Çfarë është arti? Çfarë është letërsia? Për më tepër, çfarë është art apo letërsi e mirë? - Gazeta Express
string(85) "cfare-eshte-arti-cfare-eshte-letersia-per-me-teper-cfare-eshte-art-apo-letersi-e-mire"

Çfarë është arti? Çfarë është letërsia? Për më tepër, çfarë është art apo letërsi e mirë?

Arte

Gazeta Express

29/07/2022 14:17

Në këtë postim do të bëj disa pyetje për natyrën e artit, veçanërisht të letërsisë, pasi nuk i kam të qartë konceptet që kritikët e artit në përgjithësi dhe veçanërisht ata të letërsisë, përdorin kur duan të na shpjegojnë se çfarë është arti dhe çfarë konsiderohet art i mirë, dhe sipas çfarë kriteresh matin vlerën artistike të veprave të artit. Shkas për këto pyetje është polemika që po ndodh në revistën Peisazhe të Fjalës, të redaktuar shkëlqyeshëm nga Ardian Vehbiu dhe Elona Pira, të cilën edhe me kënaqësi të plotë ua rekomandoj ta ndiqni dhe ta lexoni.

Vitin që shkoi isha pjesëmarrës në një seminar ku diskutohej për natyrën e artit dhe gjëja që më ngacmoi ishte se po flitej për artin, por disi, askush nuk doli me një përkufizim të mirë se çfarë është arti. Duke pasur si sfond filozofinë, mungesa e përkufizimit të artit më shqetësoi. Sigurisht që nuk jam fanatik përkufizimi në kuptimin e ngushtë, por mendoj se përkufizimet janë shenja që japin një orientim, një sens të asaj për të cilën po flasim.

Lexo Edhe:

Në njëfarë kuptimi, ne të gjithë e dimë se çfarë është arti; ne e njohim atë nga historia dhe konventat tona shoqërore. Institutet e artit studiojnë artin, muzetë ruajnë artin dhe universitetet prodhojnë kritikë të artit. Megjithatë, artistët insistojnë që arti ka ligjet e veta dhe ndryshon nga artisti që bën artin. Pikturën, muzikën dhe letërsinë i konsiderojmë art. Por nuk i konsiderojmë art dialogjet e shkruara bukur të Platonit.

Pra, arti duket se është një aktivitet që bie nën një përshkrim specifik historik. Merreni traditën e pikturës, për shembull. Disa piktura janë aq abstrakte saqë sikur mos të dinit asgjë për historinë e pikturës si art, nuk do ta konsideronit vepër arti. “Sheshi i Zi” i Kazmir Malevich (1915) është një pikturë e tillë. Është vepër artistike sepse kështu thotë tradita e pikturës artistike dhe ka marrë njohjen e institucioneve që certifikojnë veprat e artit. Edhe kur largohet nga konventa, merr diçka prej tij, domethënë emrin, kështu që tradita zgjerohet për të përfshirë të renë në kanunin e saj.

Padyshim që ka një luftë për njohje në art, veçanërisht në rastet kur disa largime janë aq radikale sa duket se minojnë traditën dhe konventat e njohjes së artit. Pa shtrirjen e njohjes nga tradita, veprat që pretendojnë të jenë art mund të mos e arrijnë atë njohje. Megjithatë, traditat janë fleksibël dhe shumë vepra artistike radikale marrin njohjen që kërkojnë, dhe të tjera ndoshta nuk e marrin njohjen dhe kështu përfundojnë në koshin e plehrave të historisë.

Qëllimi im nuk është të kritikoj kritikën letrare për mungesë rigoroziteti, sepse për sa kohë një vepër gëzon njohjen e komunitetit artistik, nuk ka kuptim të kërkosh atë që nuk mund ta sigurojë. Unë supozoj që art i mirë ose letërsi e mirë është ajo që arrin standarde specifike të përsosmërisë që janë të veçanta për atë traditë. Por këto standarde duhet të shprehen në mënyrë që lexuesi të dijë të gjykojë një vepër të mirë arti nga një vepër kitsch.

Çfarë e bën një roman roman të mirë? A ka ndonjë kriter me të cilin mund të gjykojmë objektivisht këtë roman por jo atë, këtë poezi por jo atë apo këtë pikturë por jo atë si art të mirë? Apo kategorizimi i diçkaje si art është i mjaftueshëm për ta shpallur një vepër arti të mirë, siç e gjykojmë, për shembull, një shtëpi të përfunduar shtëpi të mirë.

Tani ka shtëpi dhe shtëpi; disa janë shtëpi e të tjerat jo. Por një shtëpi për të qenë shtëpi duhet të kualifikohet se ka plotësuar kriteret e shtëpisë, që është e banueshme, që ofron strehë, etj. Një shtëpi e mirë është një shtëpi që plotëson kërkesat e konceptit të shtëpisë. Vështirë se mund të quhet shtëpi nëse nuk ka dritare, dyer ose çati. Këto janë elementet përbërëse të një shtëpie. Pasi të jenë vendosur standardet konstituive, koncepti i shtëpisë harmonizohet me shtëpinë materiale, ndërsa pyetja nëse shtëpia është e mirë apo e keqe është një pyetje krejtësisht tjetër. Nga këndvështrimi konstituiv, pyetjes së mëparshme duhet t’i përgjigjemi me një pyetje tjetër: çfarë do të thuash a është shtëpi e mirë apo e keqe? Nëse është apo i plotëson kriteret e shtëpisë atëherë është shtëpi e mirë. Prandaj, nëse një shtëpi e kompletuar është e mirë është një pyetje që nuk i përket konceptit të shtëpisë por është sjellë nga jashtë fushës konceptuale. A mund të gjykohet letërsia njëjtë?

Shija subjektive nuk mjafton si kriter për letërsinë e mirë dhe jam i sigurt se janë shumë pak njerëz që gjykimet e tyre letrare i bazojnë në preferencat personale. Megjithatë, shumë kritikë nuk janë në gjendje të artikulojnë kriteret për përcaktimin e letërsisë së mirë. Mua, së paku, kështu më duket.

Mua ndonjëherë më pëlqen ndonjë vepër që nga kritikët konsiderohet kitsch dhe nuk më pëlqen ndonjë vepër që kritikët mendojnë se është artistikisht e përsosur. Më kanë pëlqyer romanet që kritika letrare i ka vlerësuar si pothuajse pa asnjë vlerë letrare. Por unë e kam të vështirë ta kuptoj se çfarë i dallon të dyja dhe çfarë është vlera letrare apo artistike! Duke qenë se preferenca subjektive nuk mund të jetë kriteri vendimtar, do ta vlerësoja shumë nëse ndonjë kritik letrar do të na tregonte se si të dallojmë letërsinë e mirë nga e keqja. Cila janë shenjat e letërsisë së mirë?

Në filozofi, kur bën një gjykim ose parashtron një ide ose vepër filozofike, duhet t’i parashtrosh edhe arsyet dhe argumentet për të mbrojtur atë ide. Vepër filozofike është ajo që ngrihet mbi një argument apo një sërë argumentesh për të mbrojtur idenë që filozofi dëshiron ta përçojë tek lexuesi apo dëgjuesi. Shenjë e veprës filozofike është struktura argumentative e saj që i shërben idesë që paraqitet aty.

Kjo është ajo që dialogjet e shkruara bukur të Platonit kanë të përbashkët me stilin e rreptë të Kantit ose me ekspozimin analitik të Russell-it. Edhe Niçe, Heideggeri dhe Derrida, të cilët shkruajnë sikur idetë e tyre nuk bazohen në asnjë argument, mbështeten në argumente për të shprehur idetë dhe kritikat e tyre. Ndoshta stili i prezantimit është i ndërlikuar dhe letrar, por vepra dhe krijimtaria e tyre nuk mund të ngatërrohet për asgjë tjetër pos veprës filozofike. Pra, e shihni, edhe filozofia ka traditën e saj me anë të së cilës ne njohim vepra të veçanta si vepra të filozofisë. Ka shenja të caktuara që e dallojnë nga praktikat e tjera, siç është letërsia.

Prandaj mund të them me mjaft bindje se disa vepra filozofike janë më të mira se të tjerat, disa janë të shkëlqyeshme e të papërsëritshme dhe të tjera të pavlefshme, dhe disa të tjera, edhe nëse pretendojnë të jenë pjesë e kanonit të filozofisë, nuk janë filozofi. Edhe disa vepra letrare kualifikohen si filozofi kur merren parasysh nga këndvështrimi i argumentit që ato ofrojnë. Stili nuk është ai që vendos vlerën e veprës filozofike: Kanti kishte një stil të thatë dhe Platoni kishte një stil shumëngjyrësh, por ne nuk e konsiderojmë Platonin filozof më të shquar për shkak të shkrimit të tij të bukur, as nuk e konsiderojmë Kantin filozof më të keq për shkak të stilit të tij të padepërtueshëm. Është vetëm në meritë të argumenteve të tyre që ata fitojnë vendin e tyre në kanunin e filozofisë.

Sead Zimeri, Myriad, 28.7.2022

/Gazeta Express