Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka quajtur lajm të madh dhe sukses të jashtëzakonshëm të Serbisë hapjen e grupit të katërt të kapitujve në negociatat me BE-në për integrim, transmeton Express.
“Të nderuar qytetarë, lajme të mira dhe të mëdha këtë mëngjes nga Brukseli, Serbia ka hapur një grup të kapitujve. Këta kapituj kanë të bëjnë me politikën e transportit, rrjetet trans-evropiane, mjedisin dhe energjinë. Sukses i rëndësishëm, i madh për vendin tonë. Faleminderit shumë dhe Ursula von der Leyen”, ka thënë Vuçiq përmes një video-mesazhi.
Ai tha se “kjo është një nxitje e madhe dhe inkurajim i madh”.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Serbinë është shembull i qartë se si standardet e sundimit të ligjit mund të komprometohen nën komisionerin që përfaqëson ideologjinë e (kryeministrit hungarez) Viktor Orban, kishte thënë në nëntor eurodeputetja e të Gjelbërve dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel.
Në një tekst autorial për EURACTIV, anëtarja e Komitetit për Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe anëtarja e delegacionit të BE-së në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimin kishte shkruar se të Gjelbrit, që kur Komisioni Evropian i udhëhequr nga Ursula von der Leyen mori detyrën, kanë paralajmëruar se Komisioneri për Zgjedhim, Oliver Varheyi është “njeriu i gabuar në vendin e gabuar”.
“Dikush i emëruar nga një qeveri që shkel sundimin e ligjit dhe demokracinë nuk mund të jetë shembull i mirë për vende si Mali i Zi, Serbia apo Shqipëria, të cilat po luftojnë me tranzicionin e tyre demokratik”, shkruante eurodeputetja.
Von Cramon tha se shenjat e para të politizimit, në vend të paanshmërisë, u panë në fillim të mandatit të Oliver Varheyit, por se “më e keqja” ndodhi kur u prezantua paketa e zgjerimit 2021 për përparimin e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së”.
“Komisioni ka shkuar zyrtarisht nën standardet e tij dhe nën standardet evropiane duke lehtësuar raportin për Serbinë për vitin 2021, veçanërisht për standardet e sundimit të ligjit”, ka shkruar Von Cramon.
“Është gjithashtu një shembull se pse vlerësimi i përgjithshëm i Komisionit, veçanërisht për Serbinë dhe ndoshta disa vende të tjera, nuk mund të jetë burim i besueshëm dhe për këtë arsye rekomandimi për hapjen e kapitujve të rinj nuk qëndron”, thoshte eurodeputetja.