Tatëpjeta e ndërtuar mjeshtërisht me gurë të gdhendur të dërgon tek Kullat në Drenoc të Deçanit. Fshat guror, kështu njihet ky vend për shkak të madhështisë që i japin njëmbëdhjetë kullat të ndërtuara rreth 200 vite më parë. Kullat ruajnë identitetin autentik të shqiptarëve, në muret e larta fshehin historinë e shkruar nga e kaluara fisnike. Përtej kësaj, këta gurët shfaqin edhe trashëgiminë e pasur e zakonet e shqiptarëve, që janë kujdesur të restaurojnë ato. Kësisoj pamje që të jepet të krijon bindjen që po jetohen vitet e shekullit njëzet.
Të paprekur janë muret që japin pasqyrën e jetesës në atë kohë, me këtë rast arkitektura e tyre shfaq edhe një element tjetër, atë të humanizmit. Ndërtimi i këtyre objekteve tregon që fshatarët këtu i kanë dhëne vlerë të njëjtë si të tyre, jetës së kafshëve. Meqë në strukturën e këtyre objekteve shihet që në katin përdhese janë lënë kafshët, nga pamjet atje shihet që lopët dhe delet kanë qenë ato që kanë mbajtur banorët, teksa në katin sipër kanë banuar familjarët.
Në fund të kësaj rruge është edhe kulla e Isuf Mazrekaj, e hijeshme sa s’ka më nga jashtë e bukuria e saj nuk përfundon vetëm tek dyert e drunjta e dritaret e ngjyrosura me të bardhë. Po sa të hysh në derën e kësaj kullë të shfaqet zonja e shtëpisë, me krenari tregon çdo cep të shtëpisë, muret e bardha që ndriçojnë nga gëlqerja e pastër.
Sipër mureve duken edhe pikturat e qëndisura me dorë (goblenë-fjalë emërtuese e përdorur nga fshatarët) nga vetë kryezonja, këtu shfaqet një art i rrallë e i thellë i të qepurit me fije me ngjyra të lloj-llojshmëri. Pikturat këtu tregojnë edhe anën e artit të grave shqiptare, përkushtimin e tyre në të bukurën e abstrakten. Por jo vetëm këto piktura, edhe çilimat në dysheme tregojnë punën artdashëse të grave atë kohë. Megjithatë veçantia nuk përfundon tek arti e pastërtia, nëpër kulla ruhet edhe një jete e të e të parëve tanë.
Këtu gjejmë kohën kur sofra është përdorur për tu ngrënë në vend të një tavoline, e hasim në djepin ku janë rritur gratë e burrat e kësaj ane. Krijimet nga druri të pajisjeve që janë përdor për jetesë ditore. Tërë këtë ndjenjë turistët që vinë të përjetojnë nuk janë të paktë, ata ja mësyjnë nga gjitha anët e botës për në adresën e Kullave në Drenoc. E këtu gjejnë ngrohtësi, mirëpritje e dashamirësi nga vendasit.
Drenovci, ky fshat guror është një tregim që nuk ka fund, s’mund ti vendosësh një pikë pa e përjetuar vetë. Kështu që nga ky vend po kalojmë në një tjetër lokacion po aq të pasur me trashëgimi e kulturë, brenda Deçani.
Duke mos lëvizur nga kjo komunë por nëpër këtë qytet, do flasim për Manastirin e Deçanit, monumentin e rrallë të artit, historisë e religjionit. Ky Manastir që u ndërtua në vitet 1327 deri në vitet 1335 ndodhet buzë Bjeshkëve të Nemuna, saktësisht në fillim të Grykës së Deçanit, aty ku rrjedh Lumi i Bistricës. Kjo begati e natyrës ja jep këtij manastirit një pamje mahnitëse, ky objekt qëndron ballë si një ndër monumentet më të rralla të këtij lloji në botë.
