Tregimi i javës / James Joyce: Eveline - Gazeta Express
string(35) "tregimi-i-javes-james-joyce-eveline"

Arte

Gazeta Express

22/07/2022 17:44

Tregimi i javës / James Joyce: Eveline

Arte

Gazeta Express

22/07/2022 17:44

Evelin është tregim nga libri me tregime ‘Dubliners’, të cilin Joyce e kishte botuar, më 1914, me pseudonimin Stephen Daedalus dhe konsiderohet një prej kryeveprave të letërsisë moderne evropiane.

EVELIN

Lexo Edhe:

Nga James Joyce

AJO u ul pranë dritares dhe shikonte mbrëmjen duke pushtuar rrugën. Mbështeti  kokën pas perdes dhe ndjeu erën e pluhurit të kretonit. Ishte e lodhur.

Pak njerëz kalonin andej. Burri nga shtëpia e fundit pranë rrugës kthehej në shtëpi; fillimisht dëgjoi hapat e tij, trokëllimën mbi trotuar dhe më pas kërcitjen nëpër rrugën me zhavor përballë shtëpive të reja të kuqe.

Dikur aty ishte një livadh ku luanin çdo pasdite me fëmijët e tjerë. Pastaj një zotëri nga Belfasti e bleu livadhin dhe ndërtoi aty një shtëpi – jo si shtëpitë e tyre të vogla ngjyrë kafe, por shtëpi me tulla të kuqe, me çati shkëlqyese.

Zakonisht të gjithë fëmijët e lagjes luanin së bashku në atë livadh – Devinesi, Watersi, Dunnsi, e vogla Halte Keogh, ajo vetë, si dhe vëllezërit dhe motrat e saj. Por jo Ernesti: ai ishte shumë i madh. Babai i saj shpesh dilte dhe i ndiqte me shkop, por e vogla Keogh zakonisht qëndronte si roje dhe kur e shihte atë, i paralajmëronte fëmijët.  Megjithatë, dukej se ata ishin mjaft të lumtur në atë kohë. Nuk ishin aq keq me të atin; përveç kësaj, nënën e kishin gjallë. Ishte shumë kohë më parë; tani ajo dhe të gjithë vëllezërit e motrat e saj ishin rritur, e ëma u kishte vdekur. Edhe Tizzie Dunn kishte vdekur, dhe familja Water ishte kthyer në Angli. Gjithçka kishte ndryshuar. Tani edhe ajo do të shpërngulej si të tjerët, do të largohej.

Nga shtëpia! Ajo shikoi nëpër dhomë, një nga një i shikoi të gjitha objektet e njohura që i kishte pastruar dikur, një herë në javë, për aq shumë vite dhe pyeti veten se nga dreqin vinte gjithë ai pluhur.

Ndoshta nuk do t’i shihte më kurrë këto gjëra nga të cilat nuk kishte ëndërruar të largohej asnjëherë. Megjithatë, në gjithë këto vite, ajo nuk kishte mundur të zbulonte kurrë emrin e priftit, fotografia e zverdhur e të cilit qëndronte varur në mur që e prishte harmoninë të pikturës në vaj -premtimin e Shën Margarita Marie Alacoque.

Ai kishte qenë shok shkolle me babanë e saj. Sa herë që babai i tregonte fotografinë ndonjë mysafiri, i thoshte kalimthi:

“Ai është në Melburn tani.”

Ajo kishte pranuar të udhëtonte, të largohej nga shtëpia. Kishte  vepruar mirë? Përpiqej të peshonte arsyet pro dhe kundër. Në shtëpi ajo kishte të paktën një çati mbi kokë dhe ushqim për ditën; rreth vetes kishte njerëz që i kishte njohur gjatë gjithë jetës. Por, sigurisht, i duhej të punonte shumë, si në shtëpi ashtu edhe në punë. Çfarë do të thoshin për të në dyqan kur ta kuptonin se ajo  ishte larguar me një djalë? Se ishte budallaqe, ndoshta; pastaj do të kërkonin ta punësonin një ndihmëse të re.

Zonja Gavan do të gëzohej. Ajo tregohej gjithmonë qortuese me të, veçanërisht kur dikush ankohej.

“Zonjusha Hill, a nuk i shihni zonjat duke pritur?”.

 “Nxitoni, Zonjusha Hill, ju lutem.”

Ajo nuk do të derdhte shumë lot në rast se do të largohej nga dyqani. Por në shtëpinë e saj të re, në një vend të largët e të panjohur, nuk do të ishte kështu.

