Le të na dënojë Partia - Gazeta Express
string(22) "le-te-na-denoje-partia"

OP/ED

Gazeta Express

16/04/2022 17:27

Le të na dënojë Partia

OP/ED

Gazeta Express

16/04/2022 17:27

Ftesa për të shkuar në Qeveri paraqitet si më e arsyeshme nga zëdhënësi sesa vajtja e kryeministrit në studiot private mediale. Kjo shpërfaq edhe problemin e tij me median private, me një strukturë policentrike të mediave. Demokracia që synon Kosova ose mbi bazën e së cilit është themeluar shteti ynë, e ka një nga karakteristikat e saj thelbësore lirinë e mediave. Rjedhimisht edhe pluralizmin në mjetet e komunikimit apo tregun medial shumëngjyrësh

Shkodran Hoti

Lexo Edhe:

Derisa gjatë gjithë ditës gazetarët e kanë të pamundur ta kontaktojnë për t’ia marrë një qëndrim zyrtar të Qeverisë, zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu, u gjet para ca ditësh në Facebook. Në një postim të kryeministrit Albin Kurti në këtë rrjet social, zëdhënësi i ishte futur një polemike me gazetarin Berat Buzhala, pasi ky i fundit i kishte shtuar disa pyetje për të parin e Qeverisë, duke ia kujtuar se i njëjti po bojkoton – tash e sa kohë – studiot televizive.

Në replikën e tij ndaj Buzhalës, zëdhënësi që paguhet për ta kryer këtë detyrë në Qeveri, përplot vetëbesim mori rolin e zëdhënësit të publikut pa pagesë. Në përpjekjen për të treguar se çka është e dobishme për këtë të fundit, ai ndër të tjera tha se më e arsyeshme do të ishte që Buzhala (gazetari) të shkonte të bënte pyetje në konferencën e asaj dite që mbajti kryeministri, sesa shefi i ekzekutivit dhe qeveritarët e tjerë të ishin prezent në studio private mediale.

Sado që reagimet e këtilla shpesh kalojnë si një potpuri e parëndësishme shkronjash e fjalësh në rrjete sociale, komenti i tij është mirë të analizohet më thellësisht. Është e rëndësishme ta shpërfaqim se çka paraqet ky qëndrim dhe me ç’mendësi përkon. Gjithnjë, duke e trajtuar si një përgjigje të menduar nga ana e tij për gazetarin, ani pse nuk e kam të vështirë ta besoj se zyrtarët qeveritarë shpesh flasin e shkruajnë edhe pa menduar.

Fillimisht, duhet thënë se reagimi i zëdhënësit të pushtetit nuk ishte spontan. Në mesin e qindra komenteve, ai gjeti komentin e një gazetari për t’i replikuar. Ndërkohë që për një vit mandat, gazetarë të shumicës së mediave ankohen për mungesë transparence nga ai dhe Qeveria, zëri i së cilës do të duhej të ishte.

Për të shkuar tutje, duhet ta trajtojmë reagimin e zëdhënësit (pushtetit) në raport me mediat në strukturën që janë brenda një sistemi demokratik. Këtu vjen në ndihmë Giovanni Sartori, teksa flet për policentrizmin e monopolin e mediave dhe numëron karakteristikat e një regjimi totalitar, në veprën e tij të mirënjohur “Ç’është demokracia”.

Në një regjim totalitar sipas Sartorit, “struktura e të gjitha mjeteve të komunikimit masiv është rreptësisht njëqendrore e njëngjyrëshe dhe, pra, flet me një zë: me atë të regjimit”. Më tej, ai sheh edhe në teorinë edhe në praktikën e këtij lloj regjimi, nevojën për shkatërrimin e “sferës private”.

Të gjithë këtë trajtim në disa faqe libri të teoricientit italian rreth asaj se si shihet liria e mendimit, liria eshprehjes dhe media në një regjim totalitar, buroktati kosovar Përparim Kryeziu e ilustron me 3-4 rreshta në një rrjet social.