Po ta shohësh jashtë s’do mendja që ky të jetë po aq i mrekullueshëm edhe brenda, sapo të kalosh në derën që të dërgon në oborrin e madh syri nuk mund të ngopet me këtë pamje. Detajet në ndërtimin e këtij objekti nuk kanë fjalë që mjaftojnë për përshkrim, e brenda tij shfaqet edhe më tepër arti, këtu interieri të ngjan në një muze që se ka prekur dora e njeriut prej shekujsh. Në hapësirën e këtij interieri ekspozohen ikona që shfaqin histori secila tek e tek, ndërkohë shihen shandanë e kryqe të punuar me dorë prej gruri e druri.
Një tjetër veçori e këtij objekti të pasur me histori e kulturë është koleksioni i pikturave nëpër muret të manastirit të punuara nga shekulli XIV deri në fund të atij të XVII. Pastaj këtu ruhen edhe dorëshkrimet e librat e botuara teksa një rol të rëndësishëm zë edhe historia gojore e treguar nga ciceronët e këtij manastirit.
Kjo adresë mbetet ndër më të frekuentuarat nga vizitorët. Jo shumë hapa larg këtij manastiri është edhe një burim me ujë të gazuar, begatia e këtij uji bën që shumë banorë të ndalen këtu e të furnizohen me këta ujë. Ndër ata që marrin ujë këtu janë edhe bjeshkatarët, ata mbushin shishet e qelqit këtu e i marrin me vete në vetura e nisin rrugën për në Bjeshkë.
E tërë rruga të përcjell me një pamje të rrallë të natyrës së çiltër, zakonisht udhëtimet e gjata me veturë dinë të jenë monotone por në këtë rast asnjë moment i kësaj rrugë nuk mund të jetë çast për tu ankuar. Shtigjet e larta malorë të bjeshkëve qëndron në të dy anët e rrugëve, e hija e tyre të përcjell tërë kohën, përveç kësaj edhe mikpritja e banorëve është e jashtëzakonshme. Ata s’të lënë të futesh në huti e mërzi me rrëfimet për secilën pjesë të kësaj toke.
Në çdo fjalë të tyre vërehet dashuria e madhe për vendin, emocionet e mëshiruara tek ta shfaqen gjatë përshkrimit të rrugëve e të historisë së kësaj ane. I tillë, njerëzor, i ditur e punëtor është edhe Isuf Hulaj, banor i Fshatit Prilep të Deçanit. Familja e tij ka një tokë në Bjeshkë të Prilepit, të trashëguar nga të parët. E bashkë me vëllezërit e axhallarët kanë ndërtuar stane atje, ai thotë që nuk e ndërron këtë vend me asnjë tjetër, madje mëton që të zhvillojë edhe më shumë pronën atje teksa heziton të na tregojë detaje deri në momentin që mbërrijmë në destinacion. Pak para se të arrijmë në Bjeshkë, hasim në Përroin e Bjeshkës së Belegut dhe Prilepit, ky ujë këtu derdhet nga trekëndëshi Mal i Zi-Shqipëri-Kosovë.
Këtu gërshetohen tri bukuri të mëdha të natyrës, uji, toka e malet. E ky kombinim vështirë të bind të largohesh nga këtu.
Por megjithatë duhet vazhduar rruga për në Bjeshkë. Në historikë e Isufit e pamjet e maleve e ajrit të pastër mbërritëm. Në ora dymbëdhjetë të së shtunës zbarkuam në bjeshkë. Po sa dolëm nga veturat, shkuam në konak të familjes Hulaj. Besniku ishte ai që na priti në stanin e tij. E këtu u panë dhjetëra stane të ndërtuara nga banorët. Secili me stil të veçantë e kopsht para vetes.
Njeriu dorëzohet këtu, e lë vetën në dorë të Bjeshkëve të Nemuna, i jep veten natyrës, ajrit të pastër, maleve. Këtu vetëm montoni s’ka, por ajo që ta kalon shpejt është një ndjenjë mërzie e mungese, për momentin që nuk do jesh më këtu teksa rritet kënaqësia e adrenalina për ti zbuluar tërë bukuritë, e soditur natyrën.
