Një aksident i rëndë ka ndodhur në Berat sot ku një makinë ka rënë në lumin Osum dhe si pasojë kanë humbur jetën nëna dhe djali i saj rreth 6 vjeç. Policia bëri me dije se aksidenti ka ndodhur pranë vendit të quajtur “Ura e re .
Klaudija Xhaferaj humbi kontrollin e makinës tip “Benz” dhe për pasojë ra në lumë. Kanë qenë qytetarë të shumtë beratas ata që kanë vrapuar për të dhënë ndihmën e parë, dhe kanë bërë të mundur thyerjen e xhamit, duke nxjerre fillimisht djalin që ndodhej në mjet.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thonë se djali i mitur kishte vigon në dorë dhe dyshohet se kanë qenë duke u kthyer nga spitali.
Sakaq, aksidente të ngjashme janë regjistruar të paktën edhe dy herë të tjera në Berat. Për shkak të mungesës së mbrojtëseve anësore makinat kanë përfunduar në lumin Osum.
Në vendin e ngjarjes ndodhet policia. Deri më tani është e paqartë se si humbi kontrollin e makinës Xhaferaj.
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në rrugën urbane “Antipatrea”, pranë vendit të quajtur “Ura e re”, shtetasja K. Xh., duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumë.
Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesja e mjetit dhe fëmija i saj rreth 6 vjeç. Grupi hetimor në vendngjarje po kryen veprimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
/Express