Kostoja e policës kufitare për mërgimtarët do të mbulohet edhe sivjet nga Qeveria e Kosovës. Por, tash me një ndryshim. Procedura që nga Ministri Hekuran Murati po konsiderohet e thjeshtë, për mërgimtarët s’po duket e tillë. Madje, duket se shumë prej tyre as që janë në dijeni se kostoja e policës do të mbulohet apo edhe procedurën se si do të bëhet kjo, shkruan Gazeta Express.
Mërgimtarët që kanë ardhur në Kosovë, janë befasuar kur në kufi u është kërkuar që ta marrin policën e sigurimit kufitar.
Pas premtimit të kryeministrit Albin Kurti se ata s’do të kenë nevojë të paguajnë policën kufitare, meqenëse ajo do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës derisa Kosova të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër, kanë pritur se s’do të kenë nevojë të paguajnë.
U.Avdyli, i cili jeton në Gjermani, ka treguar se është obliguar të paguante policën e sigurimit në hyrje.
“Po, unë pagova policën e sigurimit, në fakt më erdhi habi, jo për pagesën, por për atë që është premtuar. Jam i sigurt që çdo shqiptarë që jeton në shtetet e Evropës është i gatshëm për të paguar atë faturë, mirëpo të bëhet shoë në media se edhe vitin 2022 nuk do të paguhet dhe në realitet e kundërta, është e dhimbshme, për mua të paktën si shqiptar i Kosovës që jetoj në Gjermani”, ka deklaruar Avdyli.
Edhe N.Zekolli, mërgimtare nga shteti i Francës ka treguar se ishte e habitur kur i’u kërkua pagesa për policën e sigurimit.
“Unë në fakt, nuk reagova dhe nuk pyeta se pse duhet ta paguaj këtë?!, sepse nuk isha e sigurt se ka qenë premtimi edhe në këtë vit për mos-pagesën e polisës. Me të ardhur në shtëpi isha shumë kureshtare të informohem për këtë gjë dhe e pash se pagesa nga Qeveria është edhe për vitin 2022. Ne kemi të holla për ta bërë edhe atë pagesë, nuk është problem, por u dëshprova pak me fjalët e mëdha që po jpen e shumë pak të zbatuara në realitet”, ka deklaruar Zekolli për albinfo.ch.
Nga deklaratat e këtyre mërgimtarëve vërehet se ata as që janë në dijeni se kostoja e policës kufitare mbulohet edhe këtë vit nga Qeveria e as edhe procedurën për këtë.
Arsye për këtë është ndryshimi që ka bërë në procedurë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Këtë vit, mërgimtarët fillimisht do të duhet të blejnë (online apo fizikisht) policën e sigurimit e pastaj të aplikojnë për t’u rimburësuar në Ministrinë e Financave, e jo si viteve të kaluara kur e merrnin policën e subvencionuar.
Për ndryshimin e procedurës ka njoftuar sot Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili e ka konsideruar këtë si procedurë të thjeshtë.
Thotë se me këtë procedurë do të evitohen edhe pritjet
“Edhe këtë vit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët tanë. Mirëpo për dallim nga dy vitet paraprake, kur polica e subvencionuar merrej në pikën kufitare, këtë vit ka ndryshuar procedura. Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk ju merr kohë, e madje mund të evitoni edhe pritjet në kufi kur e bleni online para se të niseni”, ka deklaruar Murati.
Ai ka shpjeguar se si shkon edhe e gjithë procedura.
“Hapi 1: Para se të niseni për në Kosovë, policën kufitare mund ta bleni online përmes linkut më poshtë: https://api.bks-ks.org/PolicaOnline/sq-AL ; Hapi 2: Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të kostos duke plotësuar këtë formular: https://masa4-5.rks-gov.net”, ka shkruar Murati.
Murati ka sqaruar se për rimburësim mund të aplikojnë të gjithë ata që i kanë blerë policat që nga 1 janari e këtej, por me një kusht.
“Polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, mirëpo, që të mos keni nevojë të prisni në kufi, e të mos shkaktohen kolona, rekomandohet që polica të blihet online para se të niseni për Kosovë. Mbështetja vlen për autoveturat për pasagjerë dhe motoçikletat, dhe rimbursimi bëhet për qëndrime deri në 3 muaj brenda vitit kalendarik. PS. Rimbursimi mund të kërkohet për të gjitha policat që keni blerë nga data 1 janar 2022 e këtej, me kusht që periudha e tërësishme e mbulueshmërisë për një automjet të mos kalojë 3 muaj brenda vitit”, ka thënë Ministri.
Kjo procedurë po konsiderohet e thjeshtë dhe e lehtë edhe nga Byroja Kosovare e Sigurimit.
Drejtori i BKS’së, Sami Mazreku, i ka thënë Gazetës Express se kjo procedurë e ka lehtësuar edhe punën e tyre, por edhe të Ministrisë.
“Nuk kemi bë marrëveshje si viteve të tjera. Kjo tash zbatohet prej 1 janari. Mërgimtarët që e kanë paguar policën mund të aplikojnë per rimbursim në ministri, nësë duan. Kjo e ka lehtësu edhe punën tonë edhe të Ministrisë. Dmth ata e paguajnë njëherë, pastaj nësë duan aplikojnë për t’i marrë ato para”, ka thënë Mazreku për Express.
Gazeta Express ka pyetur në Ministrinë e Financave për numrin e mërgimtarëve që kanë aplikuar për rimburësim, por deri në publikimin e tekstit s’ka marrë përgjigje.
Nga BKS’ja kanë dalë sot edhe me një apel, meqë kanë thënë se kanë vërejtur vetura me targa të huaja që s’e kanë marrë fare policën, duke ua kujtuar mërgimtarëve se pajisja me policë sigurimi është obligim ligjor.
“Çdo dem që shkaktohet nga automjetet e pasiguruara, pala e dëmtuar në bazë të ligjeve kompensohet nga Fondi i Kompensimit, por më pastaj të gjitha mjetet e shpenzuara Byroja i rimburson nga pala që ka shkaktuar aksidentin.
Andaj në momentin kur hy hyni në ketë pikë kufitare merrni policën e sigurimit në zyrat e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe më pastaj ju keni mundësi që të njëjtën ta rimbursoni përmes platformës së krijuar nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në njoftim./Gazeta Express