string(37) "kush-per-cka-isaiah-berlin-per-lirine"

Arte

Gazeta Express

10/07/2022 11:26

Kush për çka/ Isaiah Berlin – për Lirinë

Arte

Gazeta Express

10/07/2022 11:26

Idetë filozofike të shekullit XX dhe katër ese për lirinë

Liria për ujqërit shpeshëherë ka qenë vdekje për dhentë.

Isaiah Berlin:

Mënyra në të cilën e kam përdorur termin “liri” nënkupton jo thjesht mungesën e privimit (gjë që mund të arrihet edhe duke i shuar dëshirat), por një gjendje ku nuk ka pengesa ndaj zgjedhjeve të mundshme dhe veprimtarive të mundshme, ku nuk ka pengesa në rrugët që individi dëshiron t’i ndjekë. Një liri e tillë, tekembramja, nuk varet nga dëshira ime për të ndjekur një rrugë të caktuar, apo deri ku dëshiroj të shkoj, por nga numri i shtigjeve që mund të hapen, nga mënyra se si mund të hapen dhe nga rëndësia relative që kanë ato për mua, edhe pse ndoshta do të ishte absolutisht e pamundur që kjo të matej në mënyrë sasiore. Shtrirja e lirisë sime politike apo shoqërore konsiston jo thjesht  në mospendimin që do të mund të kisha bërë ose që mund ta bëj në të ardhmen.

Së këtejmi lind pyetja: sa e gjerë do të jetë hapësira brenda së cilës unë jam ose duhet të jem zot i vetes? Sipas pikëpamjes sime, nocioni i lirisë “pozitive”, si përgjigje ndaj pyetjes “Kush është ai që sundon?”, historikisht ka ardhur duke u larguar nga ai i lirisë “negative”, që duhet t’i përgjigjet pyetjes “Cila është hapësira e sundimit tim?”; ky hendek është thelluar ngase nocioni i “unit” pësoi një çarje metafizike duke u shfaqur nëpërmjet një ”uni më të lartë”, “real” apo “ideal” nga njëra anë dhe një “uni më të ulët”, “empirik”, “psikologjik” nga ana tjetër,që duhet të sundohet prej të parit; nëpërmjet një “uni të thellë” dhe një “uni sipërfaqësor”, nëpërmjet një “UNË JAM” a la Kolrixh dhe mëshirimeve të tij të rëndomta hapësinore dhe kohore.  

Nevoja për të zgjedhur, për të flijuar një vlerë thelbësore për hir të një tjetre, është karakteristikë e pandashme e kondicionit njerëzor. Kuptohet se një pikëpamje e tillë do t’i rrëzonte të gjitha ato teori sipas të cilave liria e zgjedhjes përbën një vlerë ngase na mundëson të arrijmë një jetë të përkryer; rrjedhimisht: me ta arritur këtë përkryerje, nevoja për të zgjedhur ndërmjet alternativash të ndryshme zhduket. Sipas një pikëpamje të tillë, në një shoqëri të përkryer, platoniane, teokratike, jakobine apo komuniste, ku çdo shfaqje e një mendimi të kundërt do të ishte një simptomë e padijes ose e vesit, akti i zgjedhjes do të bëhej diçka më tepër, ashtu sikurse edhe sistemi shumëpartiak apo e drejta për të votuar kundra kandidatëve të partisë në pushtet. Për njeriun racional të përkryer ka vetëm një rrugë, duke qenë se të gjitha iluzionet joshëse, konfliktet, paqartësitë, të papriturat dhe të gjitha mundësitë për ndonjë diçka vërtet të rer tashmë do të jenë zhdukur; një një univers të drejtuar nga ajo që, sipas Kantit quhet Vullnet i Shenjëtë, gjithçka është e përkryer dhe e ngrirë. (…)Të lëvizësh në një mjedis pa fërkime, të dëshirosh vetëm atë çka mund të arrish, të mos jesh i tunduar nga shfaqja e alternativave, të mos ndjekësh qëllime që nuk pajtohen me njëri-tjetrin, do të thotë të jetosh në fantazinë e një bote koherente.

Të përfshirë nga zelli për të  krijuar kushte shoqërore dhe ekonomike të domosdoshme që liria të bëhet një vlerë, njerëzit janë të prirur të lënë në harresë vetë lirinë; dhe, jo rrallë kujtohen për të vetëm atëherë kur u duhet ta mënjanojnë për t’u bërë vend disa vlerave të tjera  që janë aq të shtrenjta për reformatorët dhe revolucionarët.

Plotësimi i nevojave materiale dhe shpirtërore, apo garantimi i një barazie dhe sigurie si ajo që kanë, fjala vjen, fëmijët në shkollë apo laikët në një teokraci, nuk përbëjnë zgjerim të hapësirës së lirisë. Ne jetojmë në një botë të karakterizuar nga regjime (të djathta apo të majta) që kanë bërë ose kërkojnë të bëjnë pikërishtë një gjë të tillë; dhe, kur e paraqesin atë si liri, ky është një mashtrim po aq i madh sa dhe liria e të vobektit për të blerë sende luksi përderisa asnjë ligj nuk ia ndalon.  Me të vërtetë, a nuk tregon legjenda e famshme e Inkuizitorit të MadhVëllezërit Karamanzov të Dostojevskit pikërisht këtë: që paternalizmi mund të sigurojë kushtet e lirisë dhe nga ana tjetër ta mohojë lirinë?

Ne bëjmë çmos për të pajtuar të papajtueshmet. Janë të lumtur, sigurisht, ata që në një farë mënyre e kanë bindur veten, ose janë bindur prej të tjerëve, që t’i përmbahen ndonjë parimi absolut që do t’i jepte zgjidhje çfarëdo problemi. Monistët e ngurtë, fanatikët e paepshëm, të gjithë ata që janë të dominuar nga ndonjë ide  totalizuese koherente, nuk i njohin mëdyshjet dhe mundimet e atyre që nuk i mbyllin dot sytë para realitetit.

Kuptimi themelor i lirisë është të jesh i lirë nga prangat, nga burgimi, nga skllavërimi prej të tjerëve. Të gjitha kuptimet tjera janë zgjerime të të parit, ose metafora. Të dëshirosh të jesh i lirë do të thotë të kërkosh të heqësh pengesat që dalin përpara; të luftosh për lirinë vetiake do të thotë të kërkosh t’u japësh fund ndërhyrjeve, shfrytëzimit, skllavërimit nga ana e njerëzve që kanë qëllime të tjera nga të tuat. Liria, së paku në kuptimin politik, është sinonim i mungesës së shtrëngimit dhe sundimit.

Shtrirja e pamasë e asaj hapësire brenda së cilës njeriu zgjedh lirisht mdërmjet mundësive të ndryshme, padyshim që nuk pajtohet me realizimin e vlerave të tjera. Prandaj, duke qenë gjërat ashtu siç janë, jemi të detyruar të gjejmë rrugë të ndërmjetme, të bëjmë kompromise, të përcaktojmë përparësira, të hyjmë në të gjitha operacionet praktike që kanë qenë më të vërtetë gjithmonë të domosdoshme për jetën shoqërore, e madje edhe për atë individuale.   

/Marrë nga Isaiah Berlin ‘Idetë filozofike të shekullit XX – dhe katër ese për lirinë’, me përkthim të Bashkim Shehu, “Onufri”, 2003/Gazeta Express