Partia Demokratike e quan projektligjin për “Amnistinë Fiskale” një operacion kriminal pastrimi parash të pista. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka hedhur akuza ndaj qeverisë.
“Ja pra që nuk e paska patur për emigrantët që donin të dërgonin 30 000 £ në Shqipëri e gjoja s’mund ta bënin lehtësisht, por e paska patur për ata “hallexhinjtë” e tjerë… vëllain, motrën, shokun, mikun, shoferin, dashnoren e kujtdo që është pasuruar nëpërmjet krimit e korrupsionit e paskan hallin e madh se si do legalizojnë nga 2 mln € pasuri për kokë.
Hall i madh s’ke ç’thua por veç për këto lloj hallesh mendon kjo maxhorancë mbasi s’la hall tjetër pa ju lëshuar në shpinë shqiptarëve! Operacion më kriminal pastrimi parash të pista nuk besoj se mund të ketë, në projektim e zbatim, as në ndonjë vend të botës së tretë e jo më në një vend që aspiron të hapë negociatat për anëtarësim. Shuplakë fytyrës MONEYVAL-it që na ka shpallur tashmë “delja e zezë” e Evropës dhe çdo naivi që ka ndonjë iluzion mbi drejtimin që ka marrë ky vend”, shkruan Kaso.
Lexo edhe: FMN kundër amnistisë së parave të “dyshekut”, qeveria publikon draftin: Kush përfiton?
Qytetarët shqiptarë rezident apo emigrantët që kanë të ardhura informale ose pasuri mund ti deklarojnë ato duke përfituar amnisti deri në vlerën 2 milionë euro. Projektligji ka për qëllim mundësojë legalizimin e pasurive të padeklaruara edhe nga puna në të zezë, por jo kriminale, duke paguar një tatim prej 7% të shumës totale nëse deklarimi behet brenda 4 muajve të parë nga hyrja në fuqi e ligjit. Pas këtij afati tatimi kap vlerën e 10% të shumës totale. Qytetarët apo bizneset që do deklarojnë do të duhet të paguajnë një tatim i cili ndahet në dy fasha.
/Express