Mbreti i “xhunglës” - Gazeta Express
string(17) "mbreti-i-xhungles"

Mbreti i “xhunglës”

OP/ED

Gazeta Express

23/09/2021 14:16

Presidenti i Serbisë përmendi “safari” makina të policisë e gjah kafshësh të egra në veri të vendit. Aleksandër Vuçiq sërish po e kërcënon Kosovën – pavarësisht se tash një dekadë Beogradi pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Ai e dëshiron veriun xhungël, e veten mbret edhe të asaj pjese

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka zgjedhur të flasë me fjalor “animal”, teksa ka komentuar situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e automjeteve. Ai ka përqeshur forcat policore kosovare të cilat, sipas tij, do të tërhiqen nga veriu me ato “safari” automjetet e tyre që shërbejnë për gjah kafshësh të egra përreth Kilimanxharos. Kështu presidenti serb, në përpjekje për të tingëlluar kreativ, si pa dashje ka pranuar një realitet të krijuar nga Beogradi në veri të vendit, gjatë gjithë viteve të pasluftës.

Veriu i Kosovës vite me radhë ka shërbyer si një meszonë kontrabande e krimi të organizuar, gjithnjë me dijeninë dhe lejen e Beogradit. Në kohën kur institucionet e Kosovës nuk kishin qasje atje, veriu konsiderohej si njëfarë xhungle, pa ligj e ligjshmëri, por që i shërbente Beogradit për hesape të veta. Ngjashëm, ndonëse autoriteti i shtetit të Kosovës është i shtrirë formalisht atje, ka mbetur edhe sot. I banuar me qytetarë që çdo palë zgjedhje detyrohen nëpërmjet formave të ndryshm të presionit që votojnë Listën Serbe, veriu ende konsiderohet vend jonormal, krahasuar me pjesët tjera të Kosovës të banuara me serbë. Nëpërmjet veriut, Beogradi vazhdimisht ka mbajtur të tensionuar situatën në Kosovë. Kështu ka ndodhur disa herë, nëpërmjet manipulimit të qytetarëve të cilët mblidhen në protesta, barrikadohen dhe bllokojnë rrugët. Kështu po ndodh edhe tash – natyrisht nën regjinë e mbretit të “xhunglës” Vuçiq.

Vuçiq po kërcënon, siç ka bërë sa e sa herë deri tash. Ai po kërkon që forcat speciale të policisë të tërhiqen nga territori i një vendi tjetër, i cili është shtet i pavarur. Ai po kushtëzon kthimin në bisedimet e Brukselit me përmbushjen e katër kërkesave.

* * *

Marrëveshja e nënshkruar në dialogun e Brukselit parasheh lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por tash një dekadë, që kur dialogu ka nisur, Beogradi vazhdimisht ka penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Duke vepruar njëanshëm, Beogradi ka vendosur pengesa në lëvizjen e njerëzve, mallrave e automjeteve, ndërkohë që Kosova nuk ka vënë asnjë pengesë. Tash, kur u mor vendimi për reciprocitet, Vuçiq përpiqet të përfitojë nga ky veprim i Kosovës. Përpiqet ta nxjerr Kosovën si të papërgjegjshme në zbatimin e marrëveshjeve, ndërkohë që nuk përmend pengesat e vëna nga Serbia.

Të ballafaquar vazhdimisht me pengesa nga Serbia, qytetarët e Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht që të trajtohen të barabartë me ata të Serbisë. Pse qytetarët e Serbisë mund të

udhëtojnë lirshëm në Kosovë, me makinat e tyre, pa ua hequr target dhe pa bërë kurfarë pagese, ndërkaq kosovarët duhet të marrin tabela provuese në kufi dhe të paguajnë për to? Pse Serbia secilit kosovar që kalon në territorin e saj ia jep një letër A4, në të cilën shkruan se nuk e njeh shtetin e Kosovës, ndërkaq serbët nga Serbia qarkullojnë lirshëm? Pse kompanitë kosovare nuk mund t’i eksportojnë mallrat pa pengesa në Serbi, ndërkohë që Serbia shet rreth 400 milionë mallra brenda vitit në Kosovë?

Secilës qeveri i është kërkuar që të vendos maca reciproke ndaj Serbisë, sepse duket se as Brukseli, e as dikush tjetër nuk mund ta bind Serbinë që t’i respektojë marrëveshjet e arritura.

Është e lehtë, fare e lehtë zgjidhja për targat e makinave. Serbia le t’i heq pengesat, i heq edhe Kosova. Pse duhet fokusuar presioni i bashkësisë ndërkombëtare mbi Kosovën, e jo mbi Serbinë? Pse është heshtur tash e një dekadë për veprimet destruktive të Serbisë? Pse duhet të negociohet sërish në Bruksel për targat? Kosova nuk duhet të rrëshqasë sërish në diskutime teknike me Serbinë, por vetëm duhet të insistojë që të zbatohet marrëveshja e nënshkruar nga të dy palët.

* * *

Të enjten Aleksandër Vuçiq doli me katër kushte për vazhdimin e dialogut me Kosovën. Të katërtat kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm të vendit. Ndërkohë pala kosovare nuk merret me rregullimin e brendshëm të Serbisë.

Për lëvizjen e forcave policore nga veriu nuk vendos Vuçiq, por autoritetet kosovare. Njësoj siç vendosin për krijimin ose jo të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe licencimin ose jo të kompanive për furnizim të veriut me rrymë.

Në Serbi ende nuk ka pushuar diskursi fyes e nënçmues për shqiptarët e Kosovës, madje edhe nga presidenti e kryeministrja e vendit. Haptas, kryeministrja ka përdorur shprehjen “njerëz të malit”. Në diskursin e tyre ka plot mllef e urrejtje, aspak empati e keqardhje për çfarë Serbia ka bërë në Kosovë. Ata e duan Kosovën xhungël, por Kosova është shtet. Deshën apo s’deshën ta pranojnë.