Intervistë me Visar Krushën, drejtor i Teatrit Dodona. Nëpër çfarë vështirësish po kalon ky teatër? A ka pavarësi financiare? A po e pamundëson zhvillimin e aktiviteteve kulturore burokracia? Pse nuk po përgatitet Ligji për Kulturë?
Në këtë intervistë dhënë me shkrim për Gazetën Express, drejtori i Teatrit Dodona, Visar Krusha, flet mbi të gjitha për vështirësitë nëpër të cilat po kalon ky teatër. Në të vërtetë, sipas Krushës, «Në përgjithësi, në historinë e pasluftës, Dodona nuk ka qenë asnjëherë prioritet i Komunës së Prishtinës, i asnjë administrate. Megjithëse Prishtina si komunë ka shumë nevoja e kërkesa, Dodona si institucion vartës kulturor, nuk ka qenë as prioritet në fushën e kulturës. Ka ekzistuar një periudhë kur Dodona nuk ka pasur as drejtor e as Këshill Drejtues për dy vite». Për rrjedhojë, Krusha shpreh bindjen se e gjithë ngecja vjen për arsye politike, andaj edhe «Është koha e fundit që Ministria e Kulturës, por edhe komunat që kanë teatro publike ta tregojnë gatishmërinë dhe vullnetin politik që ta zgjidhin çështjen e menaxhimit të teatrove publike njëherë e mirë».
Një prej nevojave urgjente është Ligji për Kulturë, i cili duhet të përgatitet nga Ministria e Kulturës dhe pastaj të miratohet nga Kuvendi. «Në të kundërtën, nëse ky shtet, nuk ka nevojë për teatër, e nuk do të merret me rregullimin e menaxhimit të teatrove publike, atëherë le t’i mbyllin ato».
Gazeta Express: Sipas ligjit për teatrot, secili teatër duhet ta këtë buxhetin e vet. Si qëndron puna në teatrin “Dodona”, a mund të na e qartësoni punën e financimit?
Visar Krusha: Sipas ligjit për teatrot, secili teatër publik në Kosovë duhet ta ketë pavarësinë financiare, përkatësisht xhirollogarinë e vet dhe (pos tjerash) e përshkruan edhe mënyrën se si përzgjidhen projektet teatrore, përkatësisht udhëheqësi artistik në bashkëpunim me drejtorin e përgjithshëm ia propozon këshillit drejtues projektet për repertorin vjetor dhe pastaj këshilli vendos për një numër të caktuar të atyre projekteve, shfaqjeve teatrore dhe pastaj menaxhmenti i teatrit përkatës i angazhon bashkëpunëtorët për realizimin e atyre shfaqjeve. I përmenda këto dy elemente që janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës në teatër, përkatësisht prodhimin e shfaqjeve, d.m.th. pavarësia financiare dhe mundësia për ta formësuar repertorin, e ne nuk e kemi asnjërën, meqenëse sipas ligjit për prokurimin publik çdo shpenzim duhet t’i nënshtrohet procesit të tenderimit që nuk ka kuptim për natyrën e punës në teatër, pasi për shembull, për të angazhuar artistë, bashkëpunëtorë të jashtëm por edhe për shpenzime tjera, sipas ligjit për prokurim publik, ata bashkëpunëtorë duhet t’i nënshtrohen procesit të tenderimit. Si rezultat, ne nuk kemi buxhet vjetor për prodhimin e shfaqjeve pasi që ligji për prokurimin publik nuk lejon që shpenzimet të bëhen sipas ligjit për teatrot, që është në njëfarë mënyre shkelje e ligjit për teatrot nga ligjet tjera dhe nga vetë institucionet me vite të tëra. Megjithëse ligji për teatrot duhet të ndryshohet, pasi që i ka disa aspekte të padefinuara mirë, pavarësia financiare e një teatri dhe përcaktimi i repertorit dhe bashkëpunëtorëve nga vetë teatri është diçka që nuk ka alternativë. Në këtë situatë, mënyra e vetme për prodhimin e shfaqjeve në teatrin Dodona është përmes thirrjes publike për subvencione ku organizata dhe biznese aplikojnë për subvencione në thirrjet për projekte kulturore dhe më pas përfituesit paraqesin kërkesë në Dodonë për të prodhuar shfaqje si koproduksion. Në vitin 2020, Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje për subvencione vetëm për realizimin e shfaqjeve në Dodonë, ku procesi i përzgjedhjes së projekteve ka qenë më i përafërt me ligjin për teatrot pasi që shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues kanë qenë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e projekteve. Gjatë vitit 2021 Komuna nuk e ka shpallur këtë thirrje, pasi në një moment është konkluduar se nuk ka buxhet për këtë thirrje e unë pres që kjo thirrje të shpallet këtë vit gjë për të cilën edhe kam kërkuar nga Drejtoria për Kulturë dhe kjo thirrje duhet të vazhdojë deri në miratimin e Ligjit për Kulturë, prej të cilit presim që t’i zgjidhë të gjitha çështjet e menaxhimit të punës së teatrove. Kjo ishte sa i përket prodhimit të shfaqjeve, ndërsa sa i përket pagave të stafit, furnizimeve për mirëmbajtjen e aktiviteteve dhe të objektit, të gjitha shpenzimet mbulohen dhe menaxhohen nga Komuna e Prishtinës, ku Dodona si Teatër i Qytetit, është institucion kulturor vartës i Komunës së Prishtinës.
