Sfilitur nga lirika, vrarë nga utopia - Gazeta Express
string(36) "sfilitur-nga-lirika-vrare-nga-utopia"

Sfilitur nga lirika, vrarë nga utopia

Arte

Gazeta Express

14/06/2021 14:32

Nostalgji, leximet e rinisë:  poezia e Majakovskit

Preç Zogaj

Lexo Edhe:

Nxënësit e shkollave të mesme, krijuesit e rinj dhe adhuruesit e poezisë në Shqipërinë e viteve shtatëdhjetë- tetëdhjetë të shekullit të kaluar, e njihnin Vladimir Majakovskin kryesisht për aq  sa mbetej në mbamendjen e tyre, nga  çfarë u thoshnin për të mësuesit e letërsisë apo tekstet ku përmendej emri i tij: “Poeti  i Revolucionit të Tetorit”, i vargut “dhe kënga dhe vargu është bombë e flamur”, i distikut të famshëm “kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia/ kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini”, që  rëndom në hartimet  shkollore  aktualizohej duke e zëvendësuar emrin e Leninit, me emrin e Enver Hoxhës.

Pas viteve gjashtëdhjetë, Bashkimi Sovjetik kishte devijuar nga rruga e Leninit dhe Stalinit, “Tetori i Kuq” kishte gjetur strehim në Shqipëri. Bashkë me revolucionin, edhe kasnecët dhe apostujt e tij, më zëlarti i të cilëve ngjante të ishte Majakovski. Atë e kishte lindur hapësira e paanë e Rusisë dhe utopisë komuniste të fillimshekullit të njëzetë. Shqipëria ishte shumë e vogël, për përmasat prej demiurgu që i atribuoheshin. Nga kjo pikëpamje, Majakovski, ndryshe nga Esenini, fjala vjen, shihej si dikush në shenjtninë e tij, i paarritshëm, i paimitueshëm, i pagjykueshëm.

E njëjta distancë pamundësie, që e mendoja edhe si distancë inferioriteti, më ndoqi edhe kur në bibliotekën e Lezhës mora dhe fillova të lexoj vëllimet e tij “Vjersha  dhe poema” dhe “Poezi”, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Vëllimi i parë ishte më i hershëm dhe më i plotë, i dyti ishte botuar  në vitin 1972, kur unë kisha qenë nxënës në tëtëvjeçare. Kam patur zakonin të krijoja gjithnjë një imazh, apo një si totem të caktuar për poezinë e çdo autori. Lidhur me këtë, edhe një ide se sa të arritshëm i ndjeja. Imazhi i parë për Majakovskin ishte ai i një paraleleje të lartë prej hekuri, ku duhej të stërviteshe për të forcuar muskujt e krahëve e shpatullave, si kusht për t’u familiarizuar me të. Nuk ishte e lehtë të qëndroje në këtë vegël gjimnastikore, në emër të një egoje që duhet të ketë lidhje me ndeshjen. Nëse, kur lexoja Eseninin në kopshtin e shtëpisë, më vinte natyrshëm t’ia  thosha nënës si nga vetja, vargjet e tij “yt bir do të bëhet/ i dëgjuar, poet i Shqipërisë”, duke e lënë të pataksur për një çast, këtë nuk ia thoshja dot tek lexoja Majakovskin.  Këtij s’mund t’i ngjaja.  Jo se nuk doja.  Nuk mundja. Vargjet e tij qëndronin në “specien” e të paadaptueshmes.

Në të vërtetë Makakovski ishte i dyzuar, kishte dy e më shumë Majakovskë në  krijimtarinë e tij. Këtë kostantim e kam bërë para se të lexoja për dvojnikun e tij të famshëm, dhe shumë vite përpara se të njihesha me heteronimet e portugezit Fernando Pesoa.

