Ditari i javës / Umberto Saba - Gazeta Express
string(27) "ditari-i-javes-umberto-saba"

Ditari i javës / Umberto Saba

Arte

Gazeta Express

05/08/2022 16:56

Umberto Saba (1883-1957), poet, prozator dhe aforist italian.

Shkurt, 1945

Lexo Edhe:

Italo Svevo (të gjithë ata që e kanë njohur e dinë çfarë zakonesh të buta e njerëzore kishte) tregonte me shumë qejf (bile më shumë se një herë, siç bëjnë të moshuarit, të cilëve u pëlqen të përsëriten) se s’kishte ngrënë kurrë me aq shije biftek si atëherë kah fundi i luftës tjetër, kur ai ishte (ose besonte të ishte) i vetmi në qytet që mund t’ia lejonte vetes atë.

Nuk ishte – oh, jo! – djalli në mesin e engjëjve; ishte vetëm artist; dhe, si i tillë, e pranonte tërë atë që ishte e natyrës, në të dhe jashtë tij; e rrëfente atë që njerëzit e tjerë (të mirët, të pastrit) ose e ndiejnë pa e ditur se e ndiejnë, ose e fshehin mbrapa velit – pak a shumë të dukshëm – prej lotësh hipokritë.

Por, pa e ditur, ai e prekte, me historinë argëtuese të biftekut të tij, problemin e vërtetë të ekonomisë botërore; zbulonte gjenezën e shkretisë. Se në Brazil (po e marr shembullin më popullor) shtrohen rrugët me kafe, për të mos ua dhënë me çmim të lirë vendeve që nuk e prodhojnë, nuk është, në themel, çështje ekonomike, por psikologjike. Vetëm në radhë të dytë (ngase njeriu është ai që është) bëhet kompetencë e ekonomistëve. Bifteku i Svevo-s na mëson se njeriu është ende tepër fëmijë për ta gëzuar një të mirë pa e vënë theksin mbi atë se të tjerët s’e kanë atë, se ajo e mirë është privilegj (i të birit të vetëm, ose të preferuar). Po të mos ishte kështu, sot nuk do të ekzistonin, me gjithë ato mjete të prodhimit dhe transportit, mjerimi dhe uria. Do të mjaftonte pak gjë për ta gjetur një rrugë ujdie! Por e di se ajo “pak” është një dukje e pastër, pothuajse një mënyrë e të shprehurit; se para se njeriu të mësojë të lexojë, të rrokjezojë një rrokje më shumë në këtë drejtim, duhet t’i bjerë ende, dhe më shumë se një herë, kupa e qiellit mbi kokë.

/Marrë nga Umberto Saba: ‘Scorciatoie e raccontini’, Einaudi, 2021

/Përkthimi: Gazeta Express