Krimi në familje ka tronditur Elbasanin në orët e para të së shtunës në lagjen “Skenderbej”. 37-vjeçari Ramis Mici ka goditur me thikë bashkëjetuesen e tij, 37-vjeçare Jetlira Elezin.
Si pasojë e plagëve të marra gruaja ka ndërruar jetë. Ndërkohë, autori, është arratisur pas krimit. 37-vjeçarja kishte gjashtë vite që bashkëjetonte me Micin. Ata kishin një shtëpi me qira në lagjen “Skënderbej”. Të dy ishin të divorcuar nga martesa e parë dhe kishin edhe fëmijë me ish bashklëshortët. Pronari i shtëpisë me qira ku jetonte çifti ka treguar se viktima kishte një vajzë nga martesa e parë. Fatmirësisht vajza nuk ka qenë e pranishme kur ka ndodhur ngjarja. 37-vjeçari nga Selita e Mollasit, baba i dy fëmijëve, ishte divorcuar, ndërsa pasi kishte gjetur një banesë me qira në këtë lagje, kishte marrë aty dhe bashkëjetuesen e tij.
Lexo edhe: Krimi brenda familjes në Elbasan, pronarët e banesës: Viktima, me urdhër mbrojtje
Pronari i shtëpisë ka treguar se vrasja ndodhi rreth orës 1:00 të mëngjesit. Ai u shpreh se Mici iku nga shtëpia i vetëm dhe ka qenë pronari që zbuloi trupin e Jetlira Elezit të shtrirë në tokë si pasojë e goditjeve me thikë. Pak ditë më parë çifti kishte pasur një konflikt dhe të dy kishin përfunduar në polici pas denoncimit të Elezit. Mësohet se gruaja kishte bërë kërkesë për urdhër mbrojtje por nuk e kishte përfituar ende atë. Dyshimet e para janë se ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Ende nuk dihen shkaqet e konfliktit.
Lexo edhe: Vrau me thikë bashkëjetuesen në Elbasan, ky është autori dhe viktima
NJOFTIMI I POLICISË
Në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Skenderbej”, Elbasan dyshohet se shtetasi E.M., 37 vjeç , ka goditur me mjet prerës ( thikë), bashkëjetuesen e tij shtetasen J.E., 37 vjeçe. Si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.
/Gazeta Expres