Në një anë, Majakovski shfaqej si një lloj komisari i popullit për letërsinë, i urdhërave të stilit ushtarak për armatën e arteve, i përcaktimeve se çfarë ishte e duhej të ishte poezia dhe poeti proletar në epokën e re, i replikimit, denigrimit dhe gykimit të ashpër të autorëve “të fshehur në gjedhë mistikë”, i thirrjeve  “hiqni dorë/harroni, pështyni/ dhe në rimat, në arjet dhe në trëndafilat“, i  direktivës si duhej shkruar e për çfarë duhej shkruar: “na jepni të tilla arte/ repubikën nga balta ta nxjerrim”. Një qasje kësisoj prej tribuni impulsiv me damarët përjashta, përkujtonte vitet e para të revolucionit leninist, por në shumë aspekte tingëllonte si një relike e atij revolucioni,  edhe në Shqipërinë më të mirë letrare të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë.  Ndjehej ndërkaq, edhe në këto lloj poezish deklamative, sinqeriteti i poetit shelbues të marrë peng në mision, siç mund ta themi sot.

Nga ana tjetër, ishte Majakovski i mbërthyer në sentimentalizmin, melankolinë dhe shpirtëroren e tij të thellë, poeti i asonancave, toneve, imazheve dhe figuracionit të fuqishëm që godiste si poezi e madhe, e pashoqe.  “Do të përplasem për tokë/ në lëkurën e gurit/ Fytyrën në gjak nëpër asfalt do ta laj/ Të lodhura nga llastimet do t’i vë buzët/  Në turirin tënd të mençur, tramvaj”. Nuk do t’i harroj këto vargje të poezisë “U mërzita”, botuar në vëllimin “Poezi”, përkthyer nga Luan Rexhepi. Po kështu, edhe poezinë me titullin “Lamtumirë”: “Në auto frangën e fundit prish/ Në ç’orë shkon në Marsejë?/ Vrapon veri qyteti Paris/ Me ngjyrat, det me përcjell/ O lëng ndarje / Në sy m’u zvarris/ Zemrës m’i hidh/ sentiment një okë/ Do të desha të rroj e të vdes në Paris/ Sikur mos ishte vendi Moskë”.  Më vonë kam vrarë mendjen përse më kishte bërë përshtypje një poezi kaq e thjeshtë.  Dhe mendoj se ishte kontrasti i atypëratyshëm mes kësaj poezie sentimentale dhe pretencave të tij prokuroriale, teksa  vetvendoset në rolin e delegatit të BS në një konferencë ndërkombëtare, ku kërkon llogari në emër të Rusisë. “Me ç’pude vallë/ me ç’lloj ari/ do ta paguani këtë, zoti Puankare”.

Shumë vargje, si sentenca poetike të Majakovskit, qenë bërë ndërkaq pjesë e ligjërimit  rinor kundër steriotipeve.  “Shporrni mendime, shpejt andej nga erdhët/ Përqafohuni/thellësi e shpirtit dhe detit bashkë/Kush gjithë jetën është i kthjellët /Sipas meje është njeri i trashë”(poezia “Në shtëpi”). Apo dëshirorja në fund të poezisë së shumëpërmendur “Mbledhjembëdhenjtë”: “Ah, sikur të bëhej edhe një tjetër mbledhje/ për ç’rrënjosjen e të gjitha mbledhjeve”. Përtej vargjeve, që dukej qartë se ishin shkruara për nevojat utilitare të  revoliucionit në hapat e parë, poezia e angazhuar e Majakovskit sillte shembuj të guximit në  thyerjen e tabuve tematike dhe konceptuale, që  kishin  hedhur rrënjë të thella në Shqipëri. Një e tillë ishte poezia “Për fundërrinën“, që nis kështu: “Lavdi, lavdi, lavdi  heronjve/ por fundi atyre/ mjaft u kemi thurur lavdërime/ Tashti do të flasim për fundërrinën”. Pavarësisht se, fundërrina për Majakovskin ishte borgjezi i vogël – në këtë pike, ai nuk dilte nga ujërat e tij – një strofë e tillë  nuk mund të shkruhej në  Shqipërinë e lavdive të ngritura në kult.  Rusia sovjetike e viteve njëzetë ishte nga kjo pikëpamje përpara Shqipërisë  komuniste të viteve shtatëdhjetë- tetëdhjetë.

