Të shkruash, librin tënd - Gazeta Express
string(23) "te-shkruash-librin-tend"

OP/ED

Gazeta Express

08/06/2022 14:01

Të shkruash, librin tënd

OP/ED

Gazeta Express

08/06/2022 14:01

Libri i Madh? Libri i Librave? Libri i Vetëm? Obsesioni me librin e përsosur është i pafundmë

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

«Të merremi vesh që në fillim. Kam hequr dorë nga të shkruarit e librit të madh. Mendoja se kam ardhur në këtë botë pikërisht për ta bërë një gjë të tillë, por ama ishte mendim fatal, qesharak dhe absurd. Po kush dreqin e merr mundin ta kuptojë arsyen e ardhjes sonë, kur nuk jemi asgjë tjetër pos ardhacakë? Ardhacakë me pikëpyetje të hekurta në duar. Gjithmonë».

Ky është inçipiti i librit më të ri të Shpëtim Selmanit, ‘Balada e buburrecit’ (botoi Dukagjini, 2022).

***

Libri i Madh? Libri i Librave? Libri i Vetëm? Obsesioni me librin e përsosur është i pafundmë. Viktimë e tij është individi, e në mënyrën e saj edhe masa. Mbase me dallimin se masa është shkatërruese, e individi mund të jetë, në këtë rast, më e shumta, vetëshkatërrues.

E kam pasur edhe unë këtë obsesion. Me vite të tëra. Kohë të tëra tërbimi e sfilitjeje.  

Nuk lind së pari obsesioni. Në fillim është një pothuajse asgjë, një personazh i vagullt, një ide e zbehtë, një shkëndijë e mekur, e cila të duket sikur ka diçka të veçantë, diçka që nuk e kishe, por tash të duket sikur e paske pritur përherë, prej se je lindur. Madje (të duket se) qenke lindur pikërisht për këtë: të të shfaqet ty. Për rrjedhojë, nuk të shqitet më. Ia ke hapur derën. E ke mirëpritur. I ke bërë vend në gjoksin tënd, në prehrin tënd. E ngroh. Si klloçkë. Andaj, nuk ka më dyshime: duhet ta trajtosh ashtu siç e meriton, si të veçantë, si të pazakontë, si unike. Do të thotë, është ideja që po e prisje për «librin e madh». Erdhi dita për «librin e madh», krejt për «librin e madh».

Dhe ti do ta shkruash se s’bën ndryshe. Në të vërtetë, në më të shumtën e herave të bëhet se do të shkruhet vetë. Ulesh të shkruash dhe, natyisht, nuk qullos asgjë. Sepse ajo që je duke qullosur është në të vërtetë e gjithë ajo qullosja e rëndomtë që e ke qullosur deri më sot. Nuk të bën shpirti ta pranosh këtë të vërtetë nën dritën e diellit. Atëherë thua, jo, nuk është kjo. E fshin. E hedh. E përbuz. I dëshpëruar i thua vetes: mirë, u gabova me qasjen, duhet të pres. E vërteta është se je duke pritur atë që thamë më herët: të shkruhet vetë. Pret të burojë, të rrjedhë papritur e pakujtuar si uji i ftohtë i kthjellët nga shkëmbi i çarë nga ndonjë mrekulli në të cilën ti, me arsyen e shëndoshë, kurrë s’do të besoje.

Në këtë mënyrë, ditët ikin, javët ikin, vitet ikin e nuk kthehen më. Ti ke mbetur aty, në pritjen që «libri i madh», të shkruhet vetë. Ti ke mbetur aty duke shkatërruar dhjetra e qindra e mijëra faqe të «librit të madh» që nuk qenka «libri i madh».

Një ditë më në fund e kupton se, në rregull, nuk ka «libër të madh». Të paktën, jo për ty. Duhet të shkruash. Duhet të shkruash: një libër. Me «drojën e madhe», me «dyshimin që rrjedh», me «pakënaqësinë e pafundme». Vetëm kaq.

***

«Libri i madh», nga ana tjetër, do të nënkuptonte po ashtu edhe «lexuesin e madh», përkatësisht «të gjithë lexuesin». Është çmenduri edhe vetëm të të feksë në mendje për një çast të vetëm.

«Nëse them se libri im i destinohet vetëm një rrethi të vogël personash (nëse mund të quhet kështu), nuk dua të them, me këtë, se për mua rrethi i tillë është elitë e njerëzimit; janë vetëm persona të cilëve u drejtohem, jo pse janë më të mirë a më të këqij se të tjerët, por ngase ata përbëjnë rrethin tim kulturor, në njëfarë mënyre janë njerëzit e atdheut tim, për dallim nga të tjerët që më janë të huaj», shkruante Wittegenstein, në fletoret e tij të shënimeve.

Pra, libri ynë është libri i «rrethit kulturor» ku përkasim, i «njerëzve të atdheut tonë». Që do të thotë se rrethi ynë kulturor mund të ketë një person të vetëm, mund të ketë ca mijëra a ndoshta edhe ca miliona veta. Sot kur shkruajmë, e po patëm fat (nëse fati ka të bëjë ndonjë gjë me këtë) nesër kur s’do të jemi më. Ama, mund të mos e ketë as edhe një të vetëm. Siç mund të ketë sot me miliona, e nesër asnjë për fare.

Mandej, pasi t’i botojmë ca libra dhe ta kuptojmë se vetëm budallenjtë përfundojnë të kënaqur me veten, mund të lëshohemi edhe në atë cinizmin e këndshëm, tipik për shpirtrat e mëdhenj.

«Lavastini është buzë çmendjes nga tërbimi se nuk po ia del ta shkruajë një libër. Nëse s’do ta shkruajë, do të mundemi – me plot të drejtë – të vazhdojmë të themi se ai është njeri i jashtëzakonshëm; ndërsa nëse ia del, si të gjithë, ta përfundojë një sish, atëherë s’do të mund ta japim atë gjykim më» (E. M. Cioran, në fletoret e shënimeve, 12 korrik 1970).