Epistula e javës / Anton Çehov - Gazeta Express
string(28) "epistula-e-javes-anton-cehov"

Arte

Gazeta Express

25/03/2022 16:59

Epistula e javës / Anton Çehov

Arte

Gazeta Express

25/03/2022 16:59

Anton Çehov (1860 – 1904), njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj rus. Përveç dramave dhe tregimeve, Çehov ka lënë pas vetes edhe një pasuri të pafundme letrash, drejtuar personave të ndryshëm. Aleksej Suvorin (1834-1912) ishte po ashtu një botues dhe shkrimtar i njohur rus. Korrespondenca e tyre ishte e begatshme, mirëpo kanë mbijetuar vetëm letrat e Çehovit drejtuar Suvorinit. Suvorini, në ditën e vdekjes së Çehovit, i kishte kërkuar motrës së Çehovit t’ia kthente të gjitha letrat që ia kishte dërguar. Me gjasë, me t’i marrë, i ka djegur.

Aleksej S. Suvorinit

Moskë, 20 nëntor 1888

…Ah çfarë tregimi kam nisur!* Do ta marr me vete dhe do t’ju lus ta lexoni.

E kam zgjedhur formën e fejtonit. Shkruaj për temën e dashurisë.

Një xhentëlmen që ia ka marrë gruan një xhentëlmeni tjetër dhe shpreh mendimin e tij rreth këtij fakti; kur jeton me të ka një mendim, kur e braktis ka një tjetër. Shkarazi flas për teatrin, për paragjykimin e «divergjencave të bindjeve», për rrugën ushtarake gjeorgjiane, për jetën familjare, për papërshtatshmërinë e një intelektuali modern me një jetë të tillë, për Peçorinin, Onjeginin, Kazbekun… Një mishamash që zoti na ruajt. Truri im i rreh krahët, por ende nuk e di se për ku do të fluturojë.

Ju pohoni se shkrimtarët janë populli i zgjedhur i Zotit. Nuk po e diskutoj. Sceglov më quan Potjomkini i letërsisë, prandaj nuk më shkon për shtati të flas për rrugëtimin e mbushur me gjemba, për zhgënjime, etj. Nuk e di a kam vuajtur më shumë nga këpucarët, nga matematikanët, nga drejtuesit e trenave; nuk e di kush flet me gojën time, nëse ndonjë zot a dikush edhe më keq se ai. Po ia lejoj vetes të konstatoj vetëm një telashe të lehtë, që e kam përjetuar vetë dhe që me pa dyshim e njihni edhe ju nga eksperienca juaj. Ja për çfarë bëhet fjalë. Ju dhe unë i duam njerëzit e rëndomtë; ndërsa neve na duan sepse shohin te ne njerëz të jashtëzakonshëm. Por, për shembull, më thërrasin ngado, më japin të ha e të pi si të isha gjeneral në dasmë; ime motër indinjohet kur e ftojnë majtas e djathtas veç pse është motra e një shkrimtari. Askush nuk do ta që ta dojë te ne njeriun e rëndomtë. Rrjedh se nëse nesër s’do jemi veçse vdekatarë të rëndomtë në sytë e njohësve të mirë, të gjithë do të reshtnin të na donin dhe do t’u vinte keq për ne. Kjo është një e keqe. Është një e keqe edhe ta duan te ne atë që vetë ne rëndom nuk e duam dhe nuk e çmojmë. Është keq që kisha të drejtë kur e shkrova tregimin Udhëtari i klasës së parë, në të cilin një inxhinier dhe një profesor universitar arsyetojnë mbi lavdinë.

Do të tërhiqen në fshat. T’i marrë djalli! Ju e keni, të paktën, Feodosijen.

Sa i përket Feodesijes dhe tartarëve: tartarëve ua kanë marrë tokat dhe askush s’e çan kokën për këtë. Duhet të ketë shkolla për tartarët. Shkruani që ministria t’ua derdhë këtyre shkollave, të dobishme për Rusinë, paratë që i harxhon për universitetet e sallamxhinjve të Dorpatit, ku studiojnë ca gjermanë të padobishëm. Do të shkruaja unë vetë, por s’jam i zoti për këtë gjë.

Lejkini ma ka dërguar një vodëvil shumë komik të pendës së tij. S’e ka shokun në këtë punë.

Jini shënosh dhe i lumtur,

Juaji

Anton Çehov

P.S.: Thoni Maslovit se fati i pjesës së tij po vendoset; ka ca hezitime sa nga njëra anë sa nga tjetra. Kanë inskenuar një vepër spanjolle që ka pësuar fiasko, prandaj tash po maten mirë.

Shënim:

*Bëhet fjalë për skicën e parë të tregimit ‘Dueli’.

/Marrë nga Anton Cechov “Epistolario” (volume I, 1877-1892), Einaudi, 1960

/Gazeta Express