Kryevepra e Majakovskit në ato dy vëllime ishte poema “Re në pantallona”, përkthyer nga Ismail Kadare, botuar në vëllimin  e hershëm, por jo në të mëvonshmin. Kjo poemë  konkuronte  me simotrat e saj  “Vladimit Iliç Lenin”, “ 150.000.000”,  “Me gjithë zërin”- dhe ishte ku e ku  mbi të trija, si vepër arti.  Në ato poema konkuronin dy Majakovskët. Ai i lirikës ishte mbi tribunin; konkuronin kohët: para revolucioni, kur ishte shkruar “Re në pantallona” dhe pas revolucionit, kur ishin shkruar të tjerat. Nuk mund të mendoja atëherë se periudha para revolucionit kishte qenë më e mira, për të mos thënë e vetmja periudhë në të cilën Majakovski, u bë dhe mbeti poeti i madh që njohim. Duhej të kalonin vite, të ndodhte hapja demokratike e  Shqipërisë, të njihesha me krijimtarinë e tij të periudhës  futuriste, të lexoja poemën tjetër të mrekullueshme  shkruar prej tij, “Flaut vertebrash”  apo poezinë “I dashuruar”,  ku në tre vargje “Mua përkundrazi/ më është çmendur anatomnia/ më është bërë e gjitha zëmër”, përmblidhet   “manifesti” i lirikës majakovskiane, pra duhej të thelloja njohjen time, që të mendoja si shumë të tjerë se muzat dhe futurizmi si rrymë letrare avangardiste, i dhanë revolucionit të Tetorit një nga poetët më të mëdhenj të shekullit, por revolucioni  e vrau atë.

“Re në pantallona”, një poemë dashurie gjenuine dhe komplese, ku talenti dhe origjinaliteti i Majakovskit prekin majat, qe bërë një lloj psallmi për mua dhe miqtë e mi poetë  e libërdashës të rinisë.  Ka patur periudha kur, duke përjetuar sekush në jetën e tij motivin -shkëndijë të poemës së Majakovskit, pra përvojën e pritjes së gjatë të vajzës që vonohet mes dilemash a kushedi pse të vijë në takim, duke e tronditur e kurdisur në përimtime të jashtëzakonshme anatominë e bërë zemër të një të dashuruari, ne donim t’i ngjanin atij dhe të flisnim gjuhën e vargjeve të tij. Adhurimin për këtë poemë mund ta shpreh sot vetëm duke evokuar koleksionin e ndritshëm të shumë vargjeve dhe strofave të saj, që kujtesa ime i riprodhon si t’i kisha para syve. Ja disa prej tyre:

“Ju, të ëmblit/ dashurinë me violina e rrëfeni/ Në litavra/ i vrazhdi e vë ndjenjën shpuzë/ Ju kurrë dashuri si unë s’mund të keni/ Ku të ketë vetëm buzë”.

“Ju thatë: “Xhek London, Paris, Pare, Të bredh/ Po unë dija një gjë/ Ju jeni Xhokonda/ Të cilën duhet ta vjedh”.

“E dini?/ Unë kam në këpucë një gozhdë/ më të tmershme se fantazia e Gëtës vetë”.

“Po njerëz/ Unë ju kam dashur/ Megjithëse ju ofenduar më keni/ Ndonjëherë a e keni parë/ si dorën që rreh e lëpin qeni”.

