Siç e dini, trupi i njeriut ka nevojë shumë të madhe për oksigjen, pa të cilin pamundësohet mbijetesa e tij. Si rezultat, oksigjeni që shpërndahet në mënyrë pasive në trup – pra direkt nga ajri, është i pamjaftueshëm për të ‘mbajtur’ gjithë trupin.
Me ç’rast po nënkuptohet që ka pjesë të trupit të njeriut që e marrin oksigjenin direkt nga ajri, por cilat janë ato pjesë?
Të tilla janë qelizat e lëkurës së shtresës së epërme dhe qelizat në sipërfaqen e përparme të syve.
Megjithatë, kjo sasi oksigjeni qe mirret nga këto qeliza nuk është e mjaftueshme. Prandaj, fatmirësisht ekzistojnë mushkëritë të cilat në mënyrë aktive ‘marrin’ oksigjenin dhe e shpërndajhnë atë në gjak, e më pas nëpërmjet gjakut të transferohet në të gjithë organizmin.
Shumica e qelizave tona mbështeten në shërbim të shpërndarjes së gjakut. Sidoqoftë, qelizat në shtresat e jashtme (lëkura) dhe sytë janë në kontakt të drejtpërdrejtë me atmosferën dhe mund të marrin me efikasitet oksigjenin direkt nga ajri.
Për sytë është veçanërisht e rëndësishme që të mos ketë gjak në pjesët e përparme. Pjesët në zonën e përparme të syrit duhet të jenë transparente në mënyrë që drita të ndriçijë në sy, duke mundësuar kështu shikimin. Duke qenë se gjaku ka ngjyrë të kuqe të errët, rrjedhja e tij e drejtpërdrejt në pjesët e përparme të syri do të shkaktonte vërbërim.
Pjesët e përparme të syrit kanë për detyrë të lënë dritën të futet brenda dhe të përqëndrojnë dritën në imazhe. Prandaj, këto pjesë duhet të jenë transparente (përveç irisit dhe strukturave mbështetëse përgjatë skajeve) dhe duhet të formojnë kolektivisht një formë lente.
Pjesët kryesore të përparme janë thjerrëzat, lëngu në formë lente, i quajtur humori ujor dhe sipërfaqja e jashtme e cila quhet kornea. Kornea është në kontakt të drejtpërdrejtë me ajrin. Detyra e saj është të ‘mbajë’ humorin ujor dhe t’i japë atij një formë të ngjashme me lentet.
Humori ujor është kryesisht ujë dhe përmban shumë pak qeliza. Në të kundërt, kornea dhe thjerrëzat përbëhen nga qeliza të gjalla të cilat duhet me patjetër të furnizohen me oksigjen në mëyrë që të ‘mbesin gjallë’. Në të njëjtën kohë, ato gjithashtu duhet të qëndrojnë transparente në mënyrë që të jenë në gjendje të përqendrojnë dritën.
Trupi i njeriut e zgjidh këtë problem në dy mënyra. Së pari, ai përdor një lëng të caktuar për të marrë oksigjenin, por jo gjakun. Humori ujor në vetvete është lëngu që e bartë oksigjen tek qelizat në thjerrëza dhe anën e pasme të kornesë. Pa qelizat e kuqe të gjakut të pranishme për të kapur në mënyrë aktive molekulat e oksigjenit dhe për t’i transportuar ato, humori ujor duhet të mbështetet në mekanizmin më pak efikas të difuzionit të thjeshtë për të transportuar oksigjenin. Së dyti, organizmat njerëzor e marrin oksigjen në qelizat në sipërfaqen e përparme të kornesë thjesht duke e thithur atë nga ajri.
Në mënyrë të ngjashme, shtresat e jashtme të lëkurës thithin oksigjenin direkt nga atmosfera. Është e vërtetë se lëkura nuk ka pse të jetë transparente si kornea, pasi mund ta marr oksigjenin edhe nga gjaku – gjë që vërtet e bën.
Sidoqoftë, meqenëse lëkura është e ekspozuar ndaj ajrit, nga pikëpamja e efikasitetit ka kuptim që lëkura të marrë oksigjenin e saj si nga gjaku ashtu edhe drejtpërdrejt nga ajri.
Në fakt, sipas një studimi të kryer nga Markus Stucker dhe bashkëpunëtorët e tij, të publikuar në The Journal of Physiology, “Shtresat e sipërme të lëkurës në një thellësi prej 0.25-0.40 mm furnizohen pothuajse ekskluzivisht vetëm nga oksigjeni i jashtëm, ndërsa transporti i oksigjenit nga gjaku ka një ndikim të vogël.”
Sasia e oksigjenit që mirret prej lëkurës është e papërfillshme, kështu që shumica e qelizave në trupin e njeriut duhet ta marrin oksigjenin nga gjaku. Megjithatë është interesante, lëkura në vetvete është në gjendje të thithë shumicën e oksigjenit të saj direkt nga ajri.
Marrë nga: Science Questions with Surprising Answers
Nga: Dr. Christopher S. Baird – profesor i Fizikës në West Texas A&M University.
Përkthyer nga: Shkendije Berisha /GazetaExpress/