Gazeta Express ka pasur një seri prej rreth 13 tekstesh me mbititullin ‘Si të shkruash’; përkatësish prej këshillash nga autorë të mëdhenj mbi të shkruarit. Këtë seri tani do ta vazhdojmë edhe me autorë të letërsisë shqipe. I pari ndër ta është shkrimtari i njohur, Rivan Dibra. Dibra na e ka nisur një mori materialesh, nga të cilat ne do të përzgjedhim ato këshilla që i konsiderojmë më të vlefshmet mbi të shkruarit.
Ridvan Dibra (1958) është njëri prej shkrimtarëve më në zë bashkëkohorë shqiptarë. Dibra është autor i romaneve si: ‘Triumfi i Gjergje Elez Alisë’, 1999; ‘Të lirë dhe të burgosur’, 2001; ‘Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë, 2003; ‘Kanuni i Lekës së vogël’, 2011; Legjenda e Vetmisë, 2012; ‘Gjumi mbi borë’, 2016; ‘Dashuritë e virgjëreshës Magdalenë’, 2018; . Ai po ashtu ka botuar edhe disa vëllime me poezi, studime, dhe tregime e novela.
1.Shkruaj për çka di. Shkruaj për çka ndjen. Këtë bëje bukur. Kaq e thjeshtë.
2.Mos rrëfe për hir të rrëfimit. Rrëfe për hir të metaforës.
3. Në poezi: asnjë fjalë të tepërt. Në prozë: asnjë fjali të tillë.
4.Nëse vendos t’i rrëfesh përvojat tuaja, rrëfeji në atë mënyrë që të duket sikur u kanë ngjarë a mund t’u ngjasin dhe të tjerëve. Sado të ndryshëm qofshin ata prej teje. Pavarësisht racës, vendit a kombësisë. Ky kishte me qenë thelbi i universalizmit në art.
5.Shkrimtarin e bëjnë mejhanet. Mandej edhe bibliotekat.
6.Sensi i masës dhe prishja e qëllimshme e saj; ndjesitë e ekuilibrit dhe mandej zhbërja e tij; ndjeshmëria e skajshme deri në “sëmundje”; kureshtja prej fëmije dhe që kurrë nuk plaket; prania e harmonisë dhe e të kundërtës së saj; syri gjithnjë vëzhgues – i mprehtë deri në verbëri; synimi për simetri e njëkohësisht bezdia ndaj saj; neveria ndaj së padrejtës gjithkund e gjithmonë… Këto dhe plot e plot të tjera të ngjashme me to, janë dhunti të brendshme të lindura tek Artisti.
E pamundur të mësohen në shkolla e akademi.
7.Ai ekuilibër delikat mes kulturës dhe ndjeshmërisë; mes përvojës së leximeve dhe përvojave jetësore; mes vetëdijes së kthjellët dhe puseve të pavetëdijes; mes egos për emër “të madh” dhe ndershmërisë krijuese; mes kërkesave të ngutshme të kohës dhe “artit të pakohë”; mes skenës plot drita e shkëlqim dhe “territ të urithit”; mes shijes amorfe të lexuesit dhe intuitës tënde dyshimtare; mes “idhujve” që duhen ndjekur dhe atyre që duhen shembur; mes heshtjes dashakeqe e të qëllimtë dhe duartrokitjeve naive; mes miqve të vërtetë e të rremë dhe armiqve të bekuar; mes dëshirës për kuptim dhe moskuptimit e keqkuptimit; mes ankthit të pritjes së gjatë dhe durimit që sheh larg në kohë; mes thirrjeve ngulmuese të sirenave dhe dyllit që nis e shkrihet; mes mungesave krejt të merituara dhe atyre aspak të merituara; mes ditëve që ikin nxitimthi dhe vullnetit që tkurret e mpaket;
mes dyshimeve për kotësinë e punës tënde dhe të kundërtën; mes shpërblimeve të merituara dhe atyre aspak të merituara: … ja mbi çfarë telash të tendosur rri e ecën shkrimtari.
8.Letërsia nuk ka nevojë për kujtime të sakta e të thata. Porse për ndjesi të thella, të larmishme e çoroditëse.
9.Detajet janë xixëllonjat, që shprishin terrin e tekstit.
10.Ta cikësh dramën? Të jetosh brenda saj? Apo ta shpikësh atë? Kjo trilemë e mundon shkrimtarin.
11.Gjatë gjithë punës me romanet e mi s’e kam ndjerë nevojën të ndërmarr udhëtime a të shfletoj arkiva e të mbledh dokumente. (Akte normalë për çdo romancier). Por thjesht jam rrekur ta sistemoj disi kaosin e kujtimeve e të ndjesive brenda meje.
/Gazeta Express