Gazeta Express: Cili është bashkëpunimi që keni me Komunën e Prishtinës?
Visar Krusha: Thashë që Dodona, si Teatër i Qytetit të Prishtinës, është institucion vartës kulturor i Komunës së Prishtinës dhe të gjitha nevojat tona për mirëmbajtjen e aktiviteteve dhe të objektit realizohen përmes kërkesave që ne i parashtrojmë në Komunë, e të cilat pastaj menaxhohen nga Komuna, e siç e përmenda më lart sa i përket prodhimit të shfaqjeve, kërkesat tona aktualisht kanë të bëjnë me thirrjen për subvencione për realizimin e shfaqjeve në Dodonë, pasi që çështja e krijimit të mekanizmave ligjorë për financimin e prodhimit të shfaqjeve është çështje edhe e nivelit qendror. Komunikimin kryesisht e bëjmë me Drejtorinë për Kulturë dhe kemi bashkëpunim të mirë. Mirëpo ka çështje të cilat nuk janë kompetencë e Drejtorisë dhe në këtë drejtim nganjëherë ngecin kërkesat. Ne jemi një njësi prej shumë prej atyre që i ka Komuna e Prishtinës dhe kërkesat tona kalojnë nëpër një zinxhir të gjatë të miratimeve e procedurave burokratike shumë të centralizuara që dinë edhe të vonohen dhe unë këtë rast si udhëheqës i institucionit e kam shumë të vështirë të bëj plane, pasi vetëm kërkesën mund ta parashtroj unë, e tërë procesi i miratimit, shpenzimit dhe menaxhimit bëhet nga zyrtarët e departamenteve të ndryshme të Komunës, e që nganjëherë mund të jetë edhe përgjigje negative ndaj kërkesave. Në përgjithësi, në historinë e pasluftës, Dodona nuk ka qenë asnjëherë prioritet i Komunës së Prishtinës, i asnjë administrate. Megjithëse Prishtina si komunë ka shumë nevoja e kërkesa, Dodona si institucion vartës kulturor, nuk ka qenë as prioritet në fushën e kulturës. Ka ekzistuar një periudhë kur Dodona nuk ka pasur as drejtor e as Këshill Drejtues për dy vite. Mendoj që administrata publike në Kosovë ka nevojë urgjente për reforma në përgjithësi, e sa i përket menaxhimit të teatrove, krahas kësaj duhet të krijohen edhe mekanizmat ligjorë për mbarëvajtjen e punës së një teatri publik. Është koha e fundit që Ministria e Kulturës, por edhe komunat që kanë teatro publike ta tregojnë gatishmërinë dhe vullnetin politik që ta zgjidhin çështjen e menaxhimit të teatrove publike njëherë e mirë.
Gazeta Express: Sa i përket infrastrukturës se objektit, cila është gjendja? A pritet të ndërmerret diçka?
