Martin Camaj (Temal, 13 korrik 1925 – Mynih, 12 mars 1992) shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.
SHIU MBI LUM’
Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
në qiellin e vrantë lëviz nji halë
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
Ujë â bâ gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
dëshira e pjekun po bjen prej degës
shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.
Në votër flaka po del krandeve
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
veshët e mij janë lodhë prej zâneve
Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
Nga Agron Tufa
Camaj ka vijue me mbetë “poeti im” më gjatë e më bindshëm se çdo poet tjetër shqiptar. Çdo poezi, edhe ato në dukje “më të thjeshtat”, ripërmasohen pas çdo leximi me elementë të rinj dhe leximi i tyre është një rrugë e vazhdueshme e dialogut artistik, pa pretendue kurrë një shterim përfundimtar të semantikës së poezisë.
Përzierja e të katër elementëve zanafillore në bashkëpunim organik është karakteristikë për organizmat e gjallë. Njeriu si “kurorë e Krijimit” dallohet nga kjo përbërje alkimike elementësh falë aftësisë për të menduar, ëndërruar, përjetuar, përfytyruar e projektuar horizontin e vazhdimësisë së vet. Njeriu është e vetmja qenie e gjallë e aftë të gjykojë e ëndërrojë, t’u japë trajtë dëshirave të veta përmes shprehjes së tyrë në komunikimin me fjalë. Ja, pra, fjala është thelbi e fundamenti i çdo veprimi, shtysa e çdo akti, që shpreh shumën e përvojave të tij. Përjetimi është ai, që e bën njeriun të ketë një unitet të pandërprerë shpirtëror, të ketë ndërgjegjen për çfarë është ai, për identitetin e tij. Përjetimet e hidhura të humbjes, vdekjes, dështimit, frikës, të panjohurës, fatkeqësisë, sikundërse dhe përjetimi i ngadhënjimit, shpresës, gëzimit, dashurisë dhe besimit, përbëjnë horizontin e ndërgjegjes ekzistenciale, ontologjinë e tij si totalitet në raport me botën dhe veten. E ky totalitet që përmbledh ëndrrat, dëshirat, shpresat dhe besimin, duhet të përftojë në fund një Kuptim. Njeriu pra, është kompromis i arrnuar me shpresa dhe ëndrra.
Por nëse ky kuptim i totalitetit të qenies nuk arrihet në jetën e tij, nëse njeriu del i privuar nga çfarëdo kuptimi, bien vetvetiu të gjitha arsyet për të cilat ai ka vazhduar përpjekjen, duke shpresuar e ëndërruar, atëherë pra, ndërgjegjja e tij merr goditje të rëndë, plasaritet, shkërmoqet. Në jetën e njeriut atëherë hyn kaosi, ai i dorëzohet kaosit gjithëpërpirës, i zhgënjyer, pa besim. Në jetën e individit vërshon absurdi, sëmundja, degradimi, paranoja, natyra me personalitet të dyfishtë – të gjitha këto – gjendje dekadence, reflekset e së cilës kanë qenë objekt i letërsisë moderne, poezisë dhe teatrit.
Njeriu i Camajt, heroi lirik i poezisë “Shiu mbi lum'”, është njeriu i lodhur, i plagosur pariparueshëm, i cili e ka humbur harmoninë primordiale, prandaj ai është një qenie e shfytyruar nga dhimbja, nga pengjet e parealizuara që dhembin në shpirt. Dhe, me sa duket, ajo që i rëndon më së shumti në shpirt është nostalgjia, nostalgjia për “kopshtin e Edenit”; për natyrën e madhnueshme e vetëpërtëritëse, prej së cilës e kanë “dëbuar” dhunshëm në metropolet e zhurmshme, sikundër thotë poeti “veshët e mi janë lodhë prej zaneve”. Ai, heroi lirik, e sheh, e kundron këtë fashë kozmogonike të natyrës së ujshme përmes një plage që ther në shpirt. Që ta shijojë, ai duhet ta lërë ritmin e tij të brendshëm dis’harmonik, për të hyrë në një relacion të ri, në harmoni me natyrën. E këtë mund ta bëjë Gjumi. Sepse gjumi është pushimi, prehja e të gjitha lëvizjeve me ritëm të ç’akorduar, të paktën kështu dëshmojnë ligjet fizike mbi lëvizjen dhe prehjen, ku, sikundërse dimë – lëvizja kinetike shndërrohet ne lëvizje potenciale, përmes prehjes/statizmit.
Veçse këtu fjalë është jo për lëvizjen fizike, por për lëvizjen shpirtërore, më sak, për ndërprerje të një tipi ngetaiv lëvizjesh të ç’akorduara, me shpresën se, kur të fashiten ato (pas gjumit), heroi do të zgjohet me një harmoni të re lëvizjesh, me trup e shpirt të përtërirë, sikundërse po vepron natyra e përjetshme, e cila vetërregullohet e vetëpërtërihet përmes katarsisit ujor. Heroit lirik i lypet diç më tepër se katarsis. Mbase ai ka nevojë për një ekzorcizëm, që t’i pushojnë dhimbat e shpirtit dhe se një efekt të tillë, i cili dëshirohet në çdo varg përmbyllës të çdo strofe, është në gjendje ta bëjë çdo varg i dytë i straofave, që përsëritet fiks njëlloj në çdonjërën prej tyre (e pikat e shiut po bijnë mbi lum).
Ky kompleksitet zhurmash e tingujsh të mprehtë të pikave, që shuhen në sipërfaqen e butë e të bruztë të ujërave të lumit, si lëkurmë e murrme bualli, përftojnë në veshët e lodhur një muzikë të kulluar parake, si në vitet mitare të poetit, gjithë nostalgji e veti kurative. Kjo muzikë e spektaklit ujor është e njëjtë me atë të zâneve të metropoleve të zhurmshëm, që e kanë lodhur heroin lirik me tingujt therës e cijatës në peizazhet moderne urbane, e kanë lodhur me natyrën e tyre artificiale e mashtrimtare, si zërat e Sirenave moderne Uliksin modern. Jo më kot Camaj e percepton veten në një poezi si Uliks (që s’u kthye kurrë në Itakë). E tash ai është kthyer në Itakën e vet, por me një ritëm të ç’akorduar, pikërisht në sfondin e bjeshkëve të tij, bash në çastin kur ato bëjnë katarsisin ujor. Në mitologjinë e krishterë, shiun, vërshimin dhe përmbytjen i kundrojnë si mitologjema të pastrimit të botës nga mëkatet, përpara se të lind një Diell i ri, një ditë e Re, një botë e Re, në një epokë të Re e të përtërirë, sigurisht, me një moral të Ri. Për këtë ka nevojë dhe heroi lirik, i tejngarkuar me “dëshira të pambrijshme”, lodhje, nostalgji dhe shpresë për ripërtëritje.