Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, është paraqitur sot në konferencë për media, në prag të ndeshjes së parë në Ligën e Konferencës.
Në raundin e parë të kësaj gare, “Skifterat” do të takohen me Liepajan – shkruan Gazeta Express.
Zekirija Ramadani e ka cilësuar kundërshtarin si ekip me eksperiencë, por tha se objektivi i gjilanasve është kalimi në raundin e dytë.
“Do të jetë ndeshje me shumë vlera dhe mendoj se kemi pasur kohën e duhur. Liepaja është ekip me eksperiencë, por ne kemi pikat tona të forta dhe nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë e jo të kundërshtarit, do të marrim rezultat pozitiv”, tha ai.
“Nëse nuk marrim rezultat të mirë, nuk do të thotë se përfundon, por uroj të fitojmë ne. Nuk na intereson loja e mirë, por na intereson kalimi i raundit. Objektivi është kalimi tutje”, shtoi Ramadani.
Ndeshja e parë mes Gjilanit dhe Liepajas do të zhvillohet të enjten, në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/