Visar Krusha: Ne e kemi pasur një renovim vitin e kaluar i cili fillimisht është planifikuar të jetë shumë rrënjësor, por ndërmarrja e cila është kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për t’i kryer punimet, para se t’i fillojë punimet, i ka hequr shumë punime si diçka që ata nuk mund t’i marrin përsipër. Me fjalë tjera, sa i përket objektit, ka nevojë për punime të cilat nuk janë bërë në renovimin e vitit të kaluar, e që janë nevoja të kahmotshme si: izolimi i kulmit që shpesh pikon kur bie shi apo borë, ndërrimi i dyerve dhe dritareve që janë shumë të dëmtuara dhe nuk kanë kurrfarë izolimi, renovimi i gardërobave të aktorëve dhe hapësirave tjera krahas furnizimit të tyre me mobilje, vendosja e sistemit të klimës etj.
Gazeta Express: Çka do të ketë për muajin pill në Dodona?
Visar Krusha: Do të vazhdojmë me shfaqjen e reprizave në TEATRIN PËR FËMIJË dhe SKENËN E MBRËMJES. Këtë muaj në TEATRIN PËR FËMIJË do të jepen shfaqjet “Qeni që nuk dinte të lehë”, “Mik-mik”, “Rrëfimi nga xhungla”, “Mustaqoshi larosh” dhe “Lira dhe Titi”, e në SKENËN E MBRËMJES do të vazhdojmë me reprizat e shfaqjes “Qyteza e humbur”. Ndërsa, gjatë muajit maj do ta kemi premierën e shfaqjes “Top Girls” nga Caryl Churchill, në regji të Shkurtë Aliut, që është koproduksion në mes të Dodonës dhe OJQ Artpolis, ku luajnë aktoret rezidente të të dy trupave e që është shfaqje e SKENËS SË MBRËMJES. “Top Girls” është një dramë që i eksploron rolet e grave të cilat janë në dispozicion në shoqërinë moderne, çmimin që e paguajnë gratë për suksesin në jetën profesionale dhe gjithashtu për atë se çfarë do të thotë të jesh grua e suksesshme në shoqëri.
Gazeta Express: Krejt në fund, a priten bashkëpunime mes Teatrit dhe regjisorëve ose aktorëve nga jashtë?
Visar Krusha: Në këtë mjedis administrativ ku ligji për teatrot është në kundërshtim me ligjet tjera gjë që e bllokon punën e teatrove publike dhe ku shfaqjet që prodhohen nuk menaxhohen financiarisht nga vetë teatri, është shumë vështirë të bëhen plane për të angazhuar bashkëpunëtorë nga jashtë vendit, megjithëse kemi pasur bashkëpunëtorë nga vendet tjera, në fakt mjeshtër të kukullave me qenë se në Kosovë i kemi vetëm disa mjeshtër të kukullave, por kjo është diçka që nuk mund të bëhet shpesh. Pos tjerash, subvencionet që ndahen për kulturë, edhe nga Komuna edhe nga Ministria e Kulturës, pra edhe ato për teatër, e kanë një kufizim të shumave që ndahen, që shpesh janë buxhete të vogla për realizimin e shfaqjeve me bashkëpunëtorë nga Kosova e lëre më nga vendet tjera, ku angazhimi i tyre në Kosovë automatikisht nënkupton shpenzime më të mëdha. Unë pres që Ministria e Kulturës ta përgatisë sa më shpejt Ligjin për Kulturë, e ky ligj të miratohet në kuvend, e natyrisht që të koordinohet edhe konsolidohet edhe me ligjet tjera dhe mekanizmat tjerë ligjorë në fuqi dhe të gjitha institucionet relevante, në mënyrë që të krijohet mjedisi administrativ adekuat për punën e teatrove publike. Siç thashë edhe më lart, pavarësia financiare e teatrove publike dhe krijimi i mekanizmave për mbarëvajtjen e punës së teatrove nuk ka alternativë. Në të kundërtën, nëse ky shtet, nuk ka nevojë për teatër, e nuk do të merret me rregullimin e menaxhimit të teatrove publike, atëherë le t’i mbyllin ato.
Unë dëshiroj të besoj që kjo nuk është e vërtetë, e alternativa e vetme karshi kësaj gjendjeje është krijimi i infrastrukturës së qëndrueshme ligjore për menaxhimin e teatrove publike, që është bazë e domosdoshme për krijimin e produksioneve teatrore inovative.
/Intervistuan Donjeta Abazi & A. Idrizi
/Gazeta Express