“Magneti” dhe “Shpija”, ishin pjesë e Konkurencës Ballkanike në edicionin e 13-të të Anibar-it.
Dy nga filmat e animuar, të realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, “Magneti” dhe “Shpija”, kanë shfaqur premierën vendore në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar, Anibar.
“Magneti” me regji nga Arvan Berisha dhe “Shpija” me regji nga Flaka Kokolli, janë përzgjedhur në mesin e tetë filmave të tjerë në Konkurrencën Ballkanike, garë kjo e cila shënon diversitetin filmik të nivelit lokal dhe atij rajonal.
Tematika e filmit “Magneti” vë në pah ndikimin e përdorimit të telefonëve të mençur dhe zbehjen e komunikimit në marrëdhëniet familjare, ndërsa “Shpija” trajton ngujimin fizik apo imagjinar dhe vështirësitë nga shkëputja e objekteve, apo dukurive të vjetra.
Të dy filmat përçojnë mesazhe të cilat prekin aspektin social dhe kulturor të shoqërisë, e që njëkohësisht paraqesin edhe vlerat jetike të Anibar.
Filmi “Magneti” është mbështetur nga QKK në konkursin për subvencionimin e projekteve filmike në vitin 2017, ndërsa “Shpija” në vitin 2020.
/Gazeta Express