Dje në teatrin “Oda” u dha shfaqja “King Lori”, me regji të Katharina Kromme, sipas tekstit të Jeton Nezirajt. Shfaqje ishte bashkëproduksion i Zürcher Institut für bewegende Künste, Qendrës Multimedia dhe Kleintheater Luzern.
Nga Donjeta Abazi
Ky rrëfim është i ngritur mbi jetën e këngëtares Loredana Zefi dhe dramës që shkaktoi ajo kur vodhi nga një çift zviceran një shumë të madhe parash.
Dy karakteret, Loredana dhe Ylfetja, mbi të cilat ndërtohet shfaqja luhen nga Susanne Abelein dhe Julia Schmidt.
Ylfetja është një grua zvicerane me rrënjë shqiptare, e cila ka fituar një post politik në një qytezë të Zvicrës.
Shfaqje brenda shfaqjes
Të dy aktoret prezantojnë shfaqjen para së të fillojë shfaqja përnjëmend, e në të njëjtën kohë nuk është prezantim i shfaqjes, por vetë shfaqja që po fillon. Të dyja tregojnë karakteret e tyre në shfaqje, faktin se asnjëra prej tyre nuk ka backround emigranteje dhe se të dyja kanë prejardhje zvicerane. Sipas aktorëve ato do të luajnë një shfaqje të shkruar për një grua, por e shkruar nga një burrë. Sa mund të jetë kompetent një burrë të shkruajë për një grua shpjegohet me faktin se nuk po flasim për menstruacionet, por për një grabitje të një emigranteje dhe gjinia e autorit zor se luan rol. Loredana në shfaqje gjithmonë prezantohet nga një telefon i madh i vendosur në skenë ose del nga aty, një detaj ky interesant që lë të kuptohet se po flasim për një njeri që të famshëm e ka bërë telefoni, rrjetet sociale e ndjekësit në instagram dhe se personalisht për të me shumë rendësi ka telefoni se plaçkitja. Një prezantim të tillë të këngëtares, aktorja në skenë e ndihmon edhe me lëvizje në vallëzim që i takon stilit të këngëtares.
Incidenti, arsyeja e shfaqjes
Në këtë pikë dy karakteret Loredana e Ylfetja rrëfejnë për ngjarjen që ka ndodhur dhe rrugën deri të plaçkitja që këngëtarja nuk preferon ta quajë ashtu pasi që sipas saj këtu nuk ka pasur asnjë lloj vjedhjeje dhe paratë e marra kanë qenë me dëshirën e zonjës Schmit. Zoti Schmit ishte plaçkitur nga i vëllai i Loredanës, me një shumë të madhe parash, të cilat gjoja i kishte marrë huazim dhe nuk ia kishte kthyer më kurrë. Pas gjithë kësaj, pas denoncimit të rastit në gjyq nga çifti Schmit, në skenë del Loredana, e cila maskohet si avokate, e bija e një avokati me emër në Zvicër Valentin Landmann, e qe me empatinë e rrejshme për zonjën Schmit i vjel edhe një shumë ekstra të parave me pretekstin se do ta ndihmojë dhe se bashkë do ta fitojnë gjyqin.
Kush jemi në sytë e të huajve
Ylfetja është një zvicerane me rrënjë nga Kosova, ama mënyra se si ka arritur të jetë një grua e suksesshme në politikë në Zvicër dallon prej mënyrës se si Loredana Zefi ka arritur të krijojë famë. Ani pse Ylfetja nuk do ta ndihmonte assesi këngëtaren nga krimi që e ka kryer, megjithatë një vijë sado e hollë i takon diku të dyja, fakti se të dyja kanë një backround emigrantesh. Sipas Loredanës çkado që të arrijnë në jetë ato do të mbesin veç dy emigrante nga Kosova.
Pyetjes nëse ka aktore shqiptare në teatrot e Zvicrës ne nuk dimë t’i përgjigjemi, sepse, sipas të gjitha gjasave, ose artistet nuk largohen nga Kosova ose artistet që largohen nga Kosova humbin identitetin e të qenit artist kur ndërrojnë pasaportat.
Pas incidentit
Ku do të mbahej konferenca për media pos në hotelin luksoz të Behgjet Pacollit “Swiss Diamond”? Ndjekësit e saj padyshim që nuk do ta shihnin në një tjetër ambient një personazh si ajo, me famën që kishte.
Pse konferenca për media u mbajt në Kosovë e jo në Zvicër, ku u krye plaçkitja?
Ndoshta në Kosovë avokati “stilistik” siç e quajnë aktoret në shfaqje do të kamuflojë diçka, për shkak të autoritetit që ka, ose ndoshta në Kosovë gazetarët janë më të “lehtë” ndryshe prej atij gazetarit nga Zvicra me syze dielli që ngacmonte me pyetje dhe e quante vjedhje atë që kishte bërë këngëtarja.
Vështrim i përgjithshëm
Shfaqja “King Lori”, që u shkrua nga Jeton Neziraj, flet për ngjarjen që shumica prej publikut veçse e dinë, ama pos kësaj, brenda kësaj shfaqjeje kishte lloj mesazhesh misterioze që autori donte t’i përçonte tek audienca. Aktoret zvicerane, të cilat në fakt del të jenë gjermane, nxjerrin në pah goxha mirë mentalitetin kosovar. Të gjitha detajet në skenë, e gjithë skenografia bart në vete një mesazh më shumë gjatë shfaqjes.
Ndërlidhja që autori i tekstit bën mes plaçkitjes, jetës materiale, famës, pastaj rrugëve me kalldrëm të Prizrenit dhe pushimeve në Kosovë, është goxha sfiduese për t’u interpretuar.
Biçikleta e Loredanës që e interpreton Kosovën na lë të kuptojmë se njerëzit si ajo shtetin tonë e shohin në një stad shumë të ulët dhe e mirë për këta njerëz Kosova bëhet veç kur duan të kamuflojnë krime të cilat jashtë vendit s’do të mundnin.
Një pikëpamje ndryshe e autorit, që shfaqja shpeshherë ta bëjë pjesë publikun, na tregon për satirën që ka dashur ta përçojë tek njerëzit. “King Lori” realizohet mes të qeshurës, reales e thumbimit e që gërshetimi i të gjitha këtyre në një të vetme bën që shfaqja të bëhet më e fuqishme se sa të gjitha këto elemente të ishin përdorur ndaras.