Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist gjatë aksionit të mbajtur dje para Këshillit Prokurorial, kërkuan nga Këshilli Prokurorial të shkarkojë prokurorin Ruhan Salihu dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, duke i cilësuar fajtorë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Ndaj këtij aksioni ka reaguar sot Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në reagimin e tyre thuhet se KPK “respekton të drejtën e secilës organizatë të Shoqërisë Civile, në këtë rast, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, për të protestuar lidhur me çfarëdo çështjeje që ka të bëjë me sistemin prokurorial, mirëpo nuk i mirëkupton kur ato devijojnë duke përdorur fjalë fyese dhe denigruese ndaj bartësve të sistemit prokurorial, si dhe duke u munduar kështu të shtyjnë përpara kauza të caktuara politike”.
Tutje, në reagim thuhet se KPK “nuk i shërben aspak aktivizimit të një organizate joqeveritare, por pasqyron në vetvete një veprim publik joracional që është në kundërshtim me parimet dhe të drejtat civile të aktivizimit në shoqëritë demokratike”.