Nuk mund të lë pa kujtuar këtu poezinë për Eseninin, bashkohës i Majakovskit, që pati vrarë veten. Poezia shpalosej si një elegji plot dhimbje për poetin fenomen, por nuk  mungonte replika me vargjet e famshme “të jetosh në këtë botë nuk është e  re/ por edhe të vdesësh, e re nuk është”, që Eseinini i pat shkruar para vdekjes me gjakun e venave  të prera.  “Në këtë jetë nuk është vështirë të ikësh/ jetën të krijosh ështe tepër e vështrirë”, i përgjigjej kumbara i revolucionit, bardit të lindur për poezi.  Kush mund ta besonte se vetvrasja do të bëhej sëmundja ngjitëse, e ngadalshme por pa shërim e poetit të skandaleve, për poetin e botës së re? Majakovski do të vriste veten pas pesë vjetësh.   Vetvrasja e tij ishte një e dhënë thelbësore që mungonte në dijen time kur po lexoja poezitë e tij- parathënia në vëllimin e parë ishte hequr kushedi pse, kurse në botimin e dytë nuk kishte asnjë fjalë për jetën e tij.

Sidoqoftë, u trondita kur e mora vesh më vonë.  Dhe kam menduar shpesh për atë vetvrasje. Atëherë, dhe më vonë.  Kam kërkuar nëpër vargjet e tij shenjat paralajmëruese, kam lexuar dëshmi dhe shpjegime nga më të ndyshmet për vendin, rrethanat dhe momentin, kur ai tërhoqi mbi vete këmbëzën e revoles. Ekziston gjithmonë pika e ujit që derdh gotën dhe mund të kishte një të tilë apo me shumë se një të tillë, edhe për gotën e Majakovskit. Por gota plot, një shumësi e madhe pikash, mbushur përgjatë kohës, është zakonisht e vërteta e së vërtetës. Në çdo vetvrasje, ka një vrasje – thotë një sentencë shumë e njohur. Majakovski e përceptoi revolucionin leninist si gjenezën e re të botës, ai e besoi, u bë flaka e tij, mëtoi të thurte ditirambin e ri, këngën e re të këngëve.  “Mjaft më jetuam me ligjet/ që Adamit dhe Evës i përkasin”, ishte një prej shpalljeve të fillimit të ri.

Gjenialiteti i tij nuk mund të mos shquante  drejtimet dhe caqet e utopisë robëruese ku  kishte ngecur.  Shigjetat  iu kthyen në mish, siç thotë Stefan Cvajg për misionarët  shelbues që vijnë me ëndrrën  e madhe për të ndryshuar botën, por përballë së pamundurës, i merr vorbulla e tiranisë ose ia heqin vetes. Në këtë kontekst, vetvrasja e Majakovskit ka ngjashmëri me vetvrasjen e gruas së Stalinit. Qenë  të shumtë lakejtë rreth tiranit gjeorgjian, që  u dhanë pas shpjegimeve për motive banale, por Stalini e kuptoi më mirë se askush shkakun e vërtetë të  vetvrasjes së të shoqes.  Kështu edhe Majakovski. Duke vrarë veten, ai qëlloi revolucionin, me të cilin qenë lidhur në një ngjashmëri kaq të habitshme sa të dukeshin si binjakë, siç ka thënë Pastërnaku. Dhe po Pastërnaku, të cilin e citoj këtu nga parathënia e vëllimit “Flaut vertebrash”, botuar nga shtëpia botuese “Eugen”, në vitin 2010: “Nën dritaret e dhomës ku shtrihej kufoma e Majakovskit, afër murit,  ishte shteti ynë i paparë kurrë… E veçanta e tij e dukshme të kujtonte në njëfare mënyre të ndjerin”.  Kishin mbaruar të dy.  Majakovski  i kishte dhënë dënimin fatal  dvojnikut prej tribune, ndërsa la  për artin dhe përjetësinë  dvojnikun e shpirtërores,  të sfiliturin nga lirika, mëndesha e botës.