Gazetare: Ardita Rashiti
Më 13 qershor ishte botuar një numër special i gazetës Rilindja, ku raportohej për çlirimin e Kosovës
Ishte ora 17 kur ushtarët e NATO’s bënë hapat e parë në tokën e Kosovës.
Rrugëtimi i tyre më 12 qershor, do të përmbledhje në 12 faqe të Gazetës Rilindja, në një numër special të botuar në Shkup.
Një ngjarje që nënkuptonte liri për kosovarët, do kthehej në arsye të fortë që gazetari Bedri Sadiku të udhëtojë drejt Kosovës.
Me forcat britanike të KFOR-it, do të bëhej dëshmitar që Greg Lovell ishte ushtari i parë që hyri në vend.
Hapat e parë të forcave paqeruajtëse, do të ilustroheshin edhe me fotografi.
Një pjesë e tyre, do të ndalonte në Kaçanik.
E për të pritur ushtarët të cilët po vazhdonin drejt qyteteve të tjera, në rrugë dolën fëmijë nga Ferizaj.
Forcat shpëtimtare do të priteshin me brohoritje e duartrokitje.
Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur.
Qytetarët deklaronin për përpjekjen e forcave serbe që në momentet e fundit, të shkatërronin gjithçka që kishin para vetes.
Për këtë ngjarje kishte interesim të jashtëzakonshëm për t’u përcjellë nga mediat ndërkombëtare, ku Rilindja raportonte se ishin më shumë se 1500 gazetarë të akredituar nga e gjithë bota.
Përpjekjet për t’i kthyer qytetarët tashmë veçse kishin filluar, e dëshmi se nevojitej një gjë e tillë ishte fakti se në Han të Elezit nuk kishte askund civilë -ushtarët e NATO-s u pritën nga pjesëtarët e UÇK-së.