Kur zëdhënësi këshillon gazetarin se për t’u informuar për punën e Qeverisë duhet t’i shkojë kryeministrit në konferencë, flasim për një ftesë që të shkohet për t’u dëgjuar zëri i regjimit. Kjo, sepse është e dëshmuar se konferencat e ekzekutivit lejojnë një a dy pyetje, kurse qeveritarët mund t’ia japin vetes të drejtën për t’u përgjigjur shkurt apo edhe për ta injoruar pyetjen. Aty nuk ka përballje, nuk ka debat e nuk ka sfidim. Është fjala e një njeriu përballë një grumbulli gazetarësh, ku secili mund ta ketë një pyetje. E njeriu në foltore – kryeministri, në këtë rast dhe shumë raste –  gjen shpëtimin në agjendën e tij. Nuk ka kohë. Ikën. Gjithsesi, pasi ka nxjerrë zërin e tij. Pasi ka kryer rrëfimin e tij.

Ka edhe më keq. Së fundi, kishin një rast kur del një ministër para mediave, të cilin, derisa ka marrë këtë pozitë, publiku nuk e ka njohur më shumë se një pjesëmarrës nëpër protesta, dhe u tregon gazetarëve se cila pyetje është e “mençur” dhe cila “budallallëk”. Merr këtë kompetencë, kur e vetmja gjë që i kërkohet është të shpjegojë se si e motra i është punësuar në njërën nga ministritë.

Tutje, ftesa për të shkuar në Qeveri paraqitet si më e arsyeshme nga zëdhënësi sesa vajtja e kryeministrit në studiot private mediale. Kjo shpërfaq edhe problemin e tij me median private, me një strukturë policentrike të mediave. Demokracia që synon Kosova ose mbi bazën e së cilit është themeluar shteti ynë, e ka një nga karakteristikat e saj thelbësore lirinë e mediave. Rjedhimisht edhe pluralizmin në mjetet e komunikimit apo tregun medial shumëngjyrësh.

Qasja e zëdhënësit Kryeziu dokumenton mosdurim të tij ndaj sferës private. Ndaj mediave që nuk janë të varura nga pushteti. Ai flet me përçmim për “studiot private mediale”. Kjo merr kuptim edhe më shumë kur kujtojmë se shefi i tij kishte zgjedhur ta jepte intervistën e parë si kryeministër në RTK, duke theksuar se ai e do publiken. Ndërkohë, në shumë studio të mediave private nuk ka shkelur këmba e tij asnjëherë për sa kohë është në krye të ekzekutivit, derisa përkrahësit e tij nuk ndalojnë linçimin për asnjë moment ndaj drejtuesve të këtyre televizioneve.

Nëse kjo është një paralajmërim lufte për median private, s’mbetet tjetër përveç se të presim që në verën e këtij viti, zëdhënësi i qeverisë të dalë në RTK dhe të na informojë se Kosova e ka fituar Kampionatin Botëror të Futbollit “Katar 2022”. Mu sikurse Kim Jong Un që përmes televizionit shtetëtor të Koresë së Veriut kishte shpallur fitues të kampionatit botëror të vitit 2014 shtetin që drejtonte, ani pse e njëjta s’ishte as e kualifikuar në atë event sportiv.

Sado që mund të duken shembuj të ekzagjeruar, këtyre krahasimeve u japin jetë gjetjet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Qartësisht aty thuhet se politikanët në Kosovë tentojnë t’i frikësojnë gazetarët. E, specifikisht, nënivzohet kërcënimi i një deputeti të pushtetit (ish-zv/kryeministër i kryeministrit aktual) ndaj njërës prej mediave. Ndonëse nuk përmenden në raport, të freskëta i kemi edhe deklaratat e bashkëshortit të presidentes së vendit dhe shefit të kabinetit të kryeministrit, të cilët publikisht i kanë quajtur mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”. Në anën tjetër, krerët e shtetit nuk u distancuan në asnjërin rast nga këto deklarata. As zëdhënësi i Qeverisë, i cili të paktën e ka borxh të tregojë se a është kjo arsyeja që ai nuk komunikon me mediat siç ia përcakton kontrata e punës dhe siç e detyron paga që merr nga taksat tona. Në të kundërtën, thjesht le të na dënojë Partia. Po, po, le të na dënojë se kemi bërë faj.