Abdulrazak Gurnah: Librat e jetës sime - Gazeta Express
string(37) "abdulrazak-gurnah-librat-e-jetes-sime"

Abdulrazak Gurnah: Librat e jetës sime

Arte

Gazeta Express

19/09/2022 16:55

Intervistë për The Guardian, korrik 2002

Lexo Edhe:

Leximi i parë që më ka mbetur në kujtesë

Pa dyshim Kurani. Duke u rritur në Zanzibar, fillova ta lexoj në moshën

pesëvjeçare, në chuoni, kështu quhej shkolla e Kuranit, dhe shkollën

shtetërore e fillova një vit më pas, pasi i kisha lexuar tanimë suret e shkurtra.

Në shkollën shtetërore, një nga tekstet më të para që lexuam në klasë ishte një përkthim në Kiswahili i Fabula të Ezopit, me ilustrime të dhelprës që bënte kërcen më kot drejt rrushit dhe lepurit që rrinte buzë rrugës ndërsa breshka çapitej aty pranë. Këto imazhe i ruaj të gjalla edhe sot.

Libri i parapëlqyer në rini

Përkthimi i një përmbledhje të përzgjedhur i Një mijë e një netë, në

katër vëllime. Aty lexova për herë të parë rrëfimin për historinë e

Kamaralzamanit, princit të ishullit të bijve të Kaledanit dhe Budurës,

princeshës së Kinës, të cilën s’e harrova kurrë më pas. Përkthyesi dhe të gjithë ata që falënderohen në parathënie janë zyrtarë kolonialë, megjithatë gjuha më bën të mendoj se ka pasur një ose dy vendas që i kanë dhënë ngjyresa të veçanta. Deri rreth moshës 10 vjeç, librat e vetëm në anglisht që lexova ishin revista humoristike dhe një libër

që ma dhuruan si fitues i një çmimi në shkollë. Titullohej Njerëz të botës dhe e lexova vazhdimisht për një ose dy vjet. Megjithatë, në të Zanzibari s’përmendej fare.

Libri që më ndryshoi kur isha adoleshent

E vështirë ta thuash. Më kujtohet se si në shtëpinë modeste të xhaxhait

në Mombasa lexoja i shtrirë në dyshek një kopje të vjetruar të Ana Kareninës. S’e kam idenë pse ishte aty, xhaxhai nuk ishte lexues. Ka gjasa të kem qenë 13 vjeç dhe të mos kem kuptuar shumë gjëra, por prapëseprapë qaja vazhdimisht gjatë leximit. Leximi për mua ishte i rastësishëm, në varësi të asaj që ndodhej në bibliotekën e shkollës:

pjesa më e madhe e librave ishin të dhuruara nga nëpunësit civilë kolonialë në largim. Isha 15 vjeç kur lexova Një tjetër vend të James Baldwin dhe mbaj mend se më ngjalli shumë emocione. Mësuesi më huazoi edhe Masazhisti misterioz të V.S Naipaul-it, i cili them se ishte romani i parë ku lexova për njerëz si ata që njihja në jetën reale.

Shkrimtari që më ndryshoi mendjen

Isha 18 vjeç kur lexova Djaloshi i guximshëm në trapezin fluturues të

William Saroyan-it dhe pati ndikim të jashtëzakonshëm tek unë. Më pëlqeu tonin i çlirët dhe i hapur. Këtë ton nuk e kam hasur në shkrimet e tjetra të tij.

Libri që më bëri të dua të bëhem shkrimtar

Në kohën kur mendoja të shkruaja një roman, lexoja autorë amerikanë:

Saul Bellow, Bernard Malamud dhe para së gjithash James Baldwin-in. E kam ende Zjarri herën tjetër, botim i Penguin Books. Lexoja shumë Joseph Conrad-in, D.H. Lawrence-in, Nadine Gordimer-in dhe Wole Soyinka-n, kështu që s’jam i sigurtë se cila nga këto përvoja leximi

e bëri.

Autori të cilit i jam rikthyer

Si nxënës shkolle më detyruan të mësoja përmendësh dhe ta thoja

me dhjetëra herë një fragment nga Vogëlushja Dorrit: fragmenti që flet për Zyrën e Hetimeve. Drejtori më kishte përfshirë në një konkurs recitimi. Nuk e njohja autorin apo se për çfarë ishte fragmenti. Pas kësaj, për një kohë të gjatë nuk ia hidhja dot sytë një libri të Dikensit, por më vonë u dashurova me romanet e tij të cilat i jepja mësim.

Libri që kam rilexuar

Duke pritur barbarët e J.M. Coetzee-s, për shkak të saktësisë së gjuhës dhe qartësisë me të cilën portretizon mizorinë njerëzore.

Libri që nuk munda ta lexoj më

Zonja Bovari e Gustav Floberit. E admiroja përsosmërinë e gjuhës, por

tani më shtie të dridhurat. Mendoj se ndihem në siklet për njerëzit, kotësitë e të cilëve vihen në pah në mënyrë kaq të pamëshirshme.

Libri që zbulova më vonë në jetë

Çdo ditë sjell zbulime të reja; Dua të kremtoj librat e jashtëzakonshme

të shkrimtarëve nga Afrika në kohët e fundit. Soyinka, Nuruddin Farah

dhe Ngũgĩ wa Thiong’o kanë pasur botime të shkëlqyera për dekada.

Autorët bashkëkohorë Damon Galgut, Maaza Mengiste, Yvonne Adhiambo Oëuor, NoViolet Bulawayo dhe Nadifa Mohamed, të gjithë janë të shkëlqyer.

Libri që po lexoj tani

Misteret e Knut Hamsun-it.

Leximet për qejf

Lajmet për ndeshjet e kriketit dhe kujtimet, edhe kur janë për fitoret e

australianëve.

Përktheu: Granit Zela; Exlibris