Kalkulantë votash - Gazeta Express
string(17) "kalkulante-votash"

OP/ED

Gazeta Express

10/06/2022 10:24

Kalkulantë votash

OP/ED

Gazeta Express

10/06/2022 10:24

Vjosa Osmani e Abin Kurti po kalkulojnë elektoralisht, kur bëhet fjalë për të drejta të njeriut, ashtu siç po kalkulon edhe opozita në çështje të tjera. Kalkulantë e manipulantë politikë, që hallin e kanë te vetja, jo te qytetarët.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti nuk u panë të enjten në Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Kishin zgjedhur që, në të njëjtën kohë, e para ta vizitonte FSK’në e i dyti EULEX’in. Ikja nga përkrahja publike për komunitetin LGBT në Kosovë tregon shumë për qasjen që kanë krerët kryesorë të shtetit dhe llogaritë elektorale që ata bëjnë.

Pak javë më parë, projektkodi civil nuk kaloi në Kuvendin e Kosovs, në mungesë të përkrahjes. Ishin kryesisht deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje ata të cilët kundërshtuan të votojnë pro, me arsyetimin se ishin aty për t’i ruajtur vlerat e familjes dhe se përfshirja e një neni në kodin e ri, që përcakton bashkësitë civile, qenka problematik. Pra këta deputetë dhe të tjerë si këta shfaqën gjithë homofobinë e tyre karshi një ligji që do të duhej të ishte i barabartë për të gjithë qytetarët.

Por, kundërshtimi i këtyre deputetëve më tepër sesa për kodin civil, kishte të bënte me interesat e tyre të ngushta elektorale. Ata frikësoheshin se votuesit do ta keqkuptonin votën e tyre dhe nuk do t’i përkrahnin në zgjedhjet e ardhshme. Pra, kundërshtimi nuk po bëhej për parimin, por nga frika e ndëshkimit.

Parada e Krenarisë u mbajt pa asnjë incident. Në të u panë edhe ministra e deputetë, por jo edhe Osmani e Kurti. Në fakt, ditë më parë Osmani mori pjesë në ceremoninë hapëse të Javës së Krenarisë, por është shumë e rëndësishme që përkrahja për secilin komunitet, në këtë rast për LGBT të bëhet edhe publikisht.

Në anën tjetër Kurti, përkundër deklarimeve liberale e përkrahëse për këtë komunitet në raste të caktuara, nuk denjoi ta shpreh përkrahjen publikisht. Brenda partisë ai ka plot deputetë të ngarkuar fetarisht, madje që kanë bërë ose bëjnë edhe deklarime publike shumë problematike.

* * *

Pak orë pasi në kryeqytet u mbajt Parada e Krenarisë, u zhvillua ndeshja e futbollit ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Irlandës së Veriut. Zakonisht në shtete të tjera tifozët e futbollit dhe personat e komunitetit LGBT ose përkrahësit e tyre nuk bëjnë bashkë, por në Kosovë kjo ndodh pa problem dhe pas asnjë incident.

Sidoqoftë, përtej kësaj situate që megjithatë tregon një progres në shoqëri, vëmendjen e mori Alnin Kurti i cili, nga shkallët e stadiumit, po e shihte ndeshjen. Kamerat fiksuan një moment tejet interesant të ngazëllimit të kryeministrit kur një futbollist kosovar shënoi gol. Ai “fluturoi” nga ulësja, duke shprehur gjithë gëzimin për atë çfarë po shihte.

Vetëm para pak vitesh një gjë e tillë do të ishte e paimagjinueshme. Lëvizja Vetëvendosje publikisht përkrahte Kombëtaren e Shqipërisë në futboll, ndërkaq anshkalonte me qëllim Kombëtaren e Kosovës. Madje, zyrtarë të lartë të saj ekipit kosovar i referoheshin si “përfaqësuese”, duke nxitur një debat të kotë. Por, edhe ato reagimet bëheshin për efekte elektorale. Ishte koha kur Vetëvendosja premtonte bashkimin kombëtar dhe njerëzit entuziazmoheshin nga premtimet folklorike që dëgjonin. Ishte koha kur Kurti i referohej flamurit të Kosovës si “flamuri lara-lara”.

Tash ai udhëheq shtetin e Kosovës dhe çdokund e përcjell po ky flamur “lara-lara”, fort i kritikuar e i nëpërkëmbur nga zyrtarët e Vetëvendosjes. Dhe, teksa zgjedhjet e fundit i ka fituar duke mos e premtuar më bashkimin kombëtar, mbase konsideron se “opiumi patriotic” për votuesit e tij më nuk është i nevojshëm.

Veprime që dikur cilësoheshin të papranueshme për Kurtin e Vetëvendosjen, tash konsiderohen normale. Siç konsiderohet normale edhe shkelja e premtimeve të bëra ndër vite, megjithëse duke u përpjekur të arsyetohen dëshpërueshëm për qëndrime të ndryshuara.

* * *

Nuk është se për qëllime elektorale po kalkulon vetëm partia në pushtet. Mjafton të shihet debati për tërheqjen e parave nga Trusti, për të kuptuar se si edhe partitë opozitare janë në të njëjtën lojë. Po ashtu, elektoralisht e partiakisht kalkulohet edhe kur bëhet fjalë për Gjykatën Speciale. Njerëz, të cilët e kanë votuar këtë gjykatë në Kuvend, tash për të fajësojnë Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen që e kanë kundërshtuar atë. Çuditë në Kosovë nuk kanë fund, ashtu si dhe kalkulimet për përfitime personale, partiak e poltike, pa zgjedhur mënyrë e mjet që të arrihet rezultati i synuar.

Krerë të shtetit, deputetë e ministra duhet ta kuptojnë se nuk bëhet politikë me ligje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me ligje që rregullojnë barazinë për secilin qytetar. Siç nuk bëhet lojë, as eksperimente me gjëra të rëndësishme, si fondi pensional.

Përtej veprimeve në Kuvend, e rëndësishme për të zgjedhurit dhe të emëruarit në institucione është edhe përkrahja publike për kauza të caktuara, kauza që synojnë të çojnë përpara veprime e vendime të dobishme për shoqërinë.