Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka thirrur në një takim pasditen e sotme drejtorët e Policisë në qarqe për të prezantuar drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas shkarkimit të Gledis Nanos.
Nano u shkarkua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me arsyetimin se nuk ka përmbushur objektivat.
Një ditë pasi qeveria e shkarkoi Nano shkroi një letër përshëndetëse, ku përshkroi disa nga pikat me sfidat që është përballur gjatë drejtimit të policisë. Nano theksoi se gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh dhe më e ndërlikuara është të kesh frikë.
“Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral”, thuhej në letrën e tij të lamtumirës.
2 emrat më të lakuar për të marrë postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë janë Muhamet Rrumbullaku, i cili aktualisht mban postin e Drejtorit te Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, ish-SHÇBA-ja si dhe drejtori i Policisë Kriminale të Shqipërisë, Neritan Nallbati.
/Gazeta Express