Kësisoj morëm rrugën për në majën e Marijashit, 2 mijë e 533 metra lartësi mbidetare. Lartësia nuk ishte edhe aq e madhe për fillestarët e ecjes mirëpo s’bënte pjesë në ato të lehtat. Por banorët janë tejet zemërgjerë këndej saqë atyre që nuk mund të ecnin në këto bjeshkë i ofrojnë vozitje me veturë për ngjitje. Kësisoj bënim pauza të shpeshta, jo vetëm për shkak të lodhjes por edhe eksplorimit të vendit.
Në këto bjeshkë hasnim në bimë të shumta shëruese e të bukura, lule që nuk i gjendej shoqja askund. Për këto bimë banorët tregojnë që ka pasur kërkesa edhe nga ndërkombëtarët për këto bimë, teksa nuk mungon as pasura e faunës. Gjitarët e mëdhenj, të tilla si kafshët e egra, shqiponjat e arta, dhia e egër, dreri, ujku gri, si dhe lloje të rralla ose të rrezikuara si rrëqebuj dhe arinj të kaftë mund të gjenden brenda pyjeve të parkut. E pas pamjes nga Qafa e Rudinës, e lodhjes së ecjes u kthyem sërish në Stan.
Kur lodhesh edhe ushqimi shijon më mirë, por një faktor tejet i rëndësishëm është edhe pasuria e asaj dreke tradicionale. Zonjat që jetojnë në bjeshkë kishin përgatitur ushqimet më të mira të fshatit. Pite e gatuar me djathin e bërë bio të bjeshkës, e leqenik i gatuar me shumë kujdes, gjithë këto të shoqëruara me perime turshi me recetë të gjyshërve, të cilën na tregoi Isufi. Tutje ai na tha që banorët këtu i lënë stanet e hapura për të gjithë vizitorët e bjeshkëve, bujaria e tyre është aq e madhe saqë kushdo që ka dëshirë të kalojë natë në bjeshkë mund të flejë në stan pa pagesë.
Perëndimi i diellit ia jep një bukuri tjetër Alpeve Shqiptare. Në Bjeshkët e Nemuna janë tri malësi, ajo e Pejës, Gjakovës dhe e Shkodrës. Me panaromën më të mirë në mendje të Bjeshkëve të Nemuna ne morëm rrugën për në Gjakovë. Në qytetin ku ruhet antikja, e zhvillohet zanati e tradicionalja.
Gjëja e parë që të vie në mendje posa të hysh në këtë qytet është Çarshia. Radhitja e dyqaneve e punëtorëve zanatli është portreti më i mirë i ekonomisë së gjakovarëve. Thonë që në Gjakovë ka kursimtarë por ky mit bie poshtë kur sheh zemërgjerësinë e tyre, zbritjen që bëjnë në çmime gjatë blerjes sidomos ata që bëjnë punime dore. Vlen të përmendet që Çarshia e Madhe është pazari më i vjetër në Kosovë në të cilin gjendën rreth 500 dyqane. Afër tij është edhe lagjja që bartë një histori, Mahalla e Hudmit ku ndodhet edhe xhamie e vjetër e këtij qyteti që daton që nga shekulli i 15. Arkitektura e këtij objekti fetaro-kulturor është mbresëlënëse po aq sa edhe gurët e varreve në oborrin e kësaj xhamie.
Por para se të ndërtohej kjo xhami në Gjakovë ishte ndërtuar Hani i Haraqisë, një objekt që ruan historinë e gjakovarëve nëpër foto e ushqime. Në këtë vend has në një shërbim të denjë e meny të pasur vendore. Pas Hanit, në Gjakovë mund të vizitohet edhe Ura e Tabakëve, që mban ndër vete një histori, por ky qytet edhe pse e ruan antikën ka edhe objekte moderne në të. Ndërkohë që në të është edhe Shkugëza, një vend i pa shoq për të përmbyllur vizitën në Rrafshin e Dukagjinit. Në mesin e shumë maleve e pishave, Shkugëza mbetet një adresë për të gjithë ata që e duan ajrin e pastër, gjelbërimin, ushqimin që shijon mirë e një ecje të lehtë në mëngjes.