të tjerëve si kërkesa, si nevojë, si punë e kryer, është e drejtuar kundër shtetit. Më tutje, në të vërtetë, është e drejtuar kundër kryeministrit; i cili, pra, e ka barazuar veten me shtetin. Që të jemi më të saktë, për momentin ai është i barabartë me pushtetin, më saktë: ai është pushteti. Kur të bëhet i barabartë me shtetin, më saktë: shteti – atëherë veç do t’i vihet kapaku fatkeqësisë së këtij vendi dhe kësaj shoqërie.

(Po kursehem tani të bëj lojë fjalësh me termat pushtet e shtet, nga të cilat do të nxirrnim një term jo aq të këndshëm.)

Ngase, për pushtetin, gjithçka duhet të vijë prej vetë atij. Gjithçka që vjen prej vetë atij është a priori e mirë, e domosdoshme dhe e pakthyeshme. Të gjithë të tjerët, jopushteti, janë e keqja, e papastra, e korruptueshmja, e dënueshmja. Në fakt (dhe këtu vihet theksi) e tëra nis me pushtetin, këtë pushtet: e mira, e pastra, e pakorruptueshmja, e padënueshmja. Çfarëdo që është bërë është bërë keq, ose nga njerëz të papranueshëm, çka sjell nevojën e mohimit dhe eliminimit të saj. Në mënyrë që e gjitha të bëhet nga e para, nga pushteti i vërtetë dhe i pagabueshëm, i cili është i lindur dhe i zgjedhur për këtë.

Për këtë arsye, natyrisht, tendenca është që të gjitha ato institucione të tjera, të gjitha ato organizma politike e jopolitike që nuk janë pushteti, të pushtetit, të përvetësohen, të mbushen dhe të drejtohen nga truprojat politike të kryeministrit.

Nuk është se këtë nuk e kanë bërë partitë e tjera më parë. Siç e kam thënë prej vitesh, partitë e tjera që qeversinin me vendin për gati dy dekada nuk kishin lënë as vrimë gjirizi pa i futur njerëzit e tyre. Me pasojat që i kemi vuajtur, po i vuajmë dhe do t’i vuajmë.