Atje do të martohej – ajo, Eveline. Njerëzit do ta trajtonin me respekt. Nuk do të trajtohej ashtu siç ishte trajtuar nëna e saj. Edhe tani, ndonëse ishte mbi nëntëmbëdhjetë vjeçe, herë pas here kishte frikë nga brutaliteti i të atit. E dinte se kjo ishte arsyeja e shtrëngimeve që kishte në zemër. Gjatë fëmijërisë, ai nuk kishte ushtruar kurrë dhunë ndaj saj siç kishte bërë me Harrin dhe Ernestin, ngase ishte vajzë; por kohët e fundit, kishte filluar ta kërcënonte dhe t’i thoshte se çfarë do t’i kishte bërë nëse nuk do të ishte përmbajtur për hir të nënës së saj të vdekur. Dhe tani ajo nuk kishte njeri që mund ta merrte në mbrojtje.

Ernesti kishte vdekur, kurse Harri, dekoruesi i kishës, ishte pothuajse gjithmonë diku në fshat. Veç kësaj, llomotitja e pafund e së shtunave rreth parave, kishte filluar ta lodhte në mënyrë të papërshkrueshme. Ajo gjithmonë i jepte atij gjithë pagën  – shtatë shilinga – për shpenzime familjare, edhe Harry kontribonte me atë që mundte, por më e vështira ishte të merrte ndonjë shilling nga babai i tyre.

I thoshte se ajo vetëm i shpërdoronte paratë, se nuk i kuptonte shpenzimet në familje, se nuk e kishte ndërmend ta lejonte që t’i hidhte paratë e tij të fituara me mund, dhe shumë gjëra të tjera; sidomos të shtunave në mbrëmje ai ishte shumë keq. Në fund, i jepte gjithmonë para, dhe e pyeste nëse mund të blinte ushqim për të dielën. Kështu ajo nxitonte dhe  i bënte pazaret shpejt, duke e shtrënguar fortë çantën e zezë prej lëkure, duke shtyrë me bërryl  turmën derisa më në fund kthehej në shtëpi vonë në mbrëmje, me qeset plot.

Ishte punë e vështirë ta mbante harmoninë në familje, që të kujdesej për dy vëllezërit më të vegjël, që të shkonin në shkollë me kohë dhe të ushqeheshin me rregull. Ishte e rëndë – një jetë e vështirë – por tani që ishte gati të largohej, nuk i dukej edhe aq keq.

Do të provonte një jetë krejtësisht tjetër me Frankun. Franku ishte shumë i sjellshëm, burrëror, serioz. Do të udhëtonte me të me anijen e mbrëmjes për t›u martuar dhe për të jetuar me të në Buenos Aires, ku ai kishte një shtëpi dhe po e priste.

Sa mirë e mbante mend herën e parë kur e kishte parë; ai kishte marrë me qira një dhomë në rrugën kryesore të cilën ajo e vizitonte shpesh. I dukej se kishte ndodhur vetëm disa javë më parë. Ai qëndronte jashtë portës me kapelën e kthyer kah qafa dhe me flokët kaçurrelë mbi fytyrën ngjyrë kafe-bronzi.

Kështu ishin njohur. Ai filloi ta priste jashtë dyqanit çdo mbrëmje dhe ta shoqëronte për në shtëpi. E ftonte në La Bohème, ajo ndjehej e ngazëllyer kur ulej pranë tij, në një vend të sallonit me të cilin ajo nuk ishte mësuar.

Ai ishte shumë i dhënë pas muzikës dhe këndonte paksa edhe vetë. Njerëzit e dinin se ata ishin bashkë, dhe kur  këndonte au për një vajzë që dashuron një marinar të lumtur, ajo gjithmonë hutohej nga ekzaltimi. Ai e thërriste me emrin Poppens me shaka.

Në fillim ajo kishte menduar se ishte interesante të kishte një adhurues, por pastaj kishte filluar ta pëlqente. Ai i tregonte për vende të largëta. Qysh kishte filluar punën në anije si djalosh për vetëm me një paund në muaj në njërën nga anijet kanadeze të Allan Line.

I tregonte se si quheshin të gjitha anijet me të cilat kishte udhëtuar dhe çfarë shërbimi kishte pasur. Kishte lundruar nëpër ngushticën e Magelanit, tregonte edhe për xixëllonjat e egra. Kishte  ardhur me një degëz jeshile në Buenos Aires, siç thoshte, dhe e kishte vizituar atdheun vetëm për të marrë pushim. Natyrisht, ajo i kishte treguar babait të saj për lidhjen e tyre, dhe ai e kishte ndaluar të kontaktonte me të.

“Unë e di se çfarë janë marinarët,”  i kishte thënë.

Një ditë ai kishte pasur një debat me Frankun, dhe pas kësaj ajo duhej ta takonte të dashurin në fshehtësi.

Jashtë po binte nata. Dy letrat e bardha në prehrin e saj shkëndijonin paqartësisht në errësirë. Njëra ishte për Harrin; tjetra ishte për të atin e saj. Ernesti kishte qenë vëllai i saj i më i dashur, por e donte edhe Harryn. Babai i saj kishte filluar të plaket, ajo e kishte vënë re këtë; do t’i mungonte atij.

Nganjëherë ai mund të ishte shumë i sjellshëm. Një ditë, jo shumë kohë më parë, kur ajo kishte shkuar në shtrat, ai i kishte lexuar asaj një histori me fantazma dhe kishte thekur bukë për të pranë zjarrit. Dhe një ditë tjetër, ndërsa nëna ishte ende gjallë, të gjithë së bashku kishin bërë një udhëtim në malin Howth.

Iu kujtua sesi ai kishte vënë kapelën e nënës për t’ i argëtuar fëmijët.

Po bëhej vonë, ajo duhej të largohej, por qëndroi akoma në dritare, mbështeti kokën pas perdes duke thithur aromën e kretonit të pluhurosur.

Shumë larg nga rruga ajo dëgjoi një organo dore. E njohu melodinë. Sa çudi, donte ta dëgjonte këtë melodi pikërisht sonte, si një kujtim i premtimit të saj ndaj nënës, premtimit që i kishte dhënë për ta mbajtur familjen të bashkuar për aq sa të mundte. E kujtoi natën e fundit kur nëna ishte e sëmurë;  qëndroi përsëri brenda dhomës së errët të mbytur në anën tjetër të gardërobës, dhe nga jashtë dëgjohej një arie italiane melankolike. Ekzekutuesi i organos  kishte marrë gjashtë pence dhe i kishin thënë të largohej. Asaj iu kujtua sesi i ati ishte kthyer me krekosje në dhomën e spitalit duke thënë: “Italianët e dreqit! Çfarë bëjnë këtu!” Teksa rrinte duke menduar, iu duk sikur imazhi i trishtueshëm i jetës së nënës së saj ia kishte ngurtësua krejtësisht

qenien e saj – ky realitet prej viktimave të përditshme që   përfundoi në çmenduri. U tremb kur dëgjoi përsëri zërin e nënës së saj, duke përsëritur me kokëfortësi të shqetësuar: “Derevaun Seraun! Derevaun Seraun!’ U ngrit papritmas, e tmerruar. Ikë! Duhej të ikte! Franku do ta shpëtonte. Do  t’i jepte jetë, ndoshta edhe dashuri. Por mbi të gjitha, ajo donte të jetonte. Pse do të ishte e pakënaqur? Ajo kishte të drejtë të ishte e lumtur. Franku do ta merrte në krahë, do ta mbante në përqafim. Do ta shpëtonte.

Ajo qëndronte në mesin e turmës me njerëz në stacionin në North Wall. Ai e mbante për dore; ajo e dinte se ai po fliste me të, po i fliste diçka për udhëtimin, vazhdimisht. Stacioni ishte plot me ushtarë me valixhe ngjyrë kafe.

Përmes dyerve të gjera të strehës së portit, ajo pa bashin e zi të anijes, të ankoruar në molin e gurtë me dritare të ndriçuara të kabinave. Ajo nuk përgjigjej. Ndjeu se ishte e zbehtë dhe e ftohtë rreth faqeve dhe në atë ankth e konfuzion iu lut Zotit që ta udhëhiqte dhe t’i tregonte se cili ishte detyrimi e saj.

Boria e anijes me avull lëshoi një ulërimë të gjatë e të trishtuar deri në pyll. Nëse ajo tani do ta shoqëronte, nesër do të ishte në det me Frankun, rrugës për në Buenos Aires. Ata i kishin biletat. A mund të tërhiqej pas gjithë asaj që kishte bërë ai për të?

Nga ankthi i erdhën të përziera në stomak dhe vazhdoi të lëvizte buzët duke në një lutje të heshtur,  të fortë. Një kambanë po i binte mu në zemër. E ndjeu se ai i kapi dorën:

 “Eja!” .

Të gjithë oqeanet e botës mblidheshin në zemrën e saj. Ai po e tërhiqte drejt tyre: do ta mbyste. Ajo e shtrëngoi parmakun e hekurt me të dy duart.

 “Eja!”

“Jo! Jo! Jo!”

Ishte e pamundur. Duart e saj shtrëngonin parmakun në panik. Mes përplasje dallgësh, ajo lëshoi ​​një britmë ankthi.

»Eveline! Evvy!”

Ai vraponte përgjatë parmakut dhe e thërriste që ajo të shkonte me të. Të tjerët i bërtitën që të largohej, por ai bërtiste akoma. Ajo ktheu fytyrën e bardhë drejt tij, ftohtë, si një kafshë e pafuqishme. E shikoi pa asnjë shenjë dashurie, ndarjeje apo njohjeje.

/Përktheu Qerim Raqi

/ExLibris