Ditari i javës / Cesare Pavese - Gazeta Express
string(28) "ditari-i-javes-cesare-pavese"

Ditari i javës / Cesare Pavese

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 16:11

Il mestiere di vivere. Diario 1935-1950 është ditari i në të cilin Pavese mban shënime, në formë fragmentare, mendimet dhe ndjesitë e tij. Këtë ditar fillon ta mbajë (1935) teksa ishte i internuar nga regjimi fashist në Brancaleone dhe vazhdon deri në vdekjen e tij. Është botuar për herë të parë 1952 nga Einaudi nën kujdesin e Massimo Mila, Italo Calvino dhe Natalia Ginzburg.

6 tetor 1935 

Lexo Edhe:

Se ndonjëra nga poezitë e fundit është bindëse, nuk e bën më pak të rëndësishëm faktin se i kompozoj me gjithnjë e më shumë indiferencë dhe ngurrim. As nuk çon peshë gjithaq se gëzimi sajues më del ndonjëherë tejmase i fortë. Të dy gjërat, të vëna bashkë, shpjegohen me lirshmërinë e fituar metrike, që heq shijen e rrëmimit në një material të paformë, dhe njëherit interesimet e mia të jetës praktike që meditimit mbi ca poezi ua shtojnë një ekzaltim pasional.

Ndërsa çon peshë kjo, se gjithnjë e më shumë më duket i kot dhe i padenjë mundimi; dhe më pjellore se mos këmbëngulja në këto avaze, kërkimi, i ngjizur prej kohësh, i gjërave të reja për t’u thënë dhe, pra, formave të reja për t’u plazmuar. Meqë tensioni i është dhënë poezisë në fillimin e saj nga ankthi i realiteteve shpirtërore të panjohura, të parandiera si të mundshme. Një mbrojtje të fundit kundër manisë së përpjekjeve të dhunshme rinovatore e gjej në bindjen krenare se monotonia e dukshme dhe rreptësia e mjetit, që e posedoj tashmë, vazhdon të jetë ende filtri më i mirë për çdo aventurë timen shpirtërore.

Por, shembujt historikë – nëse pra sa i përket kreativitetit shpirtëror është e lejuar të ndalemi te shembujt e çfarëdo lloji – janë që të gjithë kundër meje.

Sidoqoftë, na ishte një kohë kur e kisha krejt të gjallë në mendje një grumbull pasional dhe tejet të thjeshtë lënde, substancë e përvojës sime, për ta kthyer në qartësi dhe determinim organik në poetizim. Dhe çdo përpjekje imja, hollësisht ama pashmangshmërisht, rilidhej me këtë fund dhe kurrë nuk mu duk se po shmangesha, sado ekstravagante që të ishte bërthama e çdo poezie të re. E ndieja se po kompozoja diçka, që përherë e tejkalonte pjesën (e momentit) (aktuale).

Erdhi dita kur grumbulli jetësor u mor i tëri në vepër dhe m’u duk se më nuk punoja tjetër veçse në shkurtime dhe sofistikime. Aq e vërtetë është sa – dhe kësaj i rashë me mirë në të kur desha të sqaroja në një studim punën e kryer – tash i përligjja hulumtimet e mbrame të poezisë sime si aplikime të një teknike të vetëdijshme të gjendjes shpirtërore, ndërsa vokacionin tim poetik e bëja një poezi-lojë. Pra bija në gabimin, që, i identifikuar dhe shmangur, më kishte dhënë në fillim shumë vetësiguri të freskët kreative, për të poetizuar, e qoftë edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, mbi mua poetin (Exegi monumentum…)’

Kësaj ndjesie rënieje mund t’i përgjigjem se më kot tashmë do të kërkoj në vete një pikë të re nisjeje. Qe nga dita e Mari del Sud, në të cilën për herë të parë shpreha veten time në formë të prerë dhe absolute, nisa të ndërtoja një person shpirtëror që nuk do të mundem më kurrë ta zëvendësoj shkencërisht, rëndon mohimi i tij dhe vënia në pikëpyetje e çdo vrulli tim të ardhshëm hipotetik. I përgjigjem pra ndjesisë së kotësisë së tanishme, duke u poshtëruar në nevojën për ta marrë në pyetje shpirtin tim vetëm në ato mënyra që deri më tani i ishin të natyrshme dhe të frytshme, duke vënë çdo zbulim në plshmërinë e secilit rast në veçanti. Duke qenë se poezi del në dritë duke e provuar e jo duke e paraqitur.

Po pse, kështu siç deri më tash jam kufizuar si nga kapriçi vetëm në poezinë në vargje, nuk e provoj kurrë një gjini tjetër? Përgjigja është vetëm një dhe ndoshta e pamjaftueshme: për arsye kulture, ndjenje, zakoni tashmë, e jo nga teka, nuk di të dal nga shtegu, dhe do të më dukej diletanteske ndamendja e papritur ta ndryshoj formën për ta rinovuar substancën.

/Përkthimi